Monday, May 20, 2013


Republika e Maqedonise ne zgrips.




 Nga Ibrahim Kelmendi


Aktualisht është sforcuar së tepërmi trysnia ndaj Republikës së Makedonisë (RM) për ta pranuar ndryshimin e emrit. Presioni është sforcuar sidomos nga Brukseli dhe Uashingtoni. Ata tashmë po insistojnë konkretisht dhe me sforcim anëtarësimin e RM-së në NATO dhe në BE. Sigurisht, më shumë për hir të interesave gjeostrategjike dhe të stabilizimit të paqes në rajon sesa për hatër të qytetarëve të këtij shteti të brishtë.

Angazhim konkret i liderit Ali Ahmeti

Tashmë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, u angazhua konkretisht për zgjidhjen e kësaj çështjeje kaq problematike. Ai ndërmori një tur politik e diplomatik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ta kërkuar mbështetjen ndërkombëtare, edhe më të fuqishme, për anëtarësimin e RM-së në NATO dhe në BE. Ai duhet të ketë shkuar për ta bërë të njohur edhe pozicionimin e popullit shqiptar në RM sepse, siç e tha edhe ndihmëssekretari i shtetit amerikan, z. Reeker: "Ahmeti ka një hall të madh mbasi ka ardhur në Amerikë!" Sapo u kthye nga ShBA-të lideri Ahmeti e tha shkoqur se tashmë është koha për ta zgjidhur çështjen e emrit, që të ndodhë anëtarësimi sa më i shpejtë i RM-së në NATO dhe marrja e datës për t’i filluar bisedimet për anëtarësim në BE. Por ama nuk ishte mjaft i qartë, kur i garantoi bashkëqytetarët makedonë, se me propozimin e ri të ndërmjetësuesit të OKB-së, z. Nemic, nuk cenohet identiteti kombëtar, gjuhësor dhe kulturor i popullit makedon. Dhe dukej se nuk ishte i qartë sepse nuk donte ta dekonspironte propozimin aktual të z. Nemic, siç ndodh kur bëhen biseda konfidenciale të këtij rangu politik. Ai e shpjegoi shkoqur se ua kishte shpjeguar bashkëbiseduesve: shqiptarët në RM tashmë kjo zvarritja e stërzgjatur ka zënë t’i nervozojë, prandaj nuk do të ishte në gjendje t’i kontrollonte më, nëse nervoza do t’u kalonte në zemërim. Njëherësh, z. Ahmeti bëri me dije se shqiptarët, të cilët përbëjnë rreth 30 % të popullsisë së gjithëmbarshme të RM-së, nuk mund të injorohen gjatë vendimmarrjes dhe as secili emërtim kompromis nuk do të akceptohet, nëse nuk do të merret parasysh edhe qenësia dhe vullneti i tyre.

Kane ndonjë propozim konkret shqiptarët?

Është lehtë të kritikosh përse po zvarritet anëtarësimi i RM-së në NATO dhe në BE, është lehtë të thuhet se duhet të ndodhë tani, sot, menjëherë, por problemi është vërtetë i koklavitur, goxha i vështirë për t’u zgjidhur. Kanë shqiptarët ndonjë propozim konkret për riemërtimin e RM-së, meqë duken më kërkues për zgjidhje sa më të shpejtë të këtij ngërçi? Deri tani nuk më ka rënë rastisur të lexoj e të dëgjoj, as subjektet partiake, as shoqatat, as individët, të kenë propozuar ndonjë riemërtim konkret. Vetëm misionari shqiptar Branko Manojllovski pat publikuar një riemërtim kompromis në verën e vitit 2011: Makedonia Ilire. Arsyetimi i tij, pos të tjerave, ishte: si Pellazgo-makedonët, ashtu edhe Pellazgo-dardanët, i përkisnin së njëjtës popullsi pellazgisht-folëse, kishin bashkëjetuar me shekuj, kishin formësuar identitet të njëjtë kulturor e fetar, pra kishin të njëjtin identitet etnik. E sa për dallimin e tanishëm gjuhësor në mes të makedonëve dhe shqiptarëve, ai jepte sqarime të logjikshme: bashkëqytetarëve makedonë gjuhën ua ka ndryshuar pushtimi rreth 600-vjeçarë bullgarë, siç ka ndodhur asimilimi gjuhësor i pellazgo-ilirëve në Slloveni, Kroaci, Bosnjë, Serbi, Mal të Zi. Këtë e argumentonte me faktin konkret: Shqiptarëve ortodoksë në Makedoni ua ka ndryshuar gjuhën diktatura komuniste vetëm për tre-katër dekada, pas Luftës së Dytë Botërore, duke vazhduar procesin e asimilimit që kishte zbatuar pushtuesi serb gjatë viteve 1913-1941. Sipas tij, emërtimi kompromis Makedonia Ilire do të ishte më realisti, edhe për popullin makedon si pasardhës i pellazgo-makedonëve antikë, edhe për popullin shqiptar, si pasardhës i pëllazgo-dardanëve. Për të afirmuar këtë riemërtim kompromis misionari Branko Manojllovski eci buzë Lumit Vardar në verën e vitit 2011, nga burimi në Vrutok të Gostivarit, deri në derdhje në Detin Egje. Fatkeqësisht, propozimi i tij nuk u diskutua në përmasa të duhura, si një nga mundësitë, sepse qytetarët dhe opinionbërësit në RM mendojnë se dikush tjetër do të gjejë dhe do të imponojë emrin kompromis, meqë ata edhe ashtu nuk pyetën...

Zvarritja është imponuar njëanshmërisht nga neofashistët helenë

Rëndom, për zvarritje të riemërtimit kompromis po akuzohen padrejtësisht vetëm elita politikemakedone, bile edhe populli makedon. Fakt është se zvarritjen e deritanishme e kanë kushtëzuar njëanshmërisht dhe padrejtësisht vetëm neofashistët helenë, duke u thirr në “të drejtën historike”. 
Për aq sa kam mundur të përcjell për së afërmi zhvillimet në RM gjatë shtatë vjetëve të fundit, nuk më ka rastis të lexoj e të dëgjoj ndonjë shqiptar të thotë këtë të vërtetë. Bile, ka nga ata shqiptarë injorantë, të cilëve u bëhet qejfi për këtë qëndrim neofashist të nacionalistëve helenë, vetëm pse nuk e dëshirojnë konsolidimin e identitetit etnik të popullit makedon. Të tillët kanë si motiv kryesor inatet dhe hidhërimet nga Lufta e Dytë Botërore, sidomos nga koha e diktaturës komuniste, e cila e ka diskriminuar veçanërisht popullin shqiptar në RM, ndërsa shqiptarët ortodoksë pothuajse i ka asimiluar krejtësisht. Sigurisht, shqiptarët kanë edhe inate dhe hidhërime të freskëta, sepse edhe pas përfundimit të diktaturës komuniste, në shtetin e pavarur të RM-së pas vitit 1991, atë diktaturë e vazhdoi diktatura nacionaliste makedone, veçanërisht ndaj popullit shqiptar. Por, gjithë këto inate dhe hidhërime, sado të arsyeshme, nuk do të duhej të ishin pengesë për të mbajt qëndrim korrekt kundër neofashizmit helen lidhur me kushtëzimin e njëanshëm dhe të padrejtë që i ka vënë RM-së.
Cilën “të drejtë historike” e kanë helenët e tanishëm, për të insistuar që t’i ndalohet popullit makedon të ndihet si pasardhës i pellazgo-makedonëve antikë!? Vetëm pse mbreti makedon, Filipi i Dytë, i pushtoi me luftëra të rrepta qytetet-shtete të grekëve grindavecë antikë dhe i bashkoi përdhunshëm në një “Federatë”!? Vetëm pse Pasuesi i Filipit të Dytë, i famshmi Hero mitik e legjendar Aleksandri (Leka) i Madh i ripushtoi ato qytete-shtete, sepse u nxituan ta shpallin pavarësinë e tyre, sapo dëgjuan se Filipi i Dytë ishte vdekur!? Bile Tebën, që shquhej ushtarakisht si më i forti qytet-shtet grek, Aleksandri i Madh e zhbëri barbarisht, duke lënë gjallë vetëm një dëshmitar, që t’u tregonte athinasve çfarë mund t’u ndodhte nëse e kundërshton sovranitetin e Makedonisë pushtuese. Si Filipi i Dytë, ashtu edhe Leka i Madh, kishin për këshilltar e mësues filozofin e shquar, Aristotelin, i cili vetëm helenë nuk ishte. Këtë informatë na e ka përcjell vetë ai, kur u arratis nga Athina me rastin e vdekjes së Aleksandrit të Madh; athinasit e përndjekjen Aristotelin për “fajet” se ishte i huaj dhe ishte mësues i Aleksandrit të Madh. Se Makedonia nuk ishte “greke” e dëshmojnë bindshëm edhe fjalimet e oratorit të shquar dhe udhëheqësit athinas Demosteni, i cili u fliste qytetarëve të Athinës së pushtuesi Filipi i Dytë ishte “barbar”, si edhe populli Makedon, rrjedhimisht se ishin të huaj, jogrekë.
Pa pasur nevojë të zgjatëm me paraqitje historike të asaj kohe, rezulton që “e drejta historike” kurrsesi nuk u jep tani të drejtën e fashistëve helenë të Athinës që të përvetësojnë si të tyre famën e Makedonisë antike, të Filipit të Dytë e të Aleksandrit të Madh. Nëse do të duhej të përdoret si kriter “e drejta historike” atëherë ajo u takon pasardhësve të pellazgo-makedonëve dhe pellazgo-dardanëve, të cilët atëherë kanë jetuar në fqinjësi dhe të përzier mes tyre, kanë fol të njëjtën gjuhë, pra, e drejta e trashëgimisë u takon popullit makedon dhe popullit shqiptar, të cilët kanë vazhduar të bashkëjetojnë gjatë gjithë shekujve pasues, të përzier dhe në hapësirë të përbashkët. Kjo e kaluar e përbashkët do të duhej t’i ndërgjegjësojë sidomos shqiptarët që të pozicionohen njerëzisht, drejtësisht, shqiptarisht: pro identitetit etnik të popullit makedon dhe kundër neofashizmit helen. Për këtë nuk duhen të irritohen as nga shpjegimet e tanishme të ca makedonëve të lajthitur, të cilët janë të influencuar kryesisht nga shkolla e Beogradit, se populli makedon na qenkësh pasardhës i popullit antik makedon, njëherësh është edhe popull sllav. Sigurisht, ky lloj shpjegimi është më se qesharak, pasi kushdo që ka njohuri minimale historike, di se makedonët antikë vetëm të përkatësisë etnike sllave nuk ishin...

100-vjetori i Marrëveshjes së Bukureshtit

Jemi në prag të 100-vjetorit të Marrëveshjes së Bukuroshit, e cila është firmos nga përfaqësuesit e Helladës (“Greqisë”), Bullgarisë, Serbisë, Rumanisë dhe Malit të Zi, më 10 gusht të vitit 1913. Kjo marrëveshje i dha fund Luftës së Dytë Ballkanike, duke i ndarë mes tyre viset e pushtuara shqiptare dhe makedone. Hapësirat e tanishme të Makedonisë dhe të Kosovës iu aneksuan Serbisë, Makedonia e Egeut iu aneksua Helladës dhe Makedonia e Pireut Bullgarisë.
Siç dihet, Lufta e Parë Ballkanike u zhvillua nga aleanca e Serbisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Malit të Zi, kundër Perandorisë pushtuese osmano-turke. Ajo përfundoi me Marrëveshjen e Fuqive të Mëdha, e miratuar në Londër më 19 maj 1913, sipas së cilës, kufiri i Perandorisë është ky i sotmi, në mes Turqisë dhe Evropës.
Paraprakisht Serbia kishte invaduar në territorin e tanishëm të RM-së, më 3-4 nëntor 1912 në Kumanovë, më 6 nëntor në Shkup, më 22 nëntor në Ohër dhe më 29 nëntor 1912 në Manastir. Paraprakisht, më 10 gusht 1912, kryengritësit shqiptarë, nën udhëheqjen politike të Hasan Prishtinës, e kishin çliruar Shkupin nga pushtimi osman, por nuk e kishin mbajt, sepse ca krerë injorantë shqiptarë kishin insistuar që kryengritësit shqiptarë të angazhoheshin për lirimin e sulltanit nga burgu në Manastir. Angazhim më serioz çlirimtar kundër pushtimit serb kishin shqiptarët në mes të Dibrës e Ohrit. Në shtator të vitit 1913 kryengritësit shqiptarë, pasi çlirojnë Dibrën, nisën për në Ohër, nën komandën e shqiptarit ortodoks MiloMato nga Struga. Atë e emëron për komandant të forcave të armatosura shqiptare Qeveria Provizore e formuar në Dibër më 20 shtator 1913, e përbërë nga gjashtë veta, e kryesuar nga Sefedin Pustina. Ato forca të armatosura shqiptare, bashkë me kryengritësit makedonë, çlirojnë nga pushtimi serb edhe Strugën dhe Ohrin, pasi e kishin çliruar Dibrën. Pas një jave ushtria serbe sërish e ripushton Ohrin me rrethinë dhe Dibrën.
Bullgaria, e pakënaqur pse Serbia kishte pushtuar Makedoninë e Vardarit, i shpall luftë Serbisë më 29 qershor 1913. Aleanca e re e Serbisë, Greqisë, Rumanisë dhe Malit të Zi e mund Bullgarinë. Këto luftëra në histori njihen me emërtimin “Lufta e Dytë Ballkanike”. Më 10 gusht 1913 Bullgaria kapitullon. Me kapitullimin e saj firmoset Marrëveshja e Bukureshtit. Pjesën më të mëdha të Makedonisë i pushtojnë Hellada dhe Serbia, rrjedhimisht ato i pushtojnë të ashtuquajturat Makedoni e Egeut dhe Makedoni e Vardarit. Bullgarisë i mbetet Makedonia e Pireut.
 
Teksti i Marrëveshjes së Bukureshtit vazhdon të mbahet sekret sepse, sipas saj, siç është përfol qysh atëherë, është vendos që ndarja e Makedonisë të zgjasë 100 vjet, pastaj Makedonia duhet të pavarësohet si shtet i tërësishëm.
Meqë Serbia u detyrua nga Bashkësia ndërkombëtare të heqë dorë nga mbajtja nën pushtim të Republikës së Makedonisë në vitin 1991, hallin e kanë tani Hellada (“Greqia”) dhe Bullgaria, nga se e drejta juridike për mbajtjen nën pushtim të Makedonisë së Egeut dhe Pirinit u skadon më 10 gusht 2013. Prandaj, ndoshta vetëm për shkak të afatizimit nga Marrëveshja e Bukureshtit, Hellada i ka marrë masat preventive që të mos njohë fare Republikën e Makedonisë dhe as të popullit makedon si etni autentike. Aktualisht bastardëve helenë nuk u intereson fare Greqia antike, sepse nuk i lidh asgjë me atë, pos territorit të uzurpuar, por u intereson t’i mbajnë nën pushtim territoret e Makedonisë dhe të Shqipërisë...

Zgjidhja pragmatike mbase është e domosdoshme

Megjithatë, zgjidhja pragmatike sa i përket riemërtimit të Republikës së Makedonisë mbase është bërë e domosdoshme. NATO dhe BE janë krijuar mbi baza të vendimmarrjes me konsensus të shteteve anëtare. Atë konsensus po e vuan tani RM-ja, sepse neofashistët e Athinës po e shpërdorojnë deri në banalitet të drejtën e vetos. NATO dhe BE po detyrohen ta akceptojnë veton e Athinës. Kësaj nuk i thonë drejtësi, por marrëzi.
Cilat janë alternativat për të zgjidhur ketë ngërç? Në njërën anë qytetarët e RM-së, sidomos shqiptarët, por në shumicë edhe makedonët, janë të interesuar që të anëtarësohen sa më shpejt në NATO dhe në BE, ndoshta jo për tjetër, por kryesisht për hir të sigurisë, të stabilitetit politik dhe të zhvillimit të përshpejtuar ekonomik. Në anën tjetër makedonët duan ta ruajnë identitetin e tyre etnik, i cili po u mohohet sidomos nga Hellada, Bullgaria dhe Serbia. Hellada, tashmë kjo dhi e zgjebosur, po vazhdon kushtëzimin. Në ndërkohë e ka paralajmëruar edhe Bullgaria, se do të vë kushtëzimet e saj. Vetëm shtetet fqinjë, Shqipëria dhe Kosova, po e përkrahin deri tani RM-në, pa asnjë kushtëzim. E, dihet se edhe Shqipëria ka të drejtën e vetos në NATO, si shtet anëtar i kësaj Aleance. Këtë përkrahje të popullit shqiptar elita politike makedone nuk po di ose nuk po do ta çmojë meritueshëm.

Cila është zgjidhja e këtij ngërçi?

Lehtë është të thuhet se duhet të gjendet zgjidhja përmes kompromiseve pragmatike, por goxha vështirë është rakordimi i emrit kompromis. Fatkeqësisht, RM-ja nuk e ka gjendjen solide politike, ekonomike e sociale për t’i përballuar kushtëzimet e padrejta të Athinës, nesër ndoshta edhe Sofjes dhe të parazitëve të inkriminuar të Qipros, por edhe të ndonjë shteti tjetër, meqë u është dhënë mundësia juridike për ta shpërdoruar të drejtën e vetos.
Edhe pse kjo gjendje është kaq e rëndë, pothuajse e pazgjidhshme, as përfaqësuesit e eshalonit të tretë të subjekteve partiake ende nuk po debatojnë bashkërisht, se si mund të gjendet emri kompromis.
Këtë nuk po e bëjnë as shoqatat dhe as opinionbërësit. Të gjithë i kanë drejtuar sytë vetëm te kryeministri Nikolla Grujevski, i cili tashmë duket se është imponuar si një lloj mbreti në Republikën e Makedonisë. I mençuri do të thoshte: Mos qofsha në lëkurë të tij...

No comments:

Post a Comment