Kandidati i partisë Fryma e Re Demokratike për
qarkun e Fierit, Mithat Hoxha, është rrahur me mjete të forta nga persona të
paidentifikuar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Roskovec rreth orës 23:00 të
mbrëmjes së djeshme. E shoqja e Hoxhës, Liljana, thotë se ata nuk kanë konflikt
me asnjë person, ndaj ngjarja ka motive politike. Ajo thekson se pas plagëve të
marra, i shoqi ka përfunduar në spital. Sipas saj, i shoqi ka marrë kërcënime
edhe më parë. “E kanë kërcënuar në shtëpi para dy javëve, na kanë ardhur në
shtëpi. Më thanë që do ta vrasin mos të vijë më në fshat, punë partie.
Kandidonte në Roskovec”, tha bashkëshortja e Hoxhës me lot në sy. Ndërsa Shezai
Çobaj, kryesuesi i listës së FRD në Fier pohon se Mithat Hoxha i ka njohur
autorët. “Por ai nuk flet dot për shkak të gjendjes shëndetësore”, tha Çobaj.
Sipas tij, Mithat Hoxha ka marrë kërcënime
nëpërmjet telefonit madje ka bërë dhe denoncim në polici rreth kërcënimeve.
Pas ngjarjes së rëndë, FRD ka dalë me një
deklaratë zyrtare ku thekson se ky është një akt kërcënues për jetën dhe
integritetin e procesit zgjedhor në Fier. “FRD kërkon publikisht nga Policia e
Shtetit të marrë të gjitha masat e nevojshme për të vendosur përpara drejtësisë
personat përgjegjës. Policia e Shtetit duhet të mbajë dyfish përgjegjësi për
zyrtarët lokalë, të cilët kanë injoruar denoncimet e zotit Hoxha për presione
të vazhdueshme nominale për shkak të aktivitetit të tij politik dhe elektoral.
Në një shtet të së drejtës, të gjithë ata janë njësoj përgjegjës si edhe ata që
kanë kurajën të godasin një qytetar të lirë, një politikan dhe një person
publik, ndaj FRD zotohet publikisht se do të ndërmarrë çdo hap institucional
për të vendosur përpara ligjit të gjithë ata që e kanë shkelur atë, që kanë
nxitur krimin dhe që e kanë realizuar atë,” thuhet në deklaratën e FRD./ep
Topi
Kreu i FRD-së, Bamir Topi, ka denoncuar gjatë
një konference për shtyp aktin kriminal në Roskovec, ku është dhunuar
brutalisht kandidati i FRD për deputet dhe kryetari lokal, Mit’hat Hoxha.
“Si ish- president dhe politikan i
përgjegjshëm nuk kam prirje të akuzoj asnjë forcë politike për këtë akt të
rëndë, sepse ajo që ka shumë rëndësi është roli i institucionit të shtetit, por
kam të gjithë të drejtën t’i kërkoj partisë në pushtet ta dënojë atë dhe të
distancohet menjëherë nga çdo zyrtar apo familjar i tyre, autorë të dhunës. Ngjarja
kriminale bëhet më e rëndë kur mësojmë se Policia e Shtetit ende nuk ka bërë
asnjë hap hetimi dhe arrestimi për autorët e krimit. Ky është një zhvillim
shqetësues, një mesazh negativ në fushatën elektorale dhe një tregues se krimi
politik me suport shtetëror po tenton të inkriminojë zgjedhjet parlamentare”,
ka thënë Topi. Sipas tij, autorët përgjegjës duhet të përballen menjëherë me
ligjin dhe Policia e Shtetit duhet të marrë përsipër detyrën kushtetuese dhe
ligjore për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë dhe për garantimin e integritetit të
procesit zgjedhor dhe të kandidatëve, pavarësisht cilës force i përkasin. “Duke
uruar shërim të shpejtë për zotin Hoxha dhe duke i qëndruar pranë familjes së
tij, FRD deklaron publikisht se asnjë akt kriminal, asnjë kërcënim dhe asnjë
shantazh nuk na ndalon në përpjekjet tona për të rikthyer standardet e shtetit
të drejtës dhe demokracisë në Shqipëri.
Koha e krimit politik ka mbaruar bashkë me atë
që e ka ushqyer dhe e mban akoma gjallë”, tha Topi. “I drejtohem drejtpërdrejt
atij që e ka për detyrë, sipas ligjit dhe Kushtetutës, të garantojë proces të
lirë dhe të ndershëm, që përpara se të japë premtime për 4 vjetët e ardhshëm, të
garantojë identitetin dhe integritetin. Ne nuk e fokusojmë vëmendjen tek
pushteti, por tek shteti, që është për të gjithë qytetarët. Ky pushtet që
vepron me falanga të tilla, t’i vërë gishtin kokës se jemi në një situatë që
nuk i nderon institucionet e Shqipërisë, por na vë një njollë të zezë përpara
ndërkombëtarëve”, përfundoi Topi.
Policia
Policia e Fierit, duke reaguar për dhunën
barbare ndaj kandidatit të FRD-së në Roskovec, Mit’hat Hoxha, ka larguar çdo
përgjegjësi, duke thënë se nuk ka marrë asnjë denoncim. Kjo, edhe pse
bashkëshortja e Hoxhës dhe FRD, kanë thënë se ai ishte kërcënuar disa herë. Policia
ndërkohë nuk është ndaluar me kaq, por ka akuzuar Hoxhën se nuk ka dhënë asnjë
shpjegim, edhe pse ky i fundit është në një gjendje të rëndë, pas dhunës së
pësuar. “Me datë 09.06.2013 rreth orës 23.45, në Sallën Operative të Drejtorisë
së Policisë Qarkut Fier është marrë njoftim nga Spitali Rajonal Fier për një
shtetas që kishte shkuar në urgjencë i goditur. Menjëherë me marrjen e
njoftimit, në Spitalin Rajonal Fier kanë shkuar forcat policore të Drejtorisë
së Policisë Qarkut dhe nga veprimet e para ka rezultuar se personi i dëmtuar
ishte shtetasi Mit’hat Hoxha, 50 vjeç, banues ne Roskovec. Nga deklarimet e
mjekëve, ky shtetas është goditur me grushte dhe ndodhet i shtruar në spital
jashtë rrezikut për jetën. I dëmtuari mbrëmjen e djeshme dhe ditën e sotme nuk
i ka dhënë asnjë shpjegim policisë për ngjarjen, me arsyen se ndihej i
turbulluar dhe nuk mund të jepte shpjegime për momentin. Në lidhje me
pretendimet e FRD dhe familjareve të të dëmtuarit, se personi në fjalë është
kërcënuar dhe për këtë është vënë në dijeni Policia e Shtetit, Drejtoria e
Policisë së Qarkut Fier shpreh keqardhjen, pasi nuk ka pasur asnjë denoncim të
mëparshëm nga shtetasi Mit’hat Hoxha, në Policinë e Qarkut Fier. Drejtoria e
Policisë së Qarkut Fier në bashkëpunim dhe me Prokurorinë e Rrethit Fier,
menjëherë me marrjen e njoftimit, që mbrëmjen e djeshme ka nisur hetimet dhe
është duke punuar për zbardhjen e ngjarjes, motivet e saj, identifikimin dhe
kapjen e autorëve”, thuhet në njoftimin e policisë.
No comments:
Post a Comment