Kryesuesja e misionit vëzhgues
ndërkombëtar të OSBE/ODIHR, duke folur për DW, thotë se certifikimi i
rezultatit të zgjedhjeve kërkon shumicë të cilësuar në Komisionin Qendror të
Zgjedhjeve. Ajo e vë theksin tek ngërçi i krijuar në KQZ, për të cilën thotë se
ka marrë disa vendime që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe po ecën drejt
skadimit të afateve të tjera ligjore që kërkojnë shumicë të cilësuar.
Znj. McCormack, zbatim i kuadrit
ligjor të Shqipërisë për zgjedhje demokratike, është një nga drejtimet e vëzhgimit
të misionit të OSBE/ODIHR-it, të drejtuar prej jush për zgjedhjet parlamentare
të 23 qershorit. A janë zbatuar ligjet deri tani? Mund të ilustroni opinionin
tuaj me gjetjet nga misioni vëzhgues?
Conny McCormack: Ne
vëzhgojmë kuadrin ligjor në tërësi, cilat ligje po zbatohen që procesi zgjedhor
të funksionojë si dhe sa zbatohet ligji në vendimet e Kolegjit Zgjedhor. P.sh.
në rastin kur KQZ nuk ishte i aftë të merrte vendimin për numrin e Komisioneve
të Zonave të Administrimit Zgjedhor, atëherë këtë vendim e mori vetë Kolegji
Zgjedhor. Ndërkohë ligji thotë që Kolegji Zgjedhor duhej t’i kërkonte përsëri
KQZ ta merrte ai vendimin. Ky rast si edhe të tjera, që janë paraqitur në
raportin paraprak të Misionit Vëzhgues Zgjedhor të OSBE/ODIHR-it, tregojnë se specifikat
e ligjit në disa nivele ose tejkalohen ose nuk zbatohen në përputhje me atë që
thotë ligji. Çështje të tjera, si pjesë e kuadrit ligjor, janë ato lidhur me
fushatën elektorale: ka një lloj mjegullimi të kufijve, të përcaktuara me ligj,
në marrëdhëniet mes politikes dhe shtetit. Kuadri ligjor përfshin të gjitha
aspektet e zgjedhjeve. Në pjesën e tyre më të madhe, në përgjithësi, ato po
ecin mirë. Por ka disa që nuk ecin dhe mendoj që disa herë njerëzit
përqendrohen pikërisht tek ato, por nuk duhet humbur “pamja” si një e tërë,
“peizazhi” në tërësi, pasi ajo ka rëndësi në kuptimin e procesit. Kur misioni i
vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it të bëjë vlerësimin përfundimtar do të
shikojë pikërisht “gjithë pamjen”. Në këtë “pamje” ka shumë rëndësi numërimi i
votave, sa transparent, i saktë dhe i ndershëm është numërimi. Ka disa aspekte
lidhur me numërimin e votave që mendojmë se duhen riparë dhe që ne do t’i bëjmë
të njohura në vijim të punës sonë.
Pra, kuadri ligjor për zgjedhjet
në përgjithësi po zbatohet?
Conny McCormack: Po përsëris që zbatimi i ligjit është një punë
jashtëzakonisht e madhe. Në kuptimin e çuarjes para të procesit zgjedhor ka
disa afate ligjore që nuk janë respektuar dhe kjo nuk është në përputhje me
ligjin. Por në përgjithësi mund të them që procesi zgjedhor duket se po shkon
përpara brenda një kuadri ligjor të arsyeshëm.
Misioni juaj ka shprehur
shqetësim për situatën në KQZ, konkretisht lidhur me aftësinë e tij për të
administruar zgjedhjet sipas ligjit apo për raste kur vendimeve të tij u mungon
një “motivim i saktë ligjor”. A mund të ndikojë kjo situatë në besueshmërinë e
procesit zgjedhor dhe standardet për zgjedhje demokratike, të cilat për
Shqipërinë janë kushti kryesor për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në
BE?
Conny McCormack: Situata në
KQZ është në mendjen e të gjithëve dhe në media prej shumë javësh, por ajo nuk
ka ndryshuar: në vend të 7 anëtarëve që duhet të ishin janë vetëm katër që i
përkasin të njëjtës parti politike. Kjo situatë, ashtu si e kemi vënë në dukje,
po ndikon në vendimmarrjen e deritanishme, pasi disa vendime, në bazë të
ligjit, duhet të merren me pesë anëtarë që bien dakord ose ndryshe të merren me
shumicë të cilësuar dhe jo me një shumicë të thjeshtë. Në raportin tonë
paraprak, kemi theksuar se kjo kërkesë e ligjit nuk është zbatuar disa herë,
pasi KQZ nuk ka pesë anëtarë dhe ka marrë vendime që kërkojnë shumicë të
cilësuar duke përdorur justifikime racionale sipas të cilave është në rregull
marrja e vendimeve me 4 anëtarë. Gjithsesi ligji është shumë i qartë dhe mendoj
që çështja për ne dhe këdo tjetër është që zgjedhjet po afrohen dhe vendimi se
kush do t’i fitojë ato, certifikimi i rezultatit kërkon qartësisht një shumicë
të cilësuar prej pesë anëtarësh. Ky është thelbi i çështjes. Pra, ka disa
vendime që kërkojnë shumicë të cilësuar prej pesë votash, por më i rëndësishmi
prej tyre, që është në mendjen e gjithkujt, është certifikimi i rezultatit.
Ndërsa lidhur me rastet kur vendimeve të KQZ u mungon motivimi ligjor dëshiroj
të sjell si shembull rastin e vendimit për rikompozimin e 89 KZAZ-ve. Ligji
është i qartë, ai parashikon një listë të gjatë arsyesh për të ndryshuar
anëtarësinë e këtyre komisioneve. Por aty nuk përfshihet asnjë arsye ligjore
për rikompozim të Parlamentit. Por Parlamenti u rikompozua kur Lëvizja
Socialiste për Integrim kaloi në koalicionin tjetër. 9 KZAZ me urdhër të KQZ u
rikompozuan dhe anëtari i Partisë për të Drejtat e Njeriut u largua dhe u
zëvendësua me një anëtar nga Partia Republikane. Ky është një shembull i një
vendimi që nuk ka motivim ligjor dhe që tregon se pas tij ka motive politike.
Natyrisht që KQZ duhet të funksionojë, askush nuk dëshiron që ky komision të
ndalojë së funksionuari, ju doni të bëhen zgjedhjet dhe ato nuk mund të bëhen
pa një strukturë drejtuese si KQZ, për këtë nuk ka alternativë tjetër. Por
misioni ynë ka paraqitur faktin që KQZ ka marrë disa vendime që kërkojnë
shumicë të cilësuar dhe po ecën drejt skadimit të disa afateve të tjera ligjore
që kërkojnë shumicë të cilësuar. Dhe nuk do të arrijë t’i kapë këto afate nëse
kompozimi i KQZ nuk përshpejtohet në kohën që ka mbetur deri në 23 qershor.
Shqipëria, Znj. McCormack ka një
të kaluar zgjedhjesh të kontestuara. Veç situatës në KQZ, misioni juaj ka
gjetur shqetësuese në raportin paraprak edhe polarizimin politik apo mungesën e
besimit mes dy partive kryesore PD-PS. Të gjitha së bashku a mund të çojnë
përsëri në kontestim të rezultatit të këtyre zgjedhjeve?
McCormack: Shqipëria ka një
histori zgjedhjesh me rezultat të ngushtë, me një diferencë të ngushtë mes
palëve dhe natyrisht, mendoj që kjo krijon një atmosferë tjetër nga ajo kur
fitorja është e qartë. Pra kërkon të thuash që në kushtet e një KQZ, jo të
plotë, me vetëm 4 anëtarë, njerëzit nuk do të besojnë rezultatin e shpallur
prej tij? Por rezultati nuk është vetëm në dorë të KQZ; ai varet edhe nga ajo
se çfarë do të ndodhë në procesin e numërimit, si do të shkojë ky proces.
Ndërkohë që procesi i numërimit në Shqipëri është shumë i hapur, lejon vëzhgues
vendas dhe ndërkombëtarë, askush nuk mundohet të mohojë aksesin e tyre, që
mendoj se është një komponent kyç i besueshmërisë së publikut. Gjithë qendrat e
votimit kanë kamera TV, ekrane që tregojnë se si ecën votimi, nëse vota është
hedhur. Në kuptimin e transparencës procesi është jashtëzakonisht i mirë, këtë
shumë vende nuk e kanë, përfshirë edhe vendin tim, SHBA. Kontestim i zgjedhjeve
ndodh në të gjitha ato vende ku rezultati i zgjedhjeve është shumë i ngushtë.
Askush nuk mund të parashikojë se çfarë do të ndodhë më 23 qershor.
Znj. McCormack a ka ardhur koha
që gjuha e përdorur në raportin përfundimtar të jetë e qartë, jo me nënkuptime?
A ka gjasa të arrihet një konsensus mes misionit të OSBE/ODIHR-it dhe Asamblesë
Parlamentare të OSBE-së për dobinë që i vjen demokracisë në Shqipëri nga të
folurit qartë, pa ekuivoke?
Conny McCormack: Gjithkush
do të donte të dëgjonte fjalët e thjeshta “zgjedhje të lira dhe të ndershme”.
Por nuk është kjo që bën OSBE/ODIHR-i. Vlerësimi i zgjedhjeve nuk është bardhë
e zi, por më tepër një shkallëzim. OSBE/ODIHR ka vëzhguar qindra e qindra
zgjedhje. Metodologjia e përdorur bazohet në vlerësimin makro, plotësim i disa
angazhimeve ndaj OSBE-së, të tjera që nuk plotësohen. Do të ishte më e thjeshtë
fjalia “Shqipëria kaloi testin” por nuk është kjo që ne bëjmë, është fjala për
nuanca, për vështrim të gjithë “peizazhit zgjedhor”, thua kjo është realizuar
kjo jo, kjo kërkon përmirësim, japim rekomandime për përmirësim. Por shpresoj
se gjuha në raportin përfundimtar do të jetë e qartë që njerëzit ta kuptojnë.
Përkufizimi “zgjedhje të lira
dhe të ndershme” do të thotë përmbushje e standardeve të OSBE-së dhe atyre
ndërkombëtare për zgjedhje demokratike, apo jo? Cilat janë këto standarde znj.
McCormack? A mund të përmendni më thelbësoret?
Conny McCormack: Kjo është
një pyetje shumë e mirë. Mendoj se ne gjithmonë themi se i vlerësojmë zgjedhjet
sipas plotësimit të standardeve, angazhimeve ndaj OSBE-së dhe atyre
ndërkombëtare. Çfarë do të thotë kjo? Zotimet mbështeten në Dokumentin e
Kopenhagës, të 1990-ës, ku ka një sërë deklaratash për kriteret, me një
shtrirje të gjerë ku disa prej tyre janë kyç dhe të tjera me një rëndësi të
shkallëzuar. Një nga kriteret që OSBE/ODIHR-i ka vënë në dukje në raportin
paraprak është aksesi pa pengesë i medias në procesin zgjedhor. Kemi vënë në
dukje p.sh. që media lejohet të pasqyrojë një takim elektoral, por nuk lejohet
të futet në ndërtesa ku ndodh një aktivitet i tillë, apo dhënia tek media e
kasetave të gatshme. Është e qartë që të tilla episode nuk përmbushin
standardet, kriteret. Një tjetër standard është ndarja e qartë e shtetit nga
partitë politike. Në fushatën elektorale të deritanishme kemi vërejtur raste
kur kjo nuk është përmbushur, kur në inaugurime rrugësh dhe objektesh slogane
të fushatës, flamuj të partive janë bërë pjesë e një ngjarjeje zyrtare,
qeveritare. Këto do të pasqyrohen në raportin final që do të dalë rreth 2 muaj
pas zgjedhjeve. Këto janë disa standarde që ne vëzhgojmë dhe janë në Dokumentin
e Kopenhagës së vitit 1990.
Znj. McCormack, kam lexuar CV
tuaj, keni një përvojë të pasur në vëzhgimin e zgjedhjeve në rajone të ndryshme
të botës. Nëse do të hidhnit një vështrim në përvojat tuaja të kaluara dhe ne
këtë që po kaloni tani në Shqipëri çfarë do të thonit?
Conny McCormack: Kam
vëzhguar zgjedhje në Indonezi, Algjeri, Armeni, Jemen, Meksikë dhe SHBA.
Zgjedhjet janë përherë dhe kudo të ndryshme, nuk kam parë kurrë dy zgjedhje që
të jenë të ngjashme me njëra- tjetrën. Një nga gjërat që ODIHR nuk e bën është
të krahasojë zgjedhjet mes një vendi dhe një tjetri, apo edhe zgjedhjet brenda
të njëjtit vend, nuk krahasojmë p.sh. zgjedhjet parlamentare në Shqipëri të
vitit 2013 me ato të vitit 2009. Ne bëjmë një vlerësim, “fotografojmë” atë që
ndodh në një moment të dhënë, mbështetur në zotimet ndaj OSBE-së, Dokumentin e Kopenhagës
dhe standardet e tjera ndërkombëtare. Dhe vlerësojmë zgjedhjet në kohën kur ato
bëhen. Kjo është metodologjia që përdorim, nuk themi që këto zgjedhje janë më
të mira se ato në Algjeri p.sh. Çdo proces zgjedhor vlerësohet më vete.
Njerëzit duhet ta kuptojnë çfarë bëjmë ne konkretisht. Ka ende shumë aktivitete
përpara deri në ditën e zgjedhjeve më 23 qershor, shqetësim mbetet respektimi i
afateve të parashikuara në Kodin Elektoral të Shqipërisë.
No comments:
Post a Comment