Politika me nje sy
Nga Emin Azemi
Një diplomat i huaj që takon liderët tanë duhet të jetë shumë i zgjuar për ta kuptuar gjuhën dhe kodin e tyre të komunikimit. E kanë vështirë të gjejnë një fjali që do të përshkruante me pak fjalë gjendjen tonë dhe paqartësinë e tyre, andaj në vend të paqartësive, ata radhisin disa pika. Pikërisht në ato pika fshihet fati ynë, fati i një populli që udhëhiqet në mënyrë fragmentare, eklektike e jo-kreative
Kriza aktuale politike që ka mbërthyer Maqedoninë, në sfond po përshkohet edhe nga kurtuazia diplomatike e mbështjellë me mesazhe të koduara dhe të pakoduara. Por, ajo që ngel e pa mbështjellë është mjegulla e hutimeve që diplomatët i përcjell nga takimi në takim. Hutimet, para së gjithash, kanë të bëjë me shqiptarët. Liderët shqiptarë, ashtu siç janë të përçarë në skenën politike, janë të çakorduar e konfuzë edhe në paraqitjet e tyre para të huajve.
Cila është hutesa e parë? Diplomatët tashmë e kanë kuptuar se shqiptarët edhe në këto zgjedhje vendore, që pritet të mbahen më 24 mars (nëse ndërkohë nuk paraqitet ndonjë arsye për t’u shtyrë), shkojnë shumë të fragmentuar. Në pritje të krijimit të opinioneve për ndonjë platformë të përbashkët parazgjedhore të shqiptarëve, diplomatët e huaj më kot harxhojnë energji e kohë, sepse ato platforma as kanë qenë ndonjëherë as do të bëhen tani. Sepse, platformë të përbashkët zgjedhore nuk mund të bëjnë dy a tri parti me koncepte diametralisht të kundërt: njëra me koncept euro-integrist, tjetra me koncept disonant politiko-nacional, ndonjë tjetër me moral të dyfishtë etj. Shqiptarët e këtushëm e kanë më lehtë ta kuptojnë këtë mishmash konceptesh e moralesh politike, por një diplomat i huaj e ka vështirë të dijë se si është gatuar kjo çorbë dhe çfarë shije ka ajo.
Cila është hutesa e dytë? Në takimet e ndara me liderët politikë shqiptarë, diplomatët e huaj marrin turli mesazhesh. Njëri lider tregohet shumë kozmopolit, duke ia qarë hallin ardhmërisë së Maqedonisë, tjetri tepër egocentrik, duke shprehur pakënaqësi rreth padrejtësive që i bëhen partisë së tij sipas Kodit të ri Zgjedhor, ndërkaq lideri i tretë dhe i katërt kanë ide e opsione të kundërt për rregullimin kushtetues e politik të statusit të shqiptarëve në Maqedoni, ndonëse harrojnë se në zgjedhjet vendore këto tema madhore as që vijnë në shprehje ndonjëherë.
Cila është hutesa e tretë? Të gjithë liderët politikë shqiptarë flasin për reforma, por ata ende vazhdojnë të punojnë me standarde dhe me kuadro që u ka skaduar afati i përdorimit. Janë të njëjtët emra lojalë që bëjnë tellallin e liderit dhe janë të njëjtat fraza bajate që përshkruajnë unitetin rreth ideve eklektike, pa vizion të qartë se si mund të zbatohen ato.
Eklektizëm e jo-kreativitet
Një diplomat i huaj që takon liderët tanë duhet të jetë shumë i zgjuar për ta kuptuar gjuhën dhe kodin e tyre të komunikimit. Krejt në fund, pas përmbylljes së vizitave nëpër parti, diplomatët shkruajnë raporte dhe ua dërgojnë qendrave të tyre. E kanë vështirë të gjejnë një fjali që do të përshkruante me pak fjalë gjendjen tonë dhe paqartësinë e tyre, andaj në vend të paqartësive ata radhisin disa pika. Pikërisht në ato pika fshihet fati ynë, fati i një populli që udhëhiqet në mënyrë fragmentare, eklektike, jo-kreative.
Të paqartë me vetveten, të paqartë me të huajt, por shumë të qartë me partnerët maqedonas, liderët politikë shqiptarë po shkojnë edhe në këto zgjedhje vendore.
Analiza më e stërholluar e deformimeve në veprimin politik të shqiptarëve nxjerr si konkludim faktin se hapësira vepruese e partive politike shqiptare është e reduktuar brenda disa klisheve, që i cakton vetë sistemi politik, por edhe rrethanat e ndryshme. Skema e projektuar si një klishe, që parasheh një parti shqiptare në pushtet dhe të tjerat në opozitë, asnjëherë nuk ka dhënë dëshmi të pjekurisë dhe koherencës politike. Futja në agjendat e partive maqedonase i ka bërë të parëndësishme platformat politike të partive shqiptare, të cilat ndryshe sillen kur janë në opozitë, e krejt ndryshe në pushtet. Ky katapultim i partive shqiptare nga një ekstrem në ekstremin tjetër s’ka mundur të krijojë një kornizë që do të fokusonte problemet e përbashkëta me të cilët ballafaqohen shqiptarët. Prandaj, ne sot i kemi politikanët shqiptarë të pushtetit avokatët më të mëdhenj të kryeministrit dhe të gjithë ata që kritikojnë pushtetin do të ballafaqohen me një mal akuzash nga partnerët shqiptarë të kryeministrit. Kush nuk do të donte të ndodhej në pozicion komod të kryeministrit, i cili nganjëherë harron se kush e mbron atë më shumë – bashkëpartiakët e tij apo partnerët shqiptarë të koalicionit.
Shqiptarët në ruletin politik të maqedonasve
Gruevski e Cërvenkovski e kanë zgjedhur njëfarë ruleti për të rrotulluar deri në marramendje bixhozin e tyre politik, por ç’kanë partitë shqiptare që janë renditur, krejt veç e veç, dhe po presin se cila e para do t’ia mësyjë “kazinosë” së tyre. Ata që besojnë se arsyeja pse partitë shqiptare nuk bëjnë koalicion parazgjedhor lidhet gjoja me legjitimimin më dinjitoz të vullnetit elektoral të shqiptarëve, e kanë gabim. Pse? Sepse, asnjë parti politike shqiptare, e vetme, nuk mund të sigurojë vota më shumë se tri a katër parti shqiptare së bashku. Një parti e vetme shqiptare, mund t’i siguroj vetes vetëm përfshirje dekorative në pushtetin qendror a vendor, duke legjitimuar në mënyrë false komponentin shumetnik, pa të cilën politika maqedonase e ka vështirë të gëzoj përkrahjen e faktorit ndërkombëtar. Me fjalë të tjera, i bie që partitë shqiptare më shumë gajlohen se si të marrin vota më tepër për të hy në këso lloj pushtetesh qesharake se sa për të demonstruar ndonjë faktorizim politik të vullnetit elektoral të shqiptarëve. Nuk ka ndodhë deri më tani që të përfshihen në pushtet më shumë se një parti shqiptare. Shqiptarët duan vetë të hyjnë në pushtet, sepse pazari nuk bëhet, sipas tyre në gjashtë sy, por në katër, bile ndonjëherë njëri sy mbyllet krejt.
Nëse katallani mitologjik kishte vetëm një sy për të trembur ndonjë shtegtar të lajthitur, qoftë ai edhe vetë Odiseja, politika shqiptare në Maqedoni vazhdon ta frikësoj popullin e vet me kokëfortësinë e mosunitetit të brendshëm për llogari të kauzave politike maqedonase.
No comments:
Post a Comment