Keida Kostreci
Një vëzhgues i hershëm i zgjedhjeve në
Shqipëri dhe njohës i mirë zhvillimeve politike atje thotë se ende ekziston
mundësia për zgjedhje të rregullta në Shqipëri në qershor, por shton se duhet
vepruar me shpejtësi për ta realizuar një gjë të tillë. Këshilltari i lartë politik i Komisionit
amerikan të Helsinkit Robert Hand, shprehu në një intervistë për Zërin e
Amerikës keqardhjen për ato që i quajti lojra politike, përfshirë situatën e
krijuar me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Zoti Hand, thotë se nëse arrihet një marrëveshje për KQZ-në duhet
të jetë afatgjatë dhe në mbështetje të
ligjit. Zoti Hand tha se komuniteti ndërkombëtar nuk është i kënaqur me mënyrën
e të bërit politikë në Shqipëri, që sipas tij e pengon realizimin e potencialit
të plotë të vendit.
Zëri i
Amerikës: Zoti Hand, komuniteti ndërkombëtar, përfshirë përfaqësues të qeverisë
dhe Kongresit amerikan që folën në seancën e fundit për Shqipërinë, kanë thënë
se zgjedhjet e qershorit janë të një rëndësie vendimtare për të ardhmen e
vendit dhe integrimin evropian. Sipas jush çfarë varet nga këto zgjedhje?
Robert
Hand: Mendoj se gjithnjë e më shumë ka një humbje
durimi me Shqipërinë. Ne duam që Shqipëria të jetë e suksesshme, ne e dimë që e
ka mundësinë që të jetë e suksesshme. Ka pasur një farë përparimi në mbajtjen e
zgjedhjeve të viteve të fundit, por përparimi nuk ka qenë i mjaftueshëm,
prandaj edhe e quajtëm seancën “Ritmi i
përparimit”. Pra nuk mund të mohohet që ka pasur përparim, por nuk ka qenë aq i
shpejtë sa ç’duhet. Mendoj se nuk vihet në diskutim që Shqipëria duhet të ishte
në gjendje deri tani të mbante zgjedhje që të jenë pa mëdyshje “të lira dhe të
drejta”, që gjithkush të kishte krijuar besim tek institucionet dhe si
rrjedhojë tek rezultatet e zgjedhjeve. Për fat të keq kemi filluar që tani të
shohim për zgjedhjet e ardhshme se po bëhen shumë lojëra dhe Komisioni Qendror
i Zgjedhjeve është një prej tyre dhe kjo po shkakton humbje besimi dhe mendoj
se kjo është për të ardhur keq. Nëse zgjedhjet e kësaj radhe në Shqipëri nuk marrin
notë të mirë, pa diskutim që do të ketë pasoja për shpejtësinë e integrimit në
Bashkimin Evropian. Anëtarësimi, edhe në rrethana ideale do kohë që të bëhet,
kështu që nuk mund të përballohen vonesa të mëtejshme. Prandaj zgjedhjet duhet
të jenë të rregullta. Ende ekziston mundësia, por mendoj se duhet të veprojnë
me shpejtësi për ta realizuar një gjë të tillë. Përsa i takon Shteteve të
Bashkuara, Shqipëria është aleate e NATO-s dhe ne jemi të kënaqur për këtë, ne
jemi miq të mirë të Shqipërisë, por ne gjithashtu konstatojmë që Shqipëria nuk po e realizon
potencialin e saj të plotë si partnere dhe aleate, përsa kohë që ka
paqendrueshmëri politike, përsa kohë që ka korrupsion. Ne duam ta shohim
Shqipërinë jo vetëm si vend mik, por edhe si një vend të konsoliduar mik që
ndjek rrugën e duhur edhe në zhvillimet e brendshme, që të arrijë maksimumin e
ndikimit të saj si aleate dhe partnere.
Zëri i
Amerikës: Ju përmendët Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ju gjithashtu flisni për lojra politike.
Sipas jush çfarë forme duhet të ketë zgjidhja e këtij problemi?
Robert
Hand: Është pak e vështirë për mua ta parashikoj një
gjë të tillë sepse janë bërë lojra me
Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke shkarkuar zotin Muho. Tre anëtarë të
tjerë dhanë dorëheqjen. Sigurisht që ata (forcat politike) duhet të ulen së
bashku të diskutojnë sesi ta plotësojnë KQZ-në, por nuk duhet të jetë thjesht
një vazhdim i lojës politike ku një shtrëngim duarsh mes dy partive politike,
del mbi ligjin. Mendoj se shumë njerëz mendojnë se nëse do të ishte respektuar
ligji, ky veprim nuk duhet të kishte ndodhur. Prandaj mendoj se duhet të ketë
një riangazhim ndaj kodit zgjedhor, ndaj ligjeve, dhe një ide të qartë për
ecurinë e mëtejshme. Pikëpamja ime për KQZ-në është se këta njerëz (anëtarët) zgjidhen
nga partitë politike, por pasi janë miratuar, duhet të pritet prej tyre që të
sillen me profesionalizëm, jo në mënyrë politike. Do të duhet një marrëveshje
politike për ta rikthyer këtë formulë, por do të duhet gjithashtu një
rikonfirmim i qartë që do ta respektojnë kodin, do të respektojnë ligjet dhe jo
thjesht të bien në ujdi për atë që duan apo nuk duan të bëjnë.
Zëri i
Amerikës: Cilat do të ishin pasojat e
një ujdie politike, në vend që të gjendet një zgjidhje afatgjatë për këtë
problem?
Robert
Hand: Do të thotë që një situatë e tillë mund të
përsëritet. Do të thotë që kurdo që i intereson dikujt, mund të luajë me
KQZ-në. Mendoj se për këto zgjedhje, por edhe për zgjedhje të ardhshme,
integriteti i KQZ-së dhe gjithë organizmave të tjera zgjedhore duhet të
respektohet, në mënyrë që njerëzit të kenë besim tek to. Prandaj nuk duhet të
jetë një zgjidhje e momentit që lejon ecurinë e këtyre zgjedhjeve. Duhet të
ketë një rikonfirmim i respektimit të kodit, të ligjeve dhe që këto
institucione që duhet të rregullojnë në mënyrë të paanshme procesin e
zgjedhjeve, të bëjnë të mundur që njerëzit të hedhin votën, të numërojnë votat
siç duhet. Që gjithkush të besojë dhe rrjedhimisht të respektojë rezultatet, ka
nevojë për institucione që gëzojnë besim dhe duhet bërë më shumë për krijuar
besim tek këto institucione.
Zëri i
Amerikës: Nga reagimet ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara, duket se
kritikat për ndryshimin e anëtarit të LSI-së kanë qenë më të forta sesa reagimi
ndaj dorëheqjes së tre anëtarëve të opozitës që pasoi. A është kjo një miratim
i heshtur i veprimit të anëtarëve të opozitës, si reagim ndaj ndryshimit të
parë?
Robert
Hand: Nuk besoj se është pranim, ose miratim i
dorëheqjeve, por është e qartë se nëse dikush do të japë dorëheqjen, është i
lirë ta bëjë një gjë të tillë. Nuk është jashtë parashikimit të ligjit. Mendoj
se pyetja që shtrohet është nëse heqja e zotit Muho ishte legjitime apo, nëse u
bë ligjërisht apo jo dhe shumë mendojnë se nuk u bë ligjërisht, se parlamenti
nuk duhej të vepronte siç veproi. Nuk më duket se kjo do të thotë që kritikët
mbështesim vendimin e dorëheqjeve, por duket se ata po përqendrohen tek mënyra
sesi duhet të funksionojë KQZ-ja dhe se efektivisht përpjekja për shkarkimin e
përfaqësuesit të LSI-së e vuri në pikëpyetje integritetin e KQZ-së dhe kjo
është çështja kryesore.
Zëri i
Amerikës: Në zgjedhjet e kaluara, polarizimi, mungesa e vullnetit politik dhe
mosbesimi mes partive kryesore ka hedhur hije dyshimi mbi rezultatin dhe
procesin. Cila do të ishte këshilla juaj për të shmagur këtë lloj klime?
Robert
Hand: Është e
vështirë të thuash se ku i ka rrënjët polarizimi dhe mosbesimi në
Shqipëri sot dhe sesi mund të kapërcehet diçka kaq e theksuar. Ndoshta do të
thotë, që Shqipërisë i duhet një shoqëri civile më e konsoliduar dhe është e
vështirë për shoqërinë civile të hedhë rrënjë në një klimë të tillë të
polarizuar politike. Por pa dyshim kjo është e nevojshme dhe qytetarët vetë
duhet të angazhohen pak më shumë dhe të thonë “mjaft, kemi këto probleme dhe
duam që politikanët të përqendrohen më shumë për zgjidhjen e tyre”. Një mënyrë
është shoqëria civile, por disa herë shoqëria civile rekrutohet nga partitë
politike dhe kjo është pjesë e problemit. Ndoshta kur të shkojnë në kutitë e
votimit, ta hedhin votën për ata që janë më pak të prirur ta vazhdojnë këtë
lloj situate. Mendoj se është për të ardhur keq që ndoshta nuk i kanë të gjitha
alternativat që duhet të kenë. Nuk kam përgjigje të thjeshta. Është diçka që do
të dojë kohë të ndryshojë, por që duhet të kishte ndryshuar para shumë kohësh
dhe ajo që ne përpiqemi të bëjmë tek Komisioni i Helsinkit është të inkuarjojmë
që ky ndryshim të bëhet më shpejt.
Zëri i
Amerikës: Si mund të rikthehet besimi i qytetarëve, kur ndoshta nuk ka pasoja
për një politikë të tillë polarizuese?
Robert
Hand: Besoj se ka pasur reagim në nivel ndërkombëtar.
Siç e thashë, është fakt i pranuar që Shqipëria duhet të ishte shumë më përpara
në procesin e integrimit dhe se nëse këto zgjedhje nuk i plotësojnë standardet
do të jenë qytetarët që do të vuajnë pasojat sepse Bashkimi Evropian do ta
përdorë këtë si arsye që të vonojë marrjen e hapave të mëtejshëm për
Shqipërinë. Është e qartë se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara do të
vazhdojnë të jenë të mira, sepse është një marrëdhënie mes vendeve, jo thjesht
mes qeverive dhe kjo marrëdhënie është e fortë. Por mendoj se qeveria e
Shteteve të Bashkuara ka kritikuar me të drejtë zhvillimet në Shqipëri dhe
mendoj se qytetarët në Shqipëri duhet ta dinë se komuniteti ndërkombëtar nuk
është i kënaqur me politikën në vendin e tyre dhe se ne jemi në krah të
qytetarëve të Shqipërisë në përpjekjet për ta ndryshuar gjendjen. Ne duam që
ndryshimet të jenë paqësore, në përputhje me ligjin, por që kjo të realizohet
duhet të njerëzit të bashkohen dhe të thonë “nuk duam këtë lloj politike, duam
një lloj tjetër politike”. Mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kanë
dërguar sinjalet e duhura se ne i mbështesim këto lloj nismash paqërore dhe
demokratike si për shembull për një media më të pavarur, shoqërinë civile siç e
thashë, grupe aktivistësh që duan të çojnë përpara një çështje të veçantë. Duam
që zyrtarët e qeverisë të jenë më të hapur ndaj zgjedhësve të tyre dhe t’u
përgjigjen shqetësimeve të tyre.
Zëri i
Amerikës: Sistemi i drejtësisë në Shqipëri, është kritikuar shpesh në raportet
e organizatave ndërkombëtare. Nga ana tjetër, kur ka probleme me procesin
zgjedhor, në mënyrë të pashmanshme ato shkojnë për zgjidhje tek institucionet e
drejtësisë. Si ndikon mungesa e besueshmërisë tek mënyra sesi zhvillohet
procesi zgjedhor, gjatë votimeve dhe pasi ato kanë përfunduar?
Robert
Hand: Kjo na rikthen tek KQZ-ja, sepse vetëm me katër
anëtarë, nuk besoj se do të jetë në gjendje të marrë vendime për ankesat dhe ky
duhet të ishte një nga hapat në përpjekje për të zgjidhur sfida ndaj
procedurave zgjedhore dhe pastaj do të shkonte tek kolegji elektoral. Do të
jetë e vështirë për këto zgjedhje për shkak të zhvillimeve të deritanishme.
Mendoj se shumë varet nga fakti nëse ditën e zgjedhjeve, gjërat shkojnë mbarë
në mënyrë të mjaftueshme që të mos ketë kontestime. Mendimi im është se nuk
duhet të depozitohen ankesa, nëse nuk ka një bazë për ankesën. Nuk duhen bërë
ankesa thjesht që të ketë ankesa. Por shpresoj që nëse votimi shkon mbarë, nuk
do të ketë shumë ankesa dhe rezultatet do të respektohen. Ndoshta do të ketë
disa pikëpyetje nëse gjykatat do të mund t’i gjykojnë siç duhet këto çështje,
por në fillim le të shpresojmë që të mos ketë shumë probleme, në mënyrë që të
mos ketë shumë ankesa për të shqyrtuar. Ndoshta partitë politike, duke mësuar
nga përvoja me KQZ do të mësojnë të sillen më mirë dhe të mos ketë shumë ankesa
për të cilat duhet marrë vendim. Me kalimin e kohës duhet bërë punë e mëtejshme
me gjykatat për të garantuar më shumë respekt për shtetin ligjor, gjë që do të
rriste besimin tek zgjedhjet e ardhshme.
Zëri i
Amerikës: Që nga rënia e komunizmit në Shqipëri, partitë politike dhe
udhëheqësit politikë janë kritikuar se kanë ndjekur interesat afatshkurtra
politike dhe duket se kjo lloj prirjeje po vihet re edhe në këto zgjedhje. Cila
do të ishte këshilla juaj për ta shmangur një mënyrë të menduari mbështetur në
cikle zgjedhore – që në fakt ndonjëherë ndodh edhe këtu në SHBA - në favor të një vizioni afatgjatë për të
mirën e vendit?
Robert
Hand: Po të dija t’i përgjigjesha kësaj pyetje aq
saktë sa do të doja, me siguri do merrja çmimin Nobel. Mendoj se një pjesë e
përgjigjes mbështetet tek ajo që ju sapo përmendët në pyetjen tuaj. Kjo dukuri
ndodh këtu dhe ndodh kudo. Interesi parësor i politikanëve është të marrin
pushtetin dhe ta ruajnë atë. Ajo që është ndryshe këtu dhe në vende të tjera
dhe që ende nuk ka ndodhur në Shqipëri, është që dikush të jetë në gjendje të
prezantojë një plan afatgjatë, që ta fusë vendin në rrugën e reformave, në
rrugën e duhur, por në një mënyrë që të jetë tërheqëse për të ardhmen e afërt. Për
momentin të gjithë përqendrohen tek interesat afatshkurta dhe herë fiton njëra
palë dhe herë tjetra. Por nuk është askush që mund të fitojë mbështetje të
fortë me një mënyrë të menduari afatgjatë. Ka disa parti më të vogla që janë formuar
së fundmi, ose edhe më parë si LSI-ja, por në shumicën e rasteve ato u
bashkangjiten partive të mëdha, ose hyjnë në koalicione që u sjellin edhe atyre
përfitime afatshkurtra. Ajo që mendoj se është e nevojshme, janë disa
alternativa reale në Shqipëri dhe ndoshta këto alternativa mund të shfaqen edhe
nga brenda partive ekzistuese. Në Partinë Demokratike, në Partinë Socialiste,
ka njerëz me ide vërtet të mira. Kjo është diçka që e përmendi edhe kongresmeni
Aderholt (Robert Aderholt, republikan nga Alabama) në seancë. Ka njerëz të
zgjuar dhe me vullnet të mirë në këto parti që ndoshta duhet të ngjisin
rangjet, ndoshta duhet të ketë më shumë demokraci brenda këtyre partive, në
mënyrë që njerëz që kanë një vizion të ndryshëm për të ardhmen e vendit, një vizion
më afatgjatë, të mund të kenë më shumë ndikim. Pra ka disa mënyra për ta
realizuar këtë synim, nuk do të thotë domosdoshmërisht një parti e re. Por në
fund të fundit, qytetarët kanë nevojë për dikë që të hedhë hapin pa pasur
garanci, të ketë guxim dhe të thotë: kjo është ideja ime. Shpresa ime është që
nëse dikush e ndërmerr këtë hap, qytetarët të përgjigjen dhe të thonë: “Po,
këtë duam edhe ne!”. Dhe kjo do ndihmojë për të sjellë ndryshim në Shqipëri.
Kështu ndodh edhe këtu herë pas here. Disa njerëz duan të rrinë në pushtet, por
pastaj del dikush që ka një vizion të ndryshëm dhe njerëzit reagojnë, duke
votuar për të. Kjo duhet të ndodhë edhe në Shqipëri.
No comments:
Post a Comment