Monday, June 3, 2013

Edhe Dash Sula përdor Policinë e Shtetit për fushatë




Që administrata shtetërore është në funksion të partisë në pushtet, kjo nuk përbën më lajm. Punonjës që detyrohen të shkojnë në mitingje, makina të shtetit që i sheh anembanë vendit që vendosin postera elektoral, forca të ushtrisë që ndjekin pas Arben Imamin, janë të përditshme në këto ditë të fushatës elektorale. Por tashmë edhe Policia e Shtetit është në shërbim të plotë të partisë në pushtet. Madje, jo vetëm që drejtues të lartë të Policisë së Shtetit ndjekin nga pas kryeministrin Berisha, në të gjitha takimet e tij elektorale, por dhe Dash Sula, deputeti i Peqinit ka nën urdhra Policinë e Shtetit. Në foto duket qartë kandidati për deputet Sula, i njohur dhe për përdorimin e armëve në publik, me drejtorin i Policisë së qarkut të Elbasanit, Halit Murataj. Drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit është fotografuar ndërsa deputeti kandidati për një mandat tjetër është duke përuruar fillimin e punimeve në Karinë të Peqinit. Në bazë të ligjit, Policia e Shtetit e ka të ndaluar pjesëmarrjen në aktivitete elektorale. Neni 88 i Kodit Zgjedhor ndalon në mënyrë kategorike përdorimin e burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore. “Me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj, nuk mund të përdoren ose të vihen në mbështetje të kandidatëve, të partive politike ose të koalicioneve në zgjedhje burime të organeve apo enteve publike në nivel qendror ose vendor, apo çdo lloj enti tjetër ku shteti zotëron kapitale apo kuota ose/dhe emëron shumicën e organit mbikëqyrës apo organit administrues të entit, pavarësisht nga burimi i kapitalit ose pronësia. Në kuptim të këtij neni, “burime” quhen asetet e luajtshme dhe të paluajtshme, të parashikuara në nenin 142 të Kodit Civil, si dhe çdo burim njerëzor i institucionit. Me përdorim të “burimeve njerëzore” kuptohet përdorimi i detyruar në fushatë zgjedhore i administratës së institucionit brenda orarit të punës për qëllime zgjedhore, si dhe përdorimi i detyruar dhe i organizuar brenda orarit mësimor i nxënësve të sistemit shkollor parauniversitar në fushatë zgjedhore”, thuhet në nenin 88 të Kodit Zgjedhor.

Tema

No comments:

Post a Comment