Kryetari i Frymës së Re Demokratike Bamir Topi
zhvilloi sot paradite një takim me grupin e përfaqësuesve të OSBE/ODHIR të
kryesuar nga ekspertja amerikane Conny McCormak. Biseda u përqendrua në ecurinë e proçesit
parazgjedhor. Pas takimit kryetari i FRD-së deklaroi për mediat se gjatë
shkëmbimit të mendimeve ka shprehur këndvështrimet e partisë që ai drejton,
lidhur me situatën zgjedhore në vend. Ai ritheksoi krizën në KQZ duke e
cilësuar moszgjidhjen e saj një prelud të keq për ecurinë zgjedhore, ndërsa shprehu shqetësim edhe për manipulimet e
mundshme. Lidhur me këtë preokupim z. Topi deklaroi se funksionimi i cunguar i
KQZ-së vë në dyshim mbrojtjen e
interesave të qytetarëve që
nuk përfaqësohen në pushtet. Por
gjithsesi kryetari i FRD-së është i bindur se askush nuk mund të ndalë fluksin
e qytetarëve në tendencën e tyre natyrale drejt një fitoreje të FRD-së. Duke përmendur 50 mijë njerëz të dubluar dhe
200 mijë të tjerë pa adresa z.Topi e quajti të pakuptimtë vendimin e partive
parlamentare për të miratuar të hënën tre ligjet ndërkohë që nuk e shfrytëzojnë
këtë seancë plenare edhe për zgjidhjen e çështjes së KQZ-së. Në fund z.Topi i
shprehu përfaqësueseve ndërkombëtarë që mbikqyrin zgjedhjet vlerësimet për
përgjegjësinë që ata kanë në procesin zgjedhor
duke shprehur vullnetin për një bashkëpunim të ngushtë me ta.
No comments:
Post a Comment