Friday, May 24, 2013

Qeveria e Kosovës: Besojmë në pafajësinë e komandantëve të UÇK-së



Qeveria e Republikës së Kosovës shprehet e brengosur për zhvillimet e fundit lidhur me aktakuzat për krime lufte ndaj ish Komandantëve dhe luftëtarëve të UÇK-së. Qeveria e Republikës së Kosovës beson në luftën e drejtë të UÇK-së dhe të luftëtarëve e komandantëve të saj, luftë kjo që bëri që Kosova të fitoj lirinë, pavarësinë, shtetin demokratik dhe partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare, me SHBA-të dhe NATO-n. Qeveria e Republikës së Kosovës ndërton dhe mbështet sundimin e rendit dhe ligjit, funksionimin e pavarur dhe të paanshëm të gjyqësorit në tërësi dhe të EULEX-it dhe pret që edhe ky proces të zhvillohet mbi këto parime që mbrohen nga ne dhe bota demokratike. Qeveria e Republikës së Kosovës beson në drejtësi dhe në pafajësinë e komandantëve dhe ushtarëve të UÇK-së.
Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylejman Selimi është i dyshuar për krime lufte. Avokati i tij, Tomë Gashi, ka thënë se Selimi nuk kishte ftesë për t’u paraqitur, por ai ka konfirmuar se mbi klientin e tij rëndojnë dyshime për krime lufte. Selimi ka mbërritur dje nga Tirana dhe sot pritet të paraqitet  në seancën e procedurës paraprake, ku një gjykatës i EULEX-it pritet të marrë vendim nëse ambasadorit Selimi do t’i shqiptohet masa e paraburgimit apo do të lihet i lirë. Seanca do të mbahet në orën 15:00 dhe aty bashkë me Selimin, do të jenë edhe Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku e Hysni Thaçi, të cilët qysh dje po mbahen në mbajtje. Të gjithë këta akuzohen për krime lufte – arrestime, torturime dhe trajtim çnjerëzor, në kundërshtim me rregullat e luftës, gjatë luftës në Kosovë.

No comments:

Post a Comment