Monday, June 10, 2013

Letra e Unionit te Gazetareve Shqiptare drejtuar kryetares se KQZ-se Lefteri Lleshi: “Të anulohet vendimi për transmetimin e kastetave nga partitë”



Unioni i gazetarëve i ka dërguar një letërankese kreut të KQZ-së, Lefterie Lleshi dhe Avokatit të Popullit, Igli Totozani ku i kërkojnë anulimin e vendimin për transmetimin e kasetave bruto nga forcat politike. Më posshtë, letra e plotë:

E nderuar zonja Kryetare,
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë , organizata më e madhe e gazetarëve profesionistë të vendit, prej ditësh ka ndërmarrë një inkursion denoncimesh publike dhe institucionale ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të datës 03.06.2013: “Për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në radiotelevizionin privat bazuar në materialet e vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore”. Në këtë vendim ndër të tjera në pikat a dhe c specifikohet si më poshtë: a)Informacionet mbi aktivitet e fushatës zgjedhore, që përgatiten dhe transmetohen në edicionet informative bazuar në materiale të vëna në dispozicion nga subjketet zgjedhore, duhet të identifikohen qartë. Ndërsa në pikën c shtohet:”Ne rast se operatori refuzon të transmetojë materialet e përgatitura nga vet subjekti zgjedhor, operatori njofton menjëherë dhe i’a vë në dispozicion menjëherë Bordit të Monitorimit te Medias këto materiale për ti verifikuar. Bordi i Monitorimit të Medias vlerëson materialin dhe i propozon raportin përkates për miratim KQZ-së brenda 12 orëve. BMM nëse vlerson se materiali plotëson kriteret teknike i propozon KQZ-së transmetimin e materialit nga operatori, në përputhje me rregullat e Kodit Zgjedhor dhe akteve të KQZ-së. BMM nëse vlerëson se ky material nuk i plotëson kriteret teknike i propozon KQZ-së kthimin e materialit subjektit zgjedhor. KQZ merr vendim brenda 24 orëve në lidhje me propozimin e BMM. BMM monitoron zbatimin e vendimit të KQZ-së.”
Zonja kryetare e KQZ-së,
Këto dy pika të këtij vendimi të firmosur prej jush, shprehin një akt që cënon drejtpërdrejtë një nen të Kushtetutës për të drejtën për informim dhe për t’u informuar.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e denoncon këtë vendim si më absurdin dhe si një dokument zyrtar i cili u heq atributin mediave dhe reporterëve për të raportuar drejtëpërsëdrejti nga mjedisi dhe realiteti elektoral, duke i shndërruar partitë politike edhe në institucione të prodhimit të lajmit dhe servirjes së imponuar mediave profesioniste të vendit. Ky vendim i cili, sipas informimit tonë para se të kalohej në KQZ, është miratuar vetëm nga katër prej shtatë anëtarëve të Bordit të Monitorimit të Mediave pranë KQZ-së, konsiderohet prej nesh një precedent i rrezikshëm dhe fyes për gjithë komunitetin e gazetarëve profesionistë të Shqipërisë.
Me autoritetin tuaj ligjor, ne kërkojmë që të ndërhyni për t’u ndalur fuqia vepruese e këtij vendimi pasi ai bie ndesh me dispozita të Kushtetutës së Shqipërisë.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh besimin se ju si drejtuese e institucionit kryesor të zgjedhjeve do të reagoni pa humbur kohë dhe do të ndërmerrni të gjitha veprimet ligjore, që ky vendim të mos ketë fuqi vepruese përgjatë ditëve të mbetura të fushatës zgjedhore të vitit 2013. Ne jemi të bindur se lënia në fuqi e këtij vendimi, do të shkaktojë një reagim të organizatave ndërkombëtare që merren me mbrojtjen dhe vlerësimin e lirisë së shtypit dhe të mediave në vend si dhe në indekset e tregueshmërisë së lirisë dhe pavarësisë së mediave, vendi ynë rrezikon të pësojë rënie tronditëse.

Zoti Avokat i Popullit,
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e konsideron betejën për refuzimin dhe anulimin e këtij vendimi të KQZ-së si një cështje themelore të lirisë dhe integritetit të mediave dhe gazetarëve në vend. Për këtë shkak përpjekjet dhe reagimet tona nuk do të rreshtin, pasi ajo lidhet me kauzën e lirisë dhe së drejtës sonë profesionale.

Me besimin dhe urimet më të mira për ju
Aleksandër Çipa
Kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

No comments:

Post a Comment