Friday, June 14, 2013

Sondazhi i Piepoli: E majta merr 73 mandate, e djathta 66 mandate, FRD 1 mandat





Brenda koalicionit të majtë, LSI merr plot 9 mandate, kurse në koalicionin e djathtë, PDIU merr tre mandate  

Instituti italian i sondazheve, Piepoli, ka publikuar sondazhin e radhës, të fundit për këto zgjedhje. Sondazhi është organizuar me 1000 persona të pyetur përmes telefonit. Fillimisht, ata janë pyetur se si e imagjinojnë Shqipërinë pas 5 vitesh. Shumica e shqiptarëve thonë se vendi do të jetë më mirë, kurse pakica mendojnë se gjërat nuk do ndryshojnë. Të pyeturit mendojnë se më shumë do përmirësohet mënyra e jetesës, ndërkohë që më pak besojnë se do përmirësohet mundësia për të gjetur punë. Sa i përket papunësisë, 43 përqind e shqiptarëve mendojnë se ajo do rritet vitin që vjen, ndërkohë që 38 përqind thonë se do ulet.
Ndërsa 41 përqind mendojnë se vitin që vjen do ketë prosperitet ekonomik, kurse 34 përqind thonë se do ketë vështirësi ekonomike.
Shqiptarët besojnë më shumë tek mësuesit, që janë në krye të listës së besueshmërisë me 64 përqind. Më pas vijnë gazetarët me 59 përqind, liderët e komuniteteve fetare me 53 përqind dhe forcat e rendit me 51 përqind. Në fund të listës janë gjykatat me 28 përqind, politika me 26 përqind dhe sindikatat me 18 përqind.
Të pyetur se cilat kategori personash kanë më shumë pushtet në Shqipëri, 86 përqind thonë politikanët. Më pas të dytët në listë me vetëm 16 përqind janë investitorët. Në vend të tretë me 9 përqind janë avokatët. Të pyetur se çfarë karakteristikash duhet të ketë një politikan, të pyeturit listojnë si të parën ndershmërinë. Më pas vjen serioziteti, saktësia dhe afrësia me njerëzit. Në fund është pavarësia. 71 përqind e të pyeturve thonë se lideri që kanë zgjedhur të votojnë i përmbush këto cilësi. Të pyetur për orientimin e votës, 42.5 përqind thonë se do votojnë për koalicionin e djathtë. PD është parti e parë në koalicion me 38 përqind të votave. Më pas vijnë PR e PDIU me nga 1.5 përqind të votave. Kurse koalicioni i majtë merr 51 përqind të votave. Në krye është PS me 42.5 përqind të votave, më pas vjen LSI me 5.5 përqind të votave. FRD merr 3.5 përqind të votave dhe AK merr 2.5 përqind të votave. E përkthyer në mandatë, koalicioni i djathtë merr 66 mandate. PD merr 62 mandate, PR merr 1 mandat, kurse PDIU merr 3 mandate. Koalicioni i majtë merr 73 mandate. PS merr 66 mandate, LSI merr 9 mandate dhe një mandat shkon për një tjetër parti të opozitës. FRD merr një mandat kurse AK nuk merr asnjë mandat. Sa i përket qarkut të Tiranës, koalicioni i djathtë merr 42 përqind të votave, ose 14 mandate. Nga këto, 13 mandate i ka PD, 1 PDIU. Kurse koalicioni i majtë merr në qarkun e Tiranës 51.5 përqind të votave ose 17 vende në Kuvend. Nga këto, 15 mandate janë për PD-në dhe 2 për LSI-në. FRD-ja merr një mandat në Tiranë

No comments:

Post a Comment