Tuesday, April 29, 2014

16 muaj burg për vrasjen e mekanikut , tjeter skandal i drejtesise shqiptare

“Gjykata ka dhënë një dënim qesharak dhe skandaloz për vrasësin e tim shoqi. Nuk mund të pranoj dot faktin që një vrasës gjakftohtë të dënohet vetëm më 16 muaj burg”. Kështu thotë Naxhija, gruaja e Gëzim Karajt, i cili mbeti i vrarë pas një sherri banal me 28 gusht 2013. Autori Artenc Shehu, fillimisht u hetua me akuzën e vrasjes me paramendim, atë të vrasjes me dashje dhe më pas, gjykata e dënoi vetëm për vrasje nga pakujdesia. Drejtësia është “kujdesur” më së miri për këtë të pandehur, pasi edhe kërkesa e prokurorisë për dënimin përfundimtar të tij ka qenë e lehtë. Gjatë konkluzioneve përfundimtare, prokurori kërkoi dënimin e tij me tre vite burg, por duke qenë se i pandehuri kërkoi gjykim të shkurtuar, dënimi i shkonte në dy vite burg. Pavarësisht konkluzioneve të akuzës, gjykata mund të vendoste një tjetër masë dënimi, madje edhe më të lartë. Por, në fund të shqyrtimit gjyqësor, gjykata e dënoi këtë të pandehur vetëm dy vite burg, ndërsa si rrjedhojë e gjykimit të shkurtuar, ai u dënua përfundimisht me 16 muaj burg. Bashkëshortja e viktimës, Naxhije Karaj, në intervistën e dhënë për gazetën Shqip, shprehet mjaft e indinjuar ndaj dënimit të dhënë nga ana e Gjykatës së Tiranës, ndërsa deklaron se prokuroria nuk e ka marrë asnjëherë në pyetje, pavarësisht se ka qenë dëshmitare okulare. Ajo thotë se njerëzit e saj janë interesuar kur çështja ka qenë nën hetim, dhe hetuesit, me mendjemadhësi të madhe, i kanë thënë se autori mund të dënohej nga 1 deri në 10 vite burg. Naxhija apelon për drejtësi, të paktën në shkallët e tjera të gjyqësorit.
Gjykata e Tiranës dënoi autorin që vrau bashkëshortin tuaj. Si ju duket vendimi?
Skandaloz! Jam e shokuar për atë që ka ndodhur. Nuk arrij ende që ta kuptoj se si një vrasës të dënohet vetëm me 16 muaj burg. Ai ia mori jetën bashkëshortit tim me gjakftohtësinë më të madhe. Ai është vrasës dhe nuk mund të dënohet kaq pak.
Keni takuar ndonjë nga grupi hetimor?
Asnjë. Më vjen keq se askush nga organi i drejtësisë nuk ka ardhur që të më marrë në pyetje. Unë jam dëshmitarja okulare. E pashë ngjarjen nga dritarja dhe e di shumë mirë se çfarë ka ndodhur. Ndërkohë që askush nuk ka ardhur që të më pyesë për vrasjen e tim shoqi. Disa ditë më vonë, një nga këta të policisë erdhi dhe më pyeti. Ndërsa gjatë hetimeve, nuk trokiti kush në derën time, për të marrë vesh se çfarë kishte ngjarë. Madje, ata nuk na kanë njoftuar as për seancat gjyqësore. Ne jemi pala e interesuar. Dënimin e tij e mora vesh vetëm me anë të mediave.
Ju keni shkuar ndonjë herë në prokurori?
Jo. Kanë shkuar familjarët e tjerë. Ata kanë shkuar për të marrë informacion. Madje, një javë para se të jepej dënimi për vrasësin, prokuroi i çështjes i tha tim vëllai se Artenc Shehu mund të dënohej nga 1-10 vjet burg. Është qesharake që ai u dënua vetëm me 16 muaj. Nuk arrij ende që ta besoj.
Çfarë do bëni tani?
Unë jam një zonjë shtëpiake. Nuk është se i di shumë rregullat apo ligjet. Ishte Gëzimi ai që merrej me të gjitha problemet e shtëpisë. Gjithsesi, unë nuk do e lë me kaq. Do shkoj që ta apeloj vendimin e gjykatës. Vajzat u tronditën kur morën vesh se vrasësi i babait të tyre u dënua me aq pak muaj burg. Ato nuk po e kalojnë dot dhimbjen për vdekjen e të atit. Kanë qenë shumë të lidhura me Gëzimin. Unë jam një nënë e vetme, që tashmë duhet të mësohem që të bëhem e fortë për vajzat e mia. Ato janë adoleshente dhe kanë nevojë për shumë vëmendje. Njerëzit e mi nuk janë në Shqipëri dhe ndihem keq, sepse kam nevojë për ata.
Jeni takuar me familjarët e palës tjetër?
Jo, me asnjë. Nuk prisja që familja e asaj femrës të vinte për të më kërkuar falje për atë që ndodhi. Ata janë një familje e tillë që nuk mund të presësh asgjë. Madje kanë ikur nga kjo lagje. Nuk jetojnë më këtu. Nuk i kam parë dhe as që më intereson se ku kanë shkuar. Ndërsa familja e Artenc Shehut ka bërë përpjekje që të më takojnë. Unë nuk kam pranuar. Nuk kam asnjë arsye që t’i takoj.

Policia

Vrasja, ndodhi pas zënkës për gërvishtjen e makinës së stjuardesës

Artenc-ShehuMëngjesin e datës 28 gusht 2013, rreth orës 09:00, Gëzim Karaj, babai i dy fëmijëve, nis që të pastrojë disa dërrasa, të cilat i kishte përdorur për shtrimin e disa pllakave te dyqani i tij, në lagjen “Ali Demi” në Tiranë. Ai nuk ka mundur që t’i hedhë të gjitha në mbeturina dhe një pjesë të tyre i kishte vendosur në mes të rrugës, me idenë që t’i hidhte me radhë. Në këtë moment ka dalë me makinë një vajzë, që punonte stjuardesë në një kompani ajrore. Ajo ka nxjerrë automjetin nga parkingu, për të dalë në rrugën kryesore, por aksidentalisht është ndeshur me dërrasat e lëna në mes të rrugës të Gëzim Karajt. Nga incidenti i shkaktuar, dërrasat kanë gërvishtur pjesën e pasme të makinës. Kaq ka mjaftuar për të ndezur një sherr të ashpër mes pronares së automjetit dhe mekanikut. Ajo ka zbritur nga makina për t’i kërkuar llogari se përse dërrasat ndodheshin në mes të rrugës. Karaj i ka thënë se do t’i hiqte dhe nuk kishte asnjë qëllim që t’i bënte dëm, por ajo nuk është mjaftuar me kaq. Stjuardesa ka hedhur një lumë fjalësh ofenduese mbi të ndjerin. Së bashku me të ka qenë edhe nëna e saj, të cilat i kanë shkuar nga pas duke e ofenduar. Karaj e ka ruajtur qetësinë, duke i thënë që të mos shqetësoheshin për dëmin, se ai mund ta riparonte, pasi ishte mekanik automjetesh, ose në të kundërt mund t’ua paguante në vlerë monetare, por as në këtë rast fqinjët e viktimës nuk janë bindur. Ato kanë vazhduar me ofendime dhe pas disa minutash debat, Gëzim Karaj, ka humbur kontrollin dhe i ka ofenduar femrat. Më pas ato janë larguar dhe 60-vjeçari besoi që gjithçka kishte mbaruar me aq. Ai ka vijuar punën, kur disa minuta më vonë, në servisin e tij shfaqet një mashkull, rreth 30 vjeç. Ai prezantohet si i dashuri i stjuardesës dhe i kërkon llogari për fjalët fyese që kishte hedhur ndaj saj. Karaj i ka thënë se ato e kanë provokuar. Në debat e sipër, Artenc Shehu e ka qëlluar në vesh. Disa orë më vonë, Gëzim Karaj ka gjetur vdekjen./shqip

No comments:

Post a Comment