Friday, May 24, 2013

Arvizu: Riformatoni KQZ në seancën e së hënës



Edhe ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, i është bashkuar apelit të kryetarit të FRD-së, që seanca e të hënës të shërbejë për të zgjidhur ngërçin e krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që funksionon në mënyrë të cunguar. Duke folur pas një takimi të zhvilluar me kreun e Gjykatës Kushtetuese, Arvizu tha se seanca e ditës së hënë është një mundësi edhe për çështjen e KQZ-së, përveç tre ligjeve. “Sot është dita e parë e fushatës, por mesa duket ajo ka nisur. Kemi qenë shumë të qartë për pozicionimin e SHBA, për zgjedhjet dhe KQZ. Kam dëgjuar se do të zhvillohet një sesion në Parlament të hënën. Kështu që është një mundësi e mirë qoftë për tre ligjet dhe konstituuimin e KQZ, dhe shpresoj që palët të përfitojnë nga kjo mundësi”, iu përgjigj ambasadori interesit të gazetarëve, nëse ai kishte mesazh për ditën e parë të fushatës zgjedhore. Ndërsa vlerësoi rolin e Gjykatës Kushtetuese ambasadori Arvizu shtoi se forca e çdo demokracie mbështetet shumë në ndarjen e pushteteve. “Me kreun e Gjykatës Kushtetuese kemi folur për rolin e këtij institucioni dhe ne shprehim vlerësim për rolin që gjykata luan dhe për atë që bën për vendin. Ne ofrojmë mbështetjen tonë për punën e Gjykatës Kushtetuese” tha Arvizu.

No comments:

Post a Comment