Arben Rrozhani
Pak ditë më parë, u bë publik lajmi se vendi fqinj i Shqipërisë, Maqedonia, është një nga blerësit e softuerit për spiunimin dhe ndjekjen e qytetarëve përmes kompjuterëve dhe telefonave celularë. Në listën e blerësve në kompaninë “Elaman Gmbh” që është shpërndarëse e softuerit për përgjim të sofistikuar ‘FinFisher” që prodhohet nga kompania “Gamna Group International” është edhe fqinji ynë lindor, por, nuk dihet se kush është poseduesi i këtij sistemi përgjues, ndonjë nga institucionet e sigurisë apo ndonjë nga operatorët e telefonisë. Me këtë softuer ndiqen dhe lexohen të gjitha të dhënat e kompjuterëve personalë dhe telefonave të qytetarëve. Mund të kontrollohet çdo gjë, që nga ajo çfarë punonhet në kompjuter, hapja e faqeve të internet-it, komunikimi në Facebook apo Skype dhe gjithë çfarë shkruhet në tastierë. Asnjë nga antivirusët apo programe speciale nuk mund taë detektojnë apo parandalojnë këtë softuer, pasi ai instalohet në kompjuterin e secilit përdorues përmes Mozilla, Google Chrome, Windows, etj. Kompania prodhuese “Gamma Group International” prej 15 vitesh punon në tregun botëror me pajisje të tilla, por ajo kryesisht i sh-et softuerët e saj në mënyrë sekrete dhe klientët janë qeveritë e vendeve të ndryshme. Deri tani me softuerit përgjues janë pajisur edhe qeveritë e Çekisë, Austrisë, Bullgarisë, Hungarisë, Gjermanisë, Holandës, por edhe 30 shtete të tjera të botës. Këtë program sofistikues e kanë poseduar edhe regjimet e deritanishme të Libisë dhe Egjiptit. Nga dokumentet e siguruara nga regjimi i Mubarakut, rezulton se janë paguar 380 mijë dollarë për blerjen e këtij softueri. Por, kompanitë e softuerëve si Mozilla tashmë do të hapin një proces gjyqësor kundër “Gama group International”, për shkak të keqpërdorimit të licencës dhe prodhimeve të saj.
Studiuesi
Arjan Dyrmishi, studiues në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), në një reagim për “Shekullin” thotë se Grupi “Gamma” është prodhues i njohur i paisjeve të ndryshme për përdorim nga agjencitë e zbatimit te ligjit dhe ato informative me kom-pani në vende të ndryshme të Europës (kryesisht Gjermani, Britani) për paisjet dhe sistemet që prodhon jane produkte komerciale të cilat ia shesin vetëm qeverive. Sipas tij: “Problemi për të cilin kompania është bërë subjekt i vëmendjes mediatike lidhet me dy aspek-te, njëri etik dhe tjetri tregtar, që lidhet me të drejtat e patentave. Në aspektin etik kompania kritikohet pasi i ka shitur paisje qeverive të cilat kanë (ose kanë patur) probleme me të drejtat e njeriut. Pra kompania nuk ka shkelur ndonjë ligj, por mund të ishte përmbajtur, duke sakrifikuar përfitimet si kompani private për hir të vlerave themelore siç jane të drejtat e njeriut”-thotë Dyrmishi. Sipas tij, në aspektin tregtar kompania ka përdorur programe dhe sis-teme operative të tjera (si Mozilla etj) për të lejuar instalimin e sistemeve të përgjimit te kompiuterat e subjekteve të dyshuara (këtë në praktikë e kanë kryer agjencitë e vendeve që kanë blerë teknologjinë). A është futur në Shqipëri një pajisje e tillë? Dyrmishi thotë se: “Unë nuk kam informacion nëse ndonjë program i tillë është blerë nga ndonjë agjenci shqiptare, por nëse kjo ka ndodhur nuk përbën ndonjë akt të paligjshëm nga ana e tyre. Po kështu meqenëse Shqipëria konsiderohet si shtet demokratik edhe nga pikëpamja etike kompania nuk ka kryer ndonjë shkelje. Problemi qëndron me çështjen e përhershme që kemi diskutuar që është kontrolli dhe mbikqyrje e këtyre agjencive në mënyrë që këto teknologji të përdoren jo për qëllime abuzive. Por kjo vlen për çdo aspekt të këtyre shërbimeve”-thotë studiuesi i IDM-së. Një mjek i njohur në Tiranë, që është dalluar si aktivist i opozitës një muaj më parë, në profilin e tij në Facebook shprehu indinjatën, për pamundësinë e komunikimit me anë të telefonit celular. Pas konsultimit me një të njohur në Ministrinë e Brendëshme ai kishte mësuar se zhurma në telefon, jehona dhe mungesa e komunikimit në shumë raste, do të thoshte se numri i tij telefonik ishte nën përgjim. Mundësinë e përgjimit me anë të aparaturëve speciale e lajmëruan edhe vetë eksponentë të opozitës. Prej mëse dy vitesh në selinë e PS-së dhe në ambientet ku ajo bën takimet u bë e zakonshme që të instaloheshin pajisje që nuk lejonin perdorimin e celularëve, duke bërë të pumundur edhe përgjimin e atyre që thuheshin në takime.
Përgjuesi
“FinFisher” i prodhuar nga kompania “Gamma” me bazë në Britani, kontrollon aparaturat e telefonisë mobile, përfshirë iPhone, BlackBerry, iOS, Android etj. Programi, në mënyrë sekrete, gjurmon e e-mailet, mesazhet telefonike dhe bisedat zanore, siç rezultoi nga një studim i kryer prej Universitetit të Toron-tos. FinFisher mund të infektojë ed-he kompjuterat personalë. “Njerëzit po vijnë vërdallë me pajisje të vëzhgimit në xhepat e tyre”-shprehet John Scott-Railton, studiues në Universitetin e Los Anxhelesit në Kaliforni. Në 3 maj 2013, Fondacioni “Mozilla” akuzoi grupin “Gamma International” se kishte ndërhyrë në produktet e saj me emrin “Firefox”, ndërsa grupi me qendër në Britani nuk bëri komente rreth akuzave. Një grup kërkimi në Uni-versitetin e Torontos në Kanada tha se besohej që “Finfisher” është aktiv dhe kon-trollon serverat në të paktën 36 vende. In 2011 rrjeti britanik BBC gjeti doku-mente në një ndërtesë sigurie në Egjipt, pas bastisjes që i ishte bërë nga protestuesit, që tregonin se FinFish-er kishte ofruar pajisje për qeverinë egjiptiane që të vëzhgonte aktivistët. Sipas kërkimeve, u zbuluan servera përgjimi në Australi, Republikën Çeke, Emiratet e Bashkuara Ar-abe, Etiopi, Estoni, Indonezi, Latuani, Mongoli, Katar dhe SHBA.
SHIU, armë përgjuese ndaj opozitës
Në marsin e vitit 2012 doli në dritë fakti se një kompani private shqiptare, e specializuar në tregtimin e pajisjeve të sigurisë, kishte ndërmjetësuar blerjen e aparaturës së përgjimit për SHIU-n në vitin 2010. Burime nga Ministria e Mbrojtjes thanë se Shërbimi Informativ Ushtarak e pajtoi kompaninë shqiptare me një kontratë të drejtpërdrejtë për blerjen jashtë vendit të një aparature përgjimi të tipit “CDMA Interceptor”. Kompania e bëri blerjen tek një kompani partnere amerikane, e cila quhet “Verint Technologies”. Kjo e fundit ka disa filiale nëpër botë dhe kompania shqiptare lidhjet e saj i ka me filialin izraelit të kompanisë “Verint”. Aparatura e përgjimit “CDMA interceptor” u ble në Izrael, ajo madje edhe është prodhuar në Izrael nën logon e “Verint”. Aparatura bën pjesë në formatin e teknologjisë së lëvizshme të përgjimit me rreze të kufizuar. Kjo aparaturë në thelb është një kompjuter, i cili ka të instaluar një sërë programesh që mundësojnë dekodimin dhe regjistrimin zanor të bisedave telefonike në një rreze prej 300 metrash. Aparatura qëndron e mbyllur në një valixhe ndërsa pjesë e valixhes janë edhe dy antenat, hyrëse dhe dalëse të cilat bëjnë të mundur kapjen e sinjalit të telefonit të përzgjedhur si dhe më pas lëshimin e sinjalit të këtij telefoni në antenat e kompanisë celulare pasi është kryer regjistrimi. Aparatura në fjalë është e pajisur edhe me një program që mundëson dekriptimin e sms-ve të dërguar ose të marrë nga telefoni i përzgjedhur dhe nën survejim, ndërsa edhe për telefonatat por edhe për sms-të regjistrimi dhe dekriptimi bëhet në kohë reale dhe me një shpejtësi shumë të lartë dhe të dhënat ruhen në memorien e aparaturës nga ku më pas mund edhe të dëgjohen ose të lexohen.
Shqiptarët përgjohen nga nëntë agjenci
Sipas studimeve të kryera për shërbimet inteligjente në Shqipëri, shqiptarët janë në survejim të vazhdueshëm, sepse 9 agjenci të veçanta të shërbimeve informative i mbikqyrin me metoda speciale hetimi, si përgjime, filmime e metoda të tjera, në emër të garantimit të sigurisë kombëtare, duke u bërë një ndër vendet me numrin më të shumtë të shërbimeve të inteligjencës, pasi në vendet më të zhvilluara funksionojne 4 agjenci inteligjence. Ekspertet kanë ngritur shqetësimin e mbivendosjes së agjencive të mbledhjes së informacionit, duke rritur rrezikun e shkeljes së lirise dhe të drejtave të njeriut, ku një pjese e tyre funksionojne me Vendim të Këshillit të Ministrave e jo me ligj të parlamentit. “Të gjithë grumbullojnë, analizojnë dhe shpërndajnë informacione. Të gjitha përdorin metoda të veçanta të hetimit, pra të gjithë interceptojnë telefona, bëjnë filmime, e të tjera, çfarë janë ato që konsiderohen si ndërhyrje të thella në pjesën e lirive individuale e që përsëri është problem për atë që kush, si dhe qysh do kon- trollohen. Nga këto nëntë, gjashtë janë institucione të cilat merren direkt me aktivitete kriminale. Jo se Shërbimi Informativ nuk merret, por merret edhe ai me diçka specifike. Ne sugjerojmë nëpërmjet dokumentit një rishikim të dokumentit, një rishikim tërësor, jo të ndonjë institucioni të caktuar”- shprehej studiuesi Arjan Dyrmishi në një studim të publikuar pak kohë më parë. Ekspertët e lëvizjes për të drejtat e njeriut kanë shprehur shqetësim për numrin e lartë të agjencive që kryejnë shërbime inteligjente, duke përgjuar apo filmuar edhe pse në kuadër të parandalimit të krimit pasi ekziston rreziku i shkeljes së të drejtave të njeriut. “Rëndësia e SHISH-it ka rënë, ndërsa e kundërta ka ndodhur me SHIU-n. Nuk mund të quhet sekret shtetëror në mënyrë të prerë i gjithë informacioni që ka lidhje me sigurinë kombëtare. Shteti nuk mund të pengojë gazëtarët për shembull apo përfaqësues të organizatave joqeveritare për tu future në vende ku ka arsye të besohet se janë shkelur të drejtat e njeriut”- ishte shprehur juristi Njazi Jaho në një takim për sigurinë. Deri në vitin 2003 në Shqipëri ishin 3 agjenci zbulimi që kryenin mbledhje informacioni me metoda speciale hetimi, SHISH, SHIU dhe Policia Ushtarake, ndërsa pas vitit 2003 të drejtën e përgjimeve dhe filmimeve e kanë edhe Policia e Shtetit, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm (SHKB), SHKB i Burgjeve, njësia e inteligjencës Financiare, sherbimet e Inteligjencës së Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, si dhe shërbimet e inteligjencës së Drejtorisë së Përgjthshme të Tatimeve.
Majko: Ligji, përgjim me leje
Pak muaj më parë, ndërsa diskutoheshin në kuvend, ndryshimet në ligjin e përgjimeve, deputeti socialist, Pandeli Majko, shprehej se me këtë ligj do të përgjohet çdo gjë private e qytetarëve, duke nisur nga Facebook, Twitter, e-mail etj dhe se qeveria thjesht po e bënte të ligjshme përgjimin që bënte deri më tani ndaj qytetarëve. “Qeveria miratoi ndryshimet në ligjin “Për përgjimin e telekomunikimeve”. Ndryshon edhe titulli i ligjit, i cili bëhet “Për përgjimin e ligjshëm të komunikimeve elektronike”….Me këto ndryshime ligjore do të survejohet e-mail-i, Facebook, Twitter dhe të gjitha shkëmbi-met elektronike. Mos u mërzisni! E rëndësishme është që më në fund kjo “punë” do bëhet me ligj… që siç thotë titulli i tij i ndryshuar, e bën atë “të ligjshëm”…”, shprehej me ironi Majko. Ligji i ri i jep një fuqi të madhe prokurorisë, e cila mund të përgjojë çdo person, pa pasur nevojën e të marrit leje nga ana e gjykatës.
Klosi: Përgjimi, shumë i thjeshtë
Fatos Klosi, ish- kryetar i SHISH-it, shprehej pak kohë më parë se: “Teknologjia e sotme e bën shumë të thjeshtë këtë aktivitet të paligjshëm, që drejtuesit e sotëm e kanë shumë për zemër. Ata gjithmonë kanë parapëlqyer një shtet policor, që di gjithçka për “armiqtë”. Formimin bazë andej e kemi, ku “armiqtë” ishin kudo. Dua vetëm të kujtoj se më 1997, kur përgjimet e telefonave ishin shumë më të vështira teknikisht, ne gjetëm të lidhur për përgjim disa telefona të deputetëve të opozitës, me siguri ishin një pjesë e vogël e atyre që përgjoheshin por që ishin harruar e nuk ishin zgjidhur. Implikimi i Ministrisë së Mbrojtjes në këto afera është e rrezikshme, pasi demonstron se pushtetarët e ndjejnë vetën shumë të sigurt, aq sa i lejojnë vetes dhe çudira të tilla. Duket që programimi i këtij aktiviteti është bërë që atëherë kur akoma nuk e kontrollonin plotësisht SHISH-in” ./shekulli
No comments:
Post a Comment