Saturday, June 8, 2013

Shefja e ODIHR: KQZ miratoi vendime me 4 vota, kur duheshin 5. Nuk e dimë si do certifikohen zgjedhjet



Shefja e misionit të ODIHR, Conny McCormak dallon çështjen e KQZ-së si një prej problematikave kryesore të përgatitjes së zgjedhjeve të 23 qershorit. Në një intervistë për Vizion Plus, ashtu si dhe në raportin e ndërmjetëm të publikuar një ditë më parë, Conny McCormak vëren se KQZ ka miratuar me 4 vota vendimet, të cilat kërkojnë një shumicë të cilësuar prej 5 votash. Por sipas shefes së misionit të ODIHR, shqetësimi kryesor për procesin është certifikimi i zgjedhjeve që nuk mund të bëhet nga një KQZ që ka vetëm 4 anëtarë. “Unë mendoj se ky është shqetësimi kryesor dhe ka të bëjë me mungesën e 5 anëtarëve në KQZ, në një kohë që 5 anëtarë kërkohen për të certifikuar rezultatin e zgjedhjeve. Aktualisht nuk kemi 5 anëtarë dhe ne kemi theksuar në raportin e ndërmjetëm se disa vendime janë marrë me 4 vota, edhe pse kërkonin një shumicë të cilësuar prej 5 votash. Kështu rruga është përcaktuar, por ato vendime nuk kanë të njëjtin nivel rëndësie si certifikimi i zgjedhjeve. Pra kjo është çështja si do të certifikohen zgjedhjet, a do të shkohet në Kolegjin Zgjedhor; dhe unë mendoj se kjo sjell shqetësim për procesin”. Një KQZ ku mungojnë një pjesë e përfaqësuesve të partive politike, sipas McCormak dëmton edhe besimin e publikut tek procesi zgjedhor dhe ky është në këndvështrimin e numrit 1 të misionit të vëzhguesve të ODIHR një tjetër shqetësim që mbart KQZ me 4 anëtarë. “Ky është shqetësimi më madhor. Publiku dhe partitë politike, të gjithë qytetarët shqiptarë kanë nevojë të kenë besim tek procesi dhe procedurat që janë ndjekur dhe miratuar nga KQZ, por ajo që është më e rëndësishmja, numërimi i votave duhet të jetë transparent në mënyrë që çdo qytetar të ndjejë se vota e tij do të numërohet. Numërimi është çështja më e rëndësishme, por mbetet për t’u parë. Tani për tani unë mendoj se njerëzit janë penguar për të ndjerë nivelin e duhur të besimit me një KQZ që nuk është e balancuar me parti të tjera politike”. Conny McCormak paralajmëron se raporti përfundimtar për zgjedhjet nuk do të jetë bardh e zi, pasi metodologjia e përdorur nga ODIHR nuk lejon përcaktime të tipit zgjedhjet ishin të lira ose jo, ishin të ndershme ose jo, por këndvështrimi do të jetë më i gjerë. “Unë mendoj se njerëzit duhet ta kuptojnë se nuk do të ketë një raport bardh e zi, ne do të themi këto komponentë janë ok, këto kanë nevojë për përmirësime dhe sigurisht do të bëjmë edhe rekomandime”. Ndryshe nga proceset e tjera zgjedhore, misioni i ODIHR nuk do të nxjerrë raport tjetër të ndërmjetëm, por do të ketë një deklaratë një ditë pas zgjedhjeve, dhe më pas raporti përfundimtar që publikohet 8 javë pas ditës së votimit.

No comments:

Post a Comment