
TË KRENOHESH ME LULIN...
Nga Imer
Mushkolaj
- Nuk ekziston asnjë arsye racionale pse Lulzim Bashës duhet t’i jepet
titulli “Qytetar Nderi” i Prishtinës. Duket se vetëm dreqi dhe LDK’ja mund t’i
bien në fije këtij budallallëku. Ai nuk na nderon dhe s’kemi pse të
krenohemi me të.-
Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, do të ishte ndër personat e fundit
që do të duhej t’iu vinte ndërmend zyrtarëve komunalë të Prishtinës për ta
shpallur “qytetar nderi”. Por, ja që ata kanë vendosur që pikërisht ai të
nderohet me këtë titull.
Sipas Komunës së Prishtinës, propozimi që Basha të shpallet “qytetar nderi”
është një gjest i respektimit të punës dhe vlerave të tij si kryetar i Bashkisë
së Tiranës dhe të një personaliteti, i cili në të gjitha pozitat politike të
cilat i ushtroi dha kontribut të pakursyer për Kosovën dhe Prishtinën. Po sipas
Komunës, Basha ka reflektuar përkushtim dhe përkrahje të parreshtur gjatë
procesit të pavarësisë dhe ndërtimit demokratik të Kosovës, “sidomos në
periudhën e pasluftës, kur ai qëndroi dhe punoi një kohë të gjatë në Kosovë dhe
në Prishtinë”. “Ka qenë dhe është përkrahës i integrimeve europiane të Kosovës
dhe i njohjes së saj nga shumë shtete në Europë dhe në botë”, arsyeton
udhëheqja komunale. Arsyetohet, po ashtu, se Basha ka reflektuar interesim të
veçantë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës, në fusha
të ndryshme me interes të përbashkët. “Nga zgjedhja e tij kryetar i Bashkisë së
Tiranës, janë intensifikuar marrëdhëniet me Prishtinën dhe është rritur
bashkëpunimi i ndërsjellë”.
Fraza komplet të thata, asosh çfarë dinë t’i thurin vetëm njerëzit e LDK’së
e cila, merreni me mend, në vargun e gjatë të personaliteteve edhe botërore që
pa fije dyshimi meritojnë të shpallen qytetarë nderi të Prishtinës për
kontributet e tyre të jashtëzakonshme, ka gjetur ta nderojë Bashën. Një person
fort kontravers dhe aspak të denjë për t’ia bërë një nder të tillë. Aq më pak,
por jo rastësisht, në prag të zgjedhjeve në Shqipëri.
Sa tingëllojnë false dhe aspak bindëse frazat e tipit se ai paska
reflektuar përkushtim dhe përkrahje gjatë procesit të pavarësisë dhe ndërtimit
demokratik të Kosovës. Ashtu sikurse edhe ato se ai qenka përkrahës i
integrimeve europiane të Kosovës dhe se paska reflektuar interesim të veçantë
për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës.
Para se të lëshohet në arsyetime të tilla bajate, zotërinjtë e Komunës së
Prishtinës do të duhej të shpjegonin (po që se e dinë dhe besoj që e dinë) se
cili ka qenë kontributi konkret i Bashës gjatë kohës sa ka punuar në UNMIK. Po
ashtu, do të bënin mirë të sqaronin se cilat janë rezultatet konkrete të
përkushtimit të tij për pavarësinë dhe rrugën europiane të Kosovës dhe çfarë,
konkretisht, paska bërë për bashkëpunimin ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës.
Pse, vërtet pse ai e merituaka një titull të tillë? Zakonisht, ata që
nderohen me tituj nderi duhet të shërbejnë si modele pozitive për të tjerët.
Cili është modeli Basha?
A është model ai i udhëheqjes nga ana e tij të Ministrisë së Punëve Publike
e Transportit, kohë gjatë së cilës u ngritën dyshime serioze për keqpërdorime
financiare të ndërtimit të rrugës Durrës – Kukës?
A është model ai i udhëheqjes nga ana e tij të Ministrisë së Brendshme, kur
u vranë katër qytetarë të pafajshëm në qendër të Tiranës vetëm pse nuk
pajtoheshin me qeverinë e tij?
A është model ai i ardhjes së tij në krye të Tiranës, praktikisht duke
vjedhur fitoren në zgjedhjet e kaluara lokale?
A është model qasja e tij konfliktuoze dhe hiç etike e të bërit politikë?
Nëse këto janë merita për të cilat ai duhet nderuar, atëherë udhëheqje dhe
komunarët e kryeqytetit kanë bërë një huqje të madhe.
* * *
Kur më 11 qershor Basha do të shpallet “Qytetar Nderi” i Prishtinës,
kryeqytetit kosovar nuk do t’i shtohet një vlerë, as një qytetar i përgjegjshëm
dhe i merituar. Askush nuk ka pse të krenohet me kanakarin e Sali Berishës.
Sepse, ai nuk e ka merituar me asgjë nderin e prishtinasve.
Në këtë rast, nderimi i tij nuk është asgjë më shumë se lojë politike e
LDK’së, në një garë pa kuptim me parti rivale se kush po nderon më shumë aleatë
të supozuar politikë andej kufirit.
Shumë, sa shumë njerëz në Shqipëri e meritojnë nderin që i bëhet Lulit.
Njerëz që kanë ndihmuar kosovarët në kohë të vështira, atëherë kur Luli dhe
shefi i tij kishin të tjera prioritete. Por jo, Kuvendi i Prishtinës së LDK’së
ka vlerësuar se ai është i duhuri. Në bazë të cilave kritere - dreqi e merr
vesh.
* * *
Përveç Lulzim Bashës, edhe një tjetër emër i Partisë Demokratike ka shansa
të nderohet me titull nderi në Kosovë – Jozefina Topalli. Qëllojani me propozim
të kujt? Të LDK’së, natyrisht, respektivisht këshilltarëve komunalë të kësaj
partie në Malishevë.
Burrave dhe grave lëdëkëiste iu ka mbushur mendja që Topalli t’iu bëhet
formalisht bashkëqytetare dhe, po që se miratohet në Kuvendin Komunal kërkesa e
tyre, ajo do të nderohet po sikurse Luli. Se cili është kontributi i saj për
Malishevën - vetëm dreqi dhe LDK’ja e marrin vesh.
Ashtu siç mund ta dijë vetëm dreqi se deri kur do të vazhdojnë marrëzitë
dhe paturpësitë e tilla dhe a ka kush që i ndalë ato. Para se të bëhemi gazi i
botës, nëse deri tash s’jemi bërë të tillë.
No comments:
Post a Comment