
sh-deputetja demokrate mirëpret prurjet e reja në PD, por thekson se kurrsesi nuk mund të hidhen poshtë kontributet e atyre që kanë qenë pjesë e PD-së prej vitesh.
Zonja Hoti, zgjedhjet e 23 qershorit shënuan një humbje të thellë për Partinë Demokratike në të cilën ju keni bërë pjesë dhe si ligjvënëse. Pas këtij fakti u premtua një ringritje e PD-së, mendoni se po ndodh kjo gjë?
Ringritja e PD-së nuk mund të bëhet për dy apo tre ditë, do të duhej një formulë magjike të cilën nuk e kemi. Ky proces kërkon kohë dhe kërkon edhe përgjegjësi konkrete. Nevojitet kohë për analizën e humbjes, kohë për ripërtëritje strukturash edhe nëpërmjet zgjedhjeve të reja, kohë riorganizim strukturash në funksion të angazhimit sa më të mirë të aseteve të burimeve njerëzore të PD-së të cilat janë të jashtëzakonshme. Ky proces ka filluar, u mbyll faza e regjistrimit elektronik të anëtarësisë dhe anëtarësimeve të reja, e cila shënoi shumë prurje dhe energji pozitive në PD. Është kaluar në një fazë të dytë, atë të analizës dhe të zgjedhjeve. Shpresoj që të kryhet me përgjegjshmëri dhe seriozitet me qëllim që gjithpërfshirja të jetë fakt dhe të mos mbetet vetëm kërkesë e udhëzimit.
Faza e parë e anëtarësimeve kaloi e qetë, por nuk po ndodh kështu me fazën e dytë e cila nisi pas udhëzimit të zotit Basha. Besoj jeni njohur me të, si e vlerësoni këtë dokument, por dhe kundërshtimet e bazës që duket se kanë nisur nga Shkodra?
Sigurisht që jam njohur me udhëzimin, i cili për hir të së vërtetës nuk ndryshon shumë nga procedurat e ndjekura edhe në të shkuarën për zgjedhjet në PD, përveç parashikimit të disa "papajtueshmërive" me funksionet që mund të kenë kandidatët. Nuk më rezulton që të ketë një kundërshtim të mirëfilltë nga baza për përmbajtjen e udhëzimit. Demokratët mund të kërkojnë figura të reja në drejtim, por kurrsesi nuk hedhin poshtë kontributet. Në disa raste do të ishte mirë të lihet hapësirë për zgjerim me figura të reja në drejtim dhe të vazhdohet kontributi politik krah për krah, të gjithë së bashku. Në raste të tjera, duhet patur parasysh që baza dënon pa hezitim elementët që kanë abuzuar me besimin e anëtarësisë së PD-së dhe të zgjedhësve në përgjithësi. Do të ndihmojë ose jo në këtë drejtim parashikimi i përjashtimeve të cituara në udhëzim, mbetet ende për tu parë.
Deputetët demokratë si Topalli, Vokshi apo Bylykbashi kritikuan kryetarin që nuk e diskutoi këtë dokument në strukturat e partisë para se ta bënte publike. I konsideroni të drejta këto kundërshtime?
Nuk do doja të bëja gjykimin e qëndrimeve personale të asnjërit prej deputetëve për dy arsye. Së pari, sepse respektoj mendimin e tjetrit dhe, së dyti, sepse nuk jam njohur drejtpërdrejt me kontekstin e qëndrimeve të tyre. Sidoqoftë, kryetari i zgjedhur sipas parimit 'një anëtar një votë' gëzon legjitimitetin e drejtimit të procesit. D.m.th., anëtarësia i ka dhënë mandatin të udhëheqë procesin e analizës, ripërtëritjes dhe zgjedhjes së strukturave të reja drejtuese.
Mendoni se procesi zgjedhor do të garantojë dhe një analizë të qartë të humbjes së 23 qershorit? Shumë zëra janë kritikë ndaj zotit Basha në këtë pikë, njerëz që kanë qenë pjesë e PD-së si ligjvënës apo në pozicione të tjera...
Të gjithë biem dakord që analiza e zgjedhjeve, sidomos kur i ke humbur zgjedhjet, është mëse e domosdoshme, por lidhur me faktin se cila është faza më e përshtatshme për kryerjen e analizës në një proces ripërtëritje, anëtarësimesh dhe zgjedhor mund të ketë qëndrime të ndryshme. Kështu, për mendimin tim, procesin zgjedhor duhet ta kishte paraprirë një fazë më vete analize e përgjithshme, por kjo nuk do të thotë që procesi ku kemi hyrë nuk do ta realizojë edhe analizën e zgjedhjeve. Nxjerrja e shkaqeve dhe marrja e përgjegjësive i shërbejnë ringritjes me objektiva të qartë dhe me forca të shëndosha.
Megjithëse besoj që nga baza do të dalin në pah të gjitha shkaqet e humbjes, duhet të nënvizoj se është shumë e rëndësishme të sintetizohen mirë, të lexohen qartë dhe të bëhet dallimi i shkaqeve të përgjithshme me ato specifike në zona të veçanta zgjedhore. Udhëzimi kërkon analizën e zgjedhjeve, orienton në një mënyrë specifike kryerjen e analizës dhe, në vetvete, nuk përjashton analizën e përgjithshme. Por këtu dua të mirëkuptoj edhe zërat kritikë, sepse analiza e zgjedhjeve mund të varet më shumë nga mënyra e organizimit të punës nga të ashtuquajturit "të deleguar nga qendra" sesa nga udhëzimi për zgjedhjet. Një i deleguar, sado i përkushtuar dhe organizator i mirë të jetë nuk mund të ndjekë dot në detaje gjithë procesin dhe janë këta bashkë me grupet e punës në degë që duhet të garantojnë gjatë procesit shmangien nga preferencat, nga grupimet dhe nga përçarjet e mundshme.
Por ndërsa deputetë si Topalli apo Vokshi kanë kundërshtuar udhëzimin, emra të rinj në listën e deputetëve demokratë si deputetja e Lezhës, Albina Deda janë shprehur jo vetëm pro udhëzimit duke e cilësuar risi, por dhe shumë kritikë ndaj 'të vjetërve'. Mendoni se në PD po ravijëzohet qartë një përplasje mes 'të vjetërve' dhe 'të rinjve'?
Për të ndjekur të njëjtën logjikë të atyre që duan ta shohim PD-në në "të rinj" dhe "të vjetër" do na duhej të dinim më parë se në cilin grup e pozicionojnë veten ata të cilët janë shprehur deri tani kështu, por s'dua të ndalem te kjo pikë. Për mendimin tim, procesi i pasurimit të një partie me të rinj në moshë, në energji apo në angazhim politik nuk nënkupton ndarje të bashkësisë partiake "në të rinj" dhe "të vjetër". Nëse do të shihej në këtë mënyrë mund të ketë përplasje dhe kjo nuk i shërben as forcimit të PDsë dhe as frymës së gjithëpërfshirjes që kërkon kryetari Basha.
Sa mund ta dëmtojë kjo unitetin e partisë, ka rrezik për një krisje të PD-së? Mendoni se zoti Basha do të mund të ruajë atë unitet që u mbajt me aq fanatizëm nga zoti Berisha?
Uniteti i PD-së varet shumë nga përgjegjshmëria e strukturave drejtuese, respektimi i statutit, respektimi i mendimit alternativ për çështje të ndryshme dhe mbajtja e lidhjeve të vazhdueshme me bazën. Çdo tentativë për përçarje apo grupime me qëllim imponim të mendimit të tyre, nuk duhet të gjejë vend në PD. Vullneti i shumicës duhet respektuar. Në këtë kontekst, më mbetet të them se "shqetësimi" juaj duhet analizuar pas përfundimit të procesit zgjedhor në të gjitha nivelet. Personalisht jam e prirur të besoj se PD-ja dhe kryetari i saj jo vetëm që do të shmangin rreziqet e "krisjeve", por PD-ja do dalë edhe më e fortë, do të përcaktojë objektiva dhe strategji të qarta për rikthimin e të djathtës në pushtet.
Duke e parë nga jashtë si e shikoni opozitarizmin e së djathtës? Ka të meta në këto qëndrime?
Doni të thoni nga jashtë Parlamentit? Sepse jo vetëm si ish-deputete, por edhe si qytetare e përgjegjshme i ndjek me shumë vëmendje zhvillimet në vend ndonëse kam shumë angazhime të përditshme në fushën akademike dhe angazhime të tjera. Duke analizuar këtë periudhë kohore dhe çështjet delikate që mazhoranca ka trajtuar, duhet thënë se është bërë një opozitë e fortë dhe permanente. Arrogancës së pushtetit deri tani opozita i është përgjigjur me vendosmëri.
Debatet në gjyqësor, politika duhet të distancohet
Ish-deputetja e Partisë Demokratike, aktualisht pedagoge e së drejtës, kritikon përplasjet e ashpra në drejtësi, ndërsa pohon se këto debate të bëjnë të dyshosh fort se gjyqtarë të korruptuar dhe që abuzojnë me pushtetitn. Por Paulina Hoti shikon si zgjidhje debatin konstruktiv dhe qëndrimin e politikës larg këtij pushteti.
Krahas përplasjeve politike duket se kemi dhe përplasje edhe me të forta në drejtësi, mes KLD-së, Ministrisë së Drejtësisë, gjyqtarëve apo ministrit të Brendshëm. Si pjesë e këtij sistemi në profesion si e shikoni këtë situatë?
Mendoj se përplasjet në drejtësi paraqesin një rrezik serioz për shtetin ligjor veçanërisht kur kanë prapavijë politike. Nga një analizë e ftohtë që i bëhet iniciativave ligjore të ndërrmarra deri tani nga qeveria e majtë, nuk është e vështirë të konstatohen fillimet e shpërbërjes së shtetit të së drejtës. Mjafton të përmend këtu ndryshimin me Akt Normativ nga Ekzekutivi të një ligji për të cilin Kushtetuta parashikon miratim me shumicë të cilësuar nga Legjislativi. Për rrjedhojë, nëse përplasjet në drejtësi kanë për qëllim kthimin e pushtetit gjyqësor në shërbim të interesave të pushtetit ekzekutiv atëherë do të ndodhë një termet për shtetin ligjor dhe një kthim prapa me pasoja shkatërruese. Parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve është parimi bazë i funksionimit të shtetit të së drejtës në vendet demokratike. Do të kuptonit vetiu se cilat mund të jenë pasojat në funksionimin e shtetit nëse gjyqësori kthehet në noter të Ekzekutivit, ashtu si po bën Legjislativi.
Akuza e Presidentit Nishani se 'gjyqtarët e nisin ditën duke menduar për zarfin që do marrin' është tejet e rëndë, por ajo u pasua vetëm me një debat më të ashpër dhe jo me bashkëpunim për një reformë tërësore të shumëpërfolur. Sipas jush ku është problemi në gjithë këtë proces dhe cila do të mund të ishte zgjidhja?
Fillimisht duhet të pranojmë se gjyqësori shqiptar ka nevojë të rrisë besimin te publiku. Një gjyqësor që nuk gëzon besimin e publikut padyshim që ngjall debate dhe nxjerr në pah nevojën për reforma. Në fakt, diskutimet mbi rolin dhe gjendjen e gjyqësorit nuk lidhen drejtpërdrejt me mungesë të legjislacionit, ndërhyrje të pushteteve apo ndikime të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë nëpërmjet inspektorëve që kontrollojnë punën e gjyqtarëve. Nga ana tjetër, ndonëse janë të rregulluara me ligj çështjet e veprimtarisë së gjykatave dhe të organizimit të gjyqësorit, të statusit të gjyqtarit, të pavarësisë së brendshme si dhe raportet me pushtetet e tjera, çështja e pavarësisë së gjyqësorit në raport me pushtetin ekzekutiv dhe atë legjislativ mbetet kërkesë e vazhdueshme e faktorit të brendshëm dhe të jashtëm politik dhe profesional. Debatet aktuale hedhin dyshime të forta për mungesë profesionalizmi të disa gjyqtarëve, për abuzim me detyrën në interpretimin e ligjit si dhe për përhapjen e fenomenit të korrupsionit.
Problemi, për mënyrën sesi shtrohet, mbetet vetëm politik dhe nuk ngjall besim se ka për qëllim zgjidhjen e tij. Për mendimin tim, gjyqësori duhet të luajë rolin e tij vendimtar në shërbim të forcimit të shtetit të së drejtës dhe në garantimin e lirive dhe të drejtave të individit, dhe kjo duhet të përbëjë jo vetëm sfidën e gjyqësorit, por edhe të legjislativit, edhe të politikës. Tema e reformimit të gjyqësorit s'pushon së trajtuari nga profesionistë, nga analistë e nga politikanë por anjëherë nuk arrihet në receta të cilat të mund të shërojnë problemet e gjyqesorit. Pyetjet që duhet të ngremë në funksion të zgjidhjes janë: a jemi të zotët ne të gjejmë një recetë që të krijojë brenda në gjyqësor kulturën e ndëshkueshmërisë në rradhët e tij dhe në gjithë hallkat e tjera të shoqërisë?; një gjyqësor që synon zbatimin e ligjit dhe jo gjetjen e hapësirave interpretuese të tij për t'i lënë shteg abuzimit?; një gjyqësor me gjyqtarë që maten me shkallën e profesionalizmit, me rezultatet e punës dhe me besimin që ngjallin?
No comments:
Post a Comment