
Pas hetimit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, gjykata vendosi masën e "arrestit me burg" për shtetasin Syrja Gjoka, me gradën ushtarake "Gjeneral Brigade", aktualisht Komandant i Brigadës Logjistike të Forcave të Armatosura, i akuzuar për "shpërdorim detyre", parashikuar nga neni 70/2 i Kodit Penal Ushtarak. Masa e arrestit është ekzekutuar ditën e djeshme nga ana e efektivëve të Policisë Ushtarake, të koordinuar me Policinë e Shtetit. Nga hetimi ka rezultuar se shtetasi i arrestuar, gjatë kohës që ka ushtruar funksionin e Komandantit të 'Repartit Ushtarak 3200' në Kuçovë,në kundërshtim me ligjin dhe pa miratimin e strukturave eprore, ka nxjerrë urdhrin për shkatërrimin e të paktën 7 objekteve në pronësi të Forcave të Armatosura. Po ashtu, gjatë hetimit, janë krijuar dyshime të arsyeshme se ky shtetas ka falsifikuar nënshkrimet e disa prej anëtarëve të Komisionit, të cilët ishin ngarkuar për përcaktimin e objekteve që do të prisheshin.
Dosja paraprake
Nga studimi i të dhënave të dokumentuara nga Policia Gjyqësore dhe verifikimet e bëra rezulton se: Në bazë të referimit të veprës penale nga Seksioni i Policisë Ushtarake, Berat, ka filluar procedimi penal, dt. 18.11.2013 për veprën penale të "Shpërdorimit të detyrës" të parashikuar nga neni 70 i Kodit Penal Ushtarak. Për referimin e veprës penale, Policia Ushtarake është bazuar në dokumentacionin që administron Baza Ajrore, Kuçovë dhe konkretisht: Në dt. 04/02/2013 është mbajtur një procesverbal në zbatim të urdhrit dt. 28/01/2013 të Komandantit të Bazës Ajrore, Kuçovë për kryerjen e inventarizimit të ndërtesave dhe objekteve fortifikuese të këtij reparti. Nga invetarizimi rezultoi se janë prishur 209 objekte e qendra zjarri, të përfshira në 12 zëra tek libri llogarisë me një vlerë në total 14.294.820 lekë. Këto objekte figurojnë të prishura, por të pa miratuara me procesverbal SU-3. Është administruar i gjithë dokumentacioni që ekzistonte në sekretarinë e repartit lidhur me prishjen e objekteve, e cila i përket periudhës kohore 2011-2012.
Hetimi
Në harkun kohor të 18-ditëve komandanti repartit ka nxjerrë 2 urdhra dhe 2 komisione për demolim (shkatërrim) objektesh. Në urdhrin dt. 18/07/2011 janë përcaktuar me saktësi objektet që do të prishen ndërsa në urdhrin dt. 30/06/2011, i cili ka dalë një ditë para ardhjes së miratimit për prishjen e objekteve nga Forca Ajrore, nuk është përcaktuar shprehimisht se cilat objekte do të prishen. Me shkresë dt. 05/10/2011, komandanti RU 3200, Kuçovë, i kërkon Komandantit të Forcës Ajrore prishjen e 7 objekteve të tjera të këtij Reparti.. Me shkresë dt. 21/10/2011 Komandanti i Forcës Ajrore nuk miraton proces verbalet SU-3 të dërguara nga RU 3200, Kuçovë, për arsye se materialet ishin dërguar jashtë afatit kohor të përcaktuar në Urdhrin dt. 29.08.2011 të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Propozimi për miratim të këtyre objekteve nuk është marrë parasysh nga Komanda e Forcave Ajrore pasi ishin çuar jashtë afatit kohor të përcaktuar në Urdhrin e sipërpërmendur dhe procesverbalet SU-3 janë kthyer mbrapsht me shkresën, dt. 21.10.2011. Me shkresën dt.03/11/2011 Komandanti RU 3200 Kuçovë ka ridërguar për miratim 7-proces verbale SU-3 për miratim për daljen jashtë përdorimit të ndërtesave, makinerive dhe pajisjeve, të cilat nuk janë miratuar. Lidhur me këtë, Dega Logjistike e Forcave Ajrore, me shkresë, dt. 30.11.2011, i dërgon një informacion Komandantit te Forcave Ajrore duke arsyetuar se dokumentacioni i ardhur nga RU 3200 Kuçovë (Me shkresën dt.03/11/2011 ) nuk mund të shqyrtohet për miratim pasi nuk janë plotësuar afatet kohore. Në dt.28/01/2013 Komandanti RU 3005 Kuçove ka nxjerrë Urdhrin për kryerjen e invetarizimit të ndërtesave dhe objekteve fortifikuese të pronësi të këtij reparti. Nga ky invetarizim rezultoi se mungonin 12-objekte (në zëra) të cilët figuronin në librin e llogarisë.
Syrja Gjoka, ish-pilot i shquar dhe ushtarak i karrierës
Nga 'Begs' në Akademinë e Forcave Ajrore, vlonjati Syrja Gjoka, i cili u arrestua ditën e djeshme me urdhër të prokurorisë dhe pas një mase arresti të lëshuar nga gjykata, përveç se është me gradën Gjeneral, njihet si një prej pilotëve më në zë në vend. Karriera e tij nis në akademinë "Skënderbej" dhe vjen deri tek Komandant i Brigadës Logjistike, në të cilën mbërriti pas më shumë se një viti që kishte qenë në të njëjtin post, por të Policisë Ushtarake. Gjeneral brigade Syrja Gjoka lindi më 22 qershor 1962, në Vlorë. Ai përfundoi Akademinë e Forcave Ajrore, si pilot gjuajtës-bombardues në vitin 1984.
Karriera e tij vijoi më tej në Bazat Ajrore Kuçovë dhe Rinas, ku ka fluturuar në avionët gjuajtës MiG 17 dhe MiG 19, si dhe në Bazën Ajrore Farkë ku ka fluturuar në helikopterët AB 206, AB 205, Bo-105, Mi-4 dhe Mi-8. Gjeneral Gjoka është pilot instruktor me një total prej 1100 orësh fluturimi. Ai u arrestua dje me një akuzë për shpërdorim detyre dhe tashmë do të jetë gjykata që do të vendos mbi fatin e tij.
Ja ku gaboi Gjenerali
Gjatë hetimit, janë kryer dyshime të arsyeshme se të gjitha këto objekte janë prishur pa miratimin e organit epror, Komandës të Forcës Ajrore në Tiranë dhe në kundërshtim me ligjin. Gjithashtu, në të gjitha rastet komisioni i prishjes së objekteve të pa miratuara nuk kanë konstatuar materiale me vlera magazinimi. Nga pyetja e anëtarëve të komisioneve në fjalë mësohet se disa prej tyre kanë qenë prezent në prishjen e objekteve, por asnjëri prej tyre nuk e njihte procedurën ligjore sesi veprohet në këto raste, por thjesht janë urdhëruar që të jenë prezent gjatë prishjes së objekteve. Disa prej tyre kishin edhe pretendime lidhur me firmat që ishin në procesverbale, duke pretenduar që nuk ishin të tyre. Nga deklarimet e personave që kanë dijeni për veprën penale rezulton se procesverbalet e prishjes së objekteve janë nënshkruar kohë më pas prishjes reale të objekteve.
Nga ana e Prokurorisë është kërkuar informacion, për përcaktimin e dëmit të shkaktuar nga prishja e objekteve dhe përgjegjësitë që dalin nga ky veprim, me shkresë, dt. 12.03.2014, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes dërgon raportin e Auditimit të brendshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, ku përcaktohet se dëmi ekonomik (në total) i shkaktuar nga prishja e objekteve është 5,695,752 lekë dhe për shkeljet e parregullsitë mban përgjegjësi ish-Komandanti i Repartit, Kolonel Syrja Gjoka. Nga hetimi i mëtejshëm ka rezultuar se ka dyshime që në procesverbalin e dt. 08/03/2011 për prishjen e objektit park automjetesh metalik, te vendi i nënshkrimit të anëtarëve të komisionit rreshter M. V dhe civil M. G të jetë firma e ish-komandantit të repartit Gjoka. Ky i fundit nuk e ka pranuar një fakt të tillë dhe për këtë, më 06.05.2014 është bërë vendim për kryerjen e ekspertimit teknik./index
No comments:
Post a Comment