Saturday, June 8, 2013

Topi: “Fisnikëria tiranase” gjakosi bulevardin e Tiranës. Helikopterët e NATO-s po përdoren për pushime e terror



Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, deklaroi në një takim me banorë të njësisë bashkiake nr.3, se raporti i fundit i ODIHR ka ngritur ato shqetësime që ka edhe Fryma e Re Demokratike. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po operon me katër militantë partie,” tha Topi. Kryetari i FRD komentoi edhe titullin e marrë nga kryeministri Sali Berisha si “Fisnikëria Tiranase”. “Fisnikëria Tiranase nuk mund të jetë ai që gjakosi bulevardin e Tiranës,” tha Topi. “Turp për ata që ia kanë dhënë këtë titull. Edhe në fushën e mjekësisë ka shumë figura që duhet të nderohen të respektohen sepse një mjek përpara se të jetë profesionist duhet të jetë njeri human, është bazë e profesionizmit, humanizmi. Por çfarë mund të themi për tiparet humane të këtij njeriu që vetëm 2 vite më parë gjakosi Tiranën. Kur nën hundën e tij në mes të kryeqytetit lejoi vrasjen e njerëzve të pafajshëm dhe sot na meritoka titullin fisnikëria tironse”, vijoi ish- presidenti. “Tirana është e jona, asaj i kane mohuar identitetin historik, por jo personalitetin për t’i thënë kryeministrit ik se nuk na ke përfaqësuar asnjëherë”. Kreu i FRD tha se Berisha është në panik pasi sondazhet flasin për një sukses të Frymës së Re Demokratike. Topi ka komentuar edhe skandalin e përdorimit të helikopterit ushtarak për pushime dhe për të terrorizuar familjen e tij. “Unë nuk kam folur asnjëherë për këtë temë. As për pushimin nga puna të gjeneralëve. Shkarkimi i 3 gjeneralëve është i padrejtë, ata e kanë bërë punën e tyre. Por Shqipëria sot është një ndër 28 vendet anëtarë të NATO-s. Por me helikopterët e ushtrisë së NATO-s sot bëhen pushime. Përdoren për pushime dhe femra”, tha Topi. Kryetari i FRD-së preku çështjen e karrotrecave, e konsideruar si problem për qytetarët e Tiranës duke thënë se: “Karrotrecat janë urdhër që dy javë të mos i ngacmojnë qytetarët në rrugë për shkak të fushatës zgjedhore, dhe pastaj t’i rikthehen biznesit të karrotrecave”. Topi e mbylli fjalën e tij me thirrjen: “Mos e shpërdoroni të drejtën për të votuar, mos u gënjeni nga propaganda e shfrenuar, votoni FRD për një politikë të re dhe parlament të moderuar.

No comments:

Post a Comment