Sunday, April 27, 2014

Alarmohet Berisha, ILDKP nis hetimet per pasurite e tij te paligjshme


Titullari i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Shkëlqim Ganaj, trondit Sali Berishën dhe familjen e tij biologjike-klienteliste. Sali Berisha ka kërcënuar dje me grusht shteti dhe me skenarin e Ukrainës nëse Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive do të nisë hetimet për pasuritë e paligjshme të Shkëlzenit dhe Argitës. Berisha u ka bërë thirrje dje militantëve të tij të mobilizohen për t’u bërë barrikadë në mbrojtje të pasurisë së familjes së tij nga një hetim i mundshëm i Shkëlqim Ganajt. Ish-kryeministri ka paralajmëruar se do të destabilizojë vendin nëse ILDKP do veprojë mbi vilat e paligjshme të Argitës dhe Shkëlzenit.

Ndërsa kreu i ILDKP, Shkëlqim Ganaj, ka deklaruar se çdo pasuri e dyshimtë e denoncuar në media do të jetë objekt verifikimi, familja e Sali Berishës duket se është shumë e shqetësuar, për të mos thënë e tronditur, për fatin e pasurive që posedon, pas shkarkimit të Zana Xhukës nga ILDKP. Nuk dihet me saktësi nëse ka filluar apo jo një hetim për pasuritë e familjes së Sali Berishës, por ndërsa kërcënoi Edi Ramën me skenarin e Janukoviçit nëse fëmijët e tij shkojnë në prokurori për fshehje pasurie si gjyqtari Gjin Gjoni. Berisha ka folur për një takim prej 156 minutash midis Edi Ramës dhe Shkëlqim Ganajt, ku sipas tij janë bërë plane për të çuar në prokurori rrethin e tij familjar dhe klientelist për pasuri të paligjshme. “Rama në këtë takim i ka dhënë Ganajt listën e politikanëve dhe  deputetëve armiq ndaj të cilëve ILDKP duhet të ngrejë me çdo kusht padi në Prokurori për t’i përbaltur dhe listën e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe asaj Administrative si dhe gjykatësve të tjerë të listës, të konsideruar armiq nga klika e oligarkëve Rama-Meta për vendimet e tyre kundër vendimeve të qeverisë. Protesta dhe vetëm protesta është përgjigja ndaj Janukoviçit të Ballkanit”, ka deklaruar Berisha.

Takimi Rama-Ganaj 

Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur dje për një takim midis kryeministrit Edi Rama dhe kreut të ILDKP, Shkëlqim Ganaj. “Takimi prej 156 minutash Rama-Gani dhe asgjësimi i ILDKP. “Të dashur miq, klika e oligarkëve Rama-Meta, që në fillim kishin përcaktuar ILDKP si kalin e betejës së tyre për të vjedhur vetë dhe me suitën e tyre pa shqetësim, ditën dhe natën, pasuritë publike dhe legalizuar ato nëpërmjet saj. Ata gjithashtu kanë vendosur të përdorin ILDKP e tyre si armë lufte, trillimi, falsifikimi, presioni dhe përbaltje të kundërshtarëve të tyre. Në fillimin e javës që kaloi, në zyrën e Ramës u zhvillua një takim, që zgjati 156 minuta,  me kreun e ILDKP, Gani. Në këtë takim kërkesat ultimative të Ramës kanë qenë: falsifikimi i të gjitha deklaratave të pasurisë të Ramës dhe bashkëshortes së tij, me qëllim që të justifikohet ndërtimi i vilës me themele 57 m të gjerë, për të cilën nuk ekziston as dhe një fjalë për burimin e parave me të cilat po ndërtohet”, ka deklaruar Berisha.

Kërkesa 

Sipas Berishës, Rama i ka kërkuar Ganajt të pranojë falsifikimin e pasurisë së tij. “Falsifikim i çmimit nga i cili është blerë trualli i rezidencës së tij, pasi në dokumente ekzistonte deklarata qesharake sipas të cilës Rama e kishte blerë truallin me 2 $ m2 ndërkohë që në atë zonë çmimi i faktuar është 50 $ m2. Të pranohen dokumentet fallco për pallatin 5 katesh të Linda Ramës, për të cilin nuk ekziston asnjë faturë tatimore bankare që të faktoje origjinën e parave me të cilat është ndërtuar”, ka deklaruar Berisha.

Vilat në Farkë dhe Gjirin e Lalzit

Ka një humnerë mes deklaratave të pasurive të fëmijëve të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe pasurive që posedojnë në realitet ata. Në deklarata e saj të pasurisë, zonja Argita Malltezi ndër të tjera deklaron një gjysmë vile në Gjiri i Lalëzit me vlera 56 mijë euro. Pasi deklaron apartament 77 metra katrorë në Tiranë, apartament 95 m2 dhe garazh, apartament plus parking, 188 metra2, apartament 141 metra2, dyqan 33 metra katrorë, tokë tre mijë metra2, vlera gjashtë milionë lekë, apartament 120 metra2, apartament 200 metra2 etj., zonja në fjalë deklaron edhe një gjysmë vile. Në të vërtetë vila e Argitës në Gjirin e Lalzit është e plotë dhe kushton dhjetë herë më shumë se sa vlera e deklaruar. Ndërkaq, Argita posedon vila të tjera në Farkë bashkë me Shkëlzenin. Vila numër 9 B në kompleksin e vilave Garden në Farkë është në pronësi të Shkëlzen Berishën. /sot news/

No comments:

Post a Comment