Godina historike e të djathtëve pritet të bëhet Gjykata Administrative e Apelit
Në godinën e vjetër vazhdon punën një organ tjetër i kësaj partie, gazeta “Rilindja Demokratike”
Në këtë godinë do të vendoset gjykata më e re që pritet të ngrihet në Tiranë

Beteja për godinën historike të selisë së PD-së mes qeverisë dhe bashkisë së kryeqytetit, duket se do të rikthehet sërish në qendër të debateve. Pas vendimit të qeverisë “Berisha”, që godina e vjetër, pas zhvendosjes së PD-së në selinë te SHQUP, të kalonte në pronësi të Bashkisë së Tiranës, duket se Këshilli Bashkiak i kryeqytetit pritet “t’i bindet” qeverisë së re për fatin e kësaj godine. Me sa duket në këtë godinë, e cila më herët ka funksionuar si ish-Drejtoria e Konvikteve të Shkollave të Mesme, do të vendoset gjykata më e re që do të ngrihet në Tiranë, Gjykata Administrative e Apelit. Ka qenë pikërisht një kërkesë e ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, që kjo godinë, ku për rreth 20 vite me radhë ka qenë nën zotërimin e të djathtëve, tashmë të jetë në funksion të dikasterit të drejtësisë. Do të jetë mbledhja e datës 30 prill e Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, ku kërkesa e kreut të Drejtësisë do të diskutohet dhe më pas do të kërkohet aprovimi i të gjithë anëtarëve të këtij këshilli, që kjo godinë të mos jetë më në kompetencën e bashkisë, por të qeverisë. Nuk dihet ende se si do të pritet ky vendim nga të djathtët, të cilët me fanatizëm ruajnë kujtimet e partisë së tyre që nga themelimi e deri në dorëzimin e drejtimit të saj në duart e kryetarit të ri, Lulzim Bashës. Konkretisht, në rendin e mbledhjes së këshillit bashkiak kjo godinë nuk është përcaktuar si ish-selia e PD-së, por si ish-Drejtoria e Konvikteve të Shkollave të Mesme të Tiranës. Këshilltarët e majtë, si dhe ata të LSI-së do
të kërkojnë aprovimin e të djathtëve në këtë këshill, në mënyrë të tillë, që kjo godinë që deri më sot nuk është përdorur në interesa të bashkisë së kryeqytetit, të kalojë nën kompetencën e Ministrisë së Drejtësisë. Ndonëse vendimi i Këshillit të Ministrave ka qenë se Bashkia Tiranë do ta përdorte godinën për interesa vendore, pra vetëm për punët e Bashkisë dhe jo të PD-së, ky vendim nuk hyri asnjëherë në fuqi. Aktualisht, që pas shpërnguljes së PD-së në selinë e re të saj, ish-shtëpinë Qendrore të Ushtrisë Popullore, në godinën e vjetër vazhdon punën një organ tjetër i kësaj partie, gazeta “Rilindja Demokratike”. Mospërdorimi i kësaj godine për interesa vendore të bashkisë, i ka lënë në këtë mënyrë rrugën e lirë qeverisë që me të drejtë të kërkojë që kjo godinë të kalojë nën kompetencat e saj.
Vendimi
Një muaj para largimit nga qeveria, ish-kryeministri Berisha miratoi vendimin për kalimin e godinës së ish-SHQUP në kompetencë të partisë që ai drejtonte./shqip
No comments:
Post a Comment