Friday, May 17, 2013
Rama në Gjirokastër: Në këtë qark do marrim 4 deputetë
Kryesocialisti Edi Rama ka qenë gjatë pasdites së sotme në Gjirokastër, ku ka prezantuar kandidaitët e kësaj partie. Gjatë fjalës së tij, Rama ka thënë se nga Gjirokastra do të vijë fitorja e madhe e PS-së më 23 qershor. Ndërkohë, ai ka akuzuar drejtorët e shkollave dhe spitaleve, se kanë bërë presion tek njerëzit që të mos dilnin në shesh për mitingun e PS-së.
“Gjirokastra, Tepelena, Përmeti, Këlcyra, Dropulli, të gjithë janë gati për rilindjen, për t’i dhënë PS-së më 23 qershor një fitore historike në këtë qark. E di që sot, dje, pardje, drejtorët e Gjirokastrës janë përpjekur t’ju pengojnë të vini në këtë shesh, si në të gjithë Shqipërinë. Janë përpjekur shumë të ushtrojnë të gjithë presionin e pushtetit për t’iu mbajtur larg këtij sheshi, po ja që përgjigjen më të mirë e kanë marrë sot nga ky shesh i mbushur kaq shumë me të reja dhe të rinj. Pas fitores së 23 qershorit do marrin edhe përgjigjen tjetër, atë të merituar, përgjigjen për presionet e tyre antikushtetuese e kriminale ndaj njerëzve, nxënësve dhe nxënësve, që më 23 qershor do bëhen pjesë e asaj fitore që do e ndryshojë Shqipërinë dhe shkollën. Kurrë më nuk do të ketë drejtorë shkollash që bëjnë presion, përdorin institucionet e shtetit për interesat e pushtetit, kurrë më arsimtarë që merren zvarrë në sheshe. Ne i mbushim sheshet me qytetarët që kërkojnë ndryshimin, ndërsa ato të Saliut nga turmat e robërve që do i çlirojmë më 23 qershor”, tha Rama.
Ai premtoi se PS do të arrijë një fitore historike në Gjirokastër më 23 qershor, duke nxjerrë 4 deputetë nga 5 mandate që ka ky qark, duke qenë se ky qark ka qenë ndër më të diskriminuarit nga Berisha.
“E di shumë mirë se çfarë do i thotë Gjirokastra Saliut më 23 qershor. Ju jeni sot të izoluar nga mungesa e rrugëve, në varfëri dhe papunësi. Ndëshkimin historik do e jepni me zgjedhjen e 4 deputetëve të PS në parlament. Emigrantët do vijnë për të ndëshkuar qeverinë e rrënimit me votën e tyre, qeverinë e papunësisë, qeverinë që po e shkatërron biznesin, qeverinë e shërbimeve sipas qejfit. Nuk e di çdo ju thotë Saliu tregtarëve të vegjël që janë në prag të falimentimit, por di çdo t’i thonë ata Saliut më 23 qershor. Ata me votën e tyre do heqin taksën e biznesit të vogël, do ulin tatim-fitimin dhe do krijojnë kushte për zhvillimin e biznesit të tyre. Mësuesve, mjekëve, infermierëve, do ju thotë se ju ka dyfishuar rrogat, por ata me votën e tyre do i thonë se dyfishimi i rrogave është shoqëruar me dyfishimin e çmimeve të papërballueshme, dhe ata do ta ndëshkojnë me votë”, u shpreh Rama më tej
Tema Online
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment