Qeveria dhe mbarë politika
jonë kanë qenë dhe mbeten të interesuara dhe të angazhuara (për dhe kundër) për
realizimin sa më parë dhe konkretisht të marrëveshjes në mes të Kosovës dhe
Serbisë së 19 prillit. E cilësuar përgjithësisht, qysh ditën e firmosjes së saj
nga kryeministrat e të dy shteteve në Bruksel, marrëveshja përjetoi
kundërshtime dhe mospranime nga faktorë të njohur politik, më shumë në Beograd sesa në Prishtinë. Natyrshëm, politika “noton” në
kohë dhe në hapësirë. Ndryshimi në hapësirë dhe jo në kohë, mes Prishtinës dhe
Beogradit, ndoshta ka ndihmuar edhe në miratimin e menjëhershëm të marrëveshjes
së Brukselit nga Qeveria e Kosovës. Në këtë përfundim, që është disi universal,
është shmangur roli i aktorëve dhe faktorëve etnikë e nacionalë, që dihet se
janë më të konsoliduar, më të fuqishëm dhe më veprues në Serbi sesa në Kosovë.
Duke gjykuar parashtrimin e mësipërm, mund të them se zhvillimet aktuale në
raportet e Kosovës dhe Serbisë, pas bisedimeve të Brukselit, kanë qenë të
paanshme dhe rreptësisht objektive. Dihet se BE-ja ka më shumë interesa
politike, ekonomike, historike dhe strategjike të mbështesë dhe ta përkrahë
Serbinë. Kosova, viktimë e Fuqive të Mëdha të Evropës, vështirë të konsiderohet
e barasvlefshme me Serbinë në rrafshet e mësipërme edhe aktualisht. Kurrsesi
nuk mund të vihet në dyshim kontributi i vendeve evropiane, në kuadër të
NATO-s, për çlirimin e Kosovës nga Serbia . Por zhvillimet historike të
dy dekadave të fundit e kufizojnë dhe e “detyrojnë” BE-në institucionale të
shfaqet e “paanshme”, e ekuilibruar për rregullimin e raporteve Kosovë - Serbi.
Implementimi i marrëveshjes së 19 prillit, që tashmë është i miratuar nga
Prishtina dhe Beogradi, ngeci në Samitin e Ohrit. Tri shtete e refuzuan
pjesëmarrjen në samit për arsye të mospranisë së Republikës së Kosovës në të.
Bullgaria e ç’vlerësoi me nivelin e delegacionit, kurse Greqia se “nuk kishte
kohë”. Këto zhvillime e detyruan presidentin maqedonas Gjorgje Ivanov ta
anulojë mbajtjen e samitit!? Në konferencën për shtyp Ivanov tha se vetoja dhe
bojkotimi i tre presidentëve tregon se nuk ka bashkëpunim rajonal. Ishte
Ivanov, që nuk e fitoi presidenten e Kosovës në Ohër, ishte po ai që, në vend
se të kërkonte falje për shkeljen flagrante të marrëveshjeve të njohura
ndërkombëtarisht mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë, e hedh fajin te
ndasitë e thella mes shteteve të ish-Jugosllavisë apo dhe ato të vende të
Evropës Juglindore. Megjithatë, përgjigjja u dha shumë shpejt botërisht dhe
qartësisht. Në datat ku duhej të zhvillohej Samiti i Ohrit (1 e 2 qershor )
Sllovakia shpalli organizimin e Samitit të Vendeve të Evropës Qendrore dhe
Juglindore më 12 e 13 qershor, duke u ftuar edhe presidentja e Republikës së
Kosovës. E paftuara nga kryetari i një shteti ku shqiptarët janë faktorë
shtetformues, ftohet nga kryetari i një shteti, që ende nuk e njeh pavarësinë e
Kosovës. Dihet, por vlen të rithuhet, Sllovakia është edhe anëtare e BE-së. Pse
ndodh kështu? Ndoshta është shpejt për të arsyetuar rreth Samitit të
Sllovakisë, por jo vonë për të gjykuar për anulimin e Samitit të Ohrit. Anulimi
i Samitit të Ohrit meriton vëmendjen dhe gjykimin vlerësues të politikës sonë.
Partitë kanë hapësira të pafundme shikimi dhe gjykimi: mund të arsyetojnë dhe
konkludojnë nisur nga fillimi, por pyetja mbetet e vetme për të tërë: cili e
anuloi Samitin e Ohrit, Ivanovi, vendet që anuluan pjesëmarrjen në të, BE-ja
apo statusi i Republikës së Kosovës, i njohur ndërkombëtarisht?! Le t’i
analizojmë të gjitha mundësitë dhe le të mundohemi të ndajmë se kush ka “faj”.
Ka “faj” marrëveshja e nënshkruar në Bruksel; ka “faj” miratimi i saj në
Prishtinë dhe në Beograd; ka “faj” Thaçi dhe Daçiqi, firmosësit guximtarë sipas
baroneshës Ashton; apo ka “faj” Ivanov, presidenti maqedonas, që ende nuk e ka
gjetur gjuhën me Greqinë për emrin e shtetit? Mungesa e realizmit, e orientimit
dhe e gjykimit për arsye fizike dhe fiziologjike nuk mund t’i nënshtrohet
kritikës. Por, përballja me fakte me peshë për kohën që jetojmë dhe, sidomos me
një samit, ku ishin pjesëmarrës njëmbëdhjetë shtete dhe që anulohet katër ditë
para fillimit, për mosthirrjen e shtetit të Kosovës në të, meriton të gjykohet
e vlerësohet në favor të Kosovës shtet, si faktor në Ballkan dhe që synon,
aspiron dhe meriton të jetë anëtar i barabartë i Bashkimit Evropian.
(Autori
është nënkryetar i parë i Kuvendit të Republikës së Kosovës)
No comments:
Post a Comment