Tuesday, May 28, 2013

Berisha nuk tërhiqet për KQZ: Opozita të sjellë 3 anëtarët e saj



Kryeministri Sali Berisha nuk ka bërë asnjë hap prapa lidhur me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në takimin me Drejtorin e Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Jonathan Moore, i cili shoqërohej nga ambasadori Aleksandër Arvizu. Në një njoftim të zyrës së shtypit të Berishës thuhet se kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë që kjo çështje të zgjidhet sa me shpejt në zbatim të Kodit Zgjedhor. “Kryeministri e njohu shkurtimisht z. Moore me përgatitjet zgjedhore, ku vuri theksin në përmirësimin e madh të kornizës ligjore, infrastrukturës së votimit dhe asaj të numërimit. Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e madhe për angazhimin e madh të faktorit ndërkombëtar, e veçanërisht të SHBA në dërgimin e numrit më të madh të mundshëm të vëzhguesve. Kryeministri theksoi se një mision i fortë vëzhgimi i përbërë OSBE/ODIHR, shtetet antare të OSBE, Këshilli i Evropës, Parlamenti Evropian, etj, është një garanci e madhe për transparencën e procesit dhe besueshmërinë e rezultatit zgjedhor. Në këtë kuadër, Kryeministri nënvizoi rëndësinë e pranimit të rezultatit nga të gjitha palët. Në takim u diskutua edhe në lidhje me KQZ-në dhe nevojën për plotësimin e vendeve në të. Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë që kjo çështje të zgjidhet sa me shpejt në zbatim të Kodit Zgjedhor. Në këtë kuadër, Kryeministri u shpreh se, në kushtet kur Kuvendi nuk ka marrë ende vendim për të pranuar dorëheqjet dhe shpallur vakancat e tri vendeve të opozitës në KQZ, anëtarët e dorëhequr mund të rikthehen në detyrë menjëherë. Si alternativë, Kryeministri theksoi se mazhoranca është e gatshme që, nëse opozita dërgon kandidatura të reja në Kuvend, t'i votojë ato në seancën e jashtëzakonshme të datës 30 maj. Në takim u bisedua edhe për çështje të rajonit ku theksi u vu tek marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimit të saj”.

No comments:

Post a Comment