
Jakup Krasniqi ka vendosur përfundimisht të largohet nga Partia Demokratike e Kosovës dhe të themeloj një pari të re politike.
Ish-sekretari i PDK-së, aktualisht kryetar i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka pranuar opsionin e krijimit të një partie të re politike.
Në emisionin Rubikon të KTV-së, Krasniqi ka pranuar se nuk ka vend në partinë të cilën vetë e kishte themeluar. Madje, ai thotë se të ardhme në PDK nuk ka askush që dëshiron ndryshime demokratike në Kosovë. Ndërsa, është i bindur se me këtë strukturë partia e Thaçit e ka të vështirë t’i fitojë zgjedhjet.
Ai ka pranuar se ka nisur bisedimet me shumë njerëz, por edhe me të pakënaqurit brenda PDK-së dhe partive të tjera, për idenë e krijimit të një subjekti të ri politik.
Krasniqi thotë se shumë shpejt do të bëjë publik vendimin e tij, pasi këtë e ndjen se ia ka borxh t’ia sqarojë opinionit.
E sa i përket Fatmir Limajt, thotë se me të do të bisedojë për këtë çështje pasi ai të lirohet.
Ai thotë se asnjëherë nuk ka menduar për vetën e tij, sepse po të mendonte nuk do të shprehej haptas dhe nuk do të luante rolin e opozitës karshi qeverisjes së Hashim Thaçit.
“Humbës apo fitues, varet se si e shikon... unë jam fitues dhe në këto momente ia vlen të jesh edhe fitues moral”, ka thënë Krasniqi.
Sipas të parit të Kuvendit, liderëve të të gjitha partive politike nuk po iu konvenojnë reformat zgjedhore, pasi po iu pëlqen që t’ iu jepet mundësia komisioneve që të përzgjedhin vetë kandidatët për deputetë, e të cilët janë të preferuarit e vetë krerëve të partisë.
Ai ka kritikuar punën e qeverisë, madje ka akuzuar edhe për manipulimin e parasë publike.
“Problemet nuk kam dashur t’i shikoj me interesin tim e as te subjektit, partia kur merr shumicën ka obligim për të gjithë qytetarët. E sidomos në ruajtjen e pasurisë kombëtare të vendit sikur të ishte e vetja. Ka përgjegjësi për menaxhim të mirë të parasë publike dhe të jetë në shërbim të qytetarëve të saj. Ajo duhet të ketë politika të qarta fiskale. Unë mendoj se paraja publike dhe pasuria publike nuk po shfrytëzohet si duhet, shumë çka është grumbulluar në duar të njerëzve të paditur”, ka thënë në “Rubikon” Krasniqi.
Duke potencuar se diçka nuk është në rregull, Krasniqi ka thënë se po të funksiononte pushteti i tretë – drejtësia, shumë kush do të përgjigjej për këtë dhe do të tregonte çka ka ndodhur vërtet brenda këtyre viteve.
I pari i Kuvendit ka kritikuar edhe procesin e privatizimit dhe shitjen e aseteve shtetërore, duke thënë se Qeveria më shumë e ka mbajtur anën e blerësit, sesa të qytetarëve të saj.
Ndërsa e ka quajtur antikushtetues mënyrën e trajtimit të “Trepçës”.
“Ideja dhe përpjekjet për të privatizuar Trepçën janë kundër kushtetutës, madje edhe lënia e saj nën menaxhimin e një agjencie është shkelje e aktit me të lartë ligjor. Pasuria kombëtare e një shteti nuk mund t’i lihet një agjencie, e cila edhe ashtu ka shumë parregullsi”.
E për të gjitha këto Krasniqi e bënë përgjegjës kryeministri Thaçi, për të cilin thotë se i merr të gjitha vendimet pa një debat të mirëfilltë./Ekspress
No comments:
Post a Comment