Friday, May 31, 2013

Analfabetë me diplomë


Analfabetë me diplomë
Lumturie Blakaj


Vendimi i Qeverisë së kryeministrit Hashim Thaçi për themelimin e tri universiteteve të reja publike: në Gjakovë, Gjilan e Mitrovicë, nuk ka kaluar të enjten për ratifikim në Kuvendin e Kosovës pa zhurmë. Deputetët, përfshirë edhe kreun e Legjislativit, Jakup Krasniqin, kanë alarmuar se në Kosovë po nxirren analfabetë me diplomë. “Nuk kemi pse ta fusim kryet në zallë e mos të shohim se kemi arrit të krijojmë nxënës të shkollës së mesme analfabetë. Prandaj, mos të krijojmë edhe analfabetë me njerëzit që kanë diplomë universiteti. Pra, kjo është frika ime”, ka qenë ky shqetësimi që ka ngritur i pari i Parlamentit, i cili ka pyetur ministrin e Arsimit, Ramë Buja nëse ka “menduar” mirë për rritjen e numrit të universitete publike.
“A është arritur cilësia e duhur në Universitetin publik që e kemi për të shkuar në hapin tjetër, pra themelimin e universiteteve tjera? Gjithashtu, a ka ndonjë planifikim për nxjerrjen e kuadrove dhe ekspertëve të ndryshëm?”, ishin këto disa nga shumë pyetje që shtroi Krasniqi. Ai madje ka adresuar kritika te përfaqësuesit e institucioneve, të cilat siç tha ai, po punojnë pa përgjegjësi institucionale me rekomandime të paplanifikuara.
“S’ka shërbime të kualitetit të dijës”, ka thënë ai.
Kritika për themelimin e universiteteve publike në Gjakovë, Gjilan e Mitrovicë, erdhën zëshëm nga shumë deputetë në seancën plenare të Kuvendit, të cilët megjithatë me 78 vota për, asnjë kundër dhe 3 abstenime ratifikuan vendimin e Qeverisë për formimin e këtyre tri institucioneve publike të arsimit të lartë.
Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Sabri Hamiti, ka adresuar një sërë kritikash, duke vënë në theks se nuk do të duhej të themeloheshin universitete të tilla të arsimit të lartë vetëm në bazë të motiveve popullore, por në bazë të planifikimeve dhe kritereve. Një shqetësim tjetër që ka ngritur profesori universitar ka qenë edhe mënyra se si shkruhen vendimet nga Ministria e Arsimit, e që ato dokumente mbesin në arkiv. Ai nga ana tjetër lavdëroi ministrin e Arsimit, Ramë Buja, për të cilin tha fjalë miradije.
“Ministria e Arsimit udhëhiqet nga një ministër që nuk është i pameçëm dhe që flet mirë shqip, por që dokumentet që shkruhen nga kjo ministri janë me shumë gabime”, ka thënë ai. Deputeti Sabri Hamiti, ndërkaq, ka deklaruar se në Kosovë nuk ka universitet, por vetëm kolegje, derisa ka përmendur se dëshira është krejt diçka tjetër, e realiteti tjetër. “Njeriu mund t’i thotë vetes raketë, por nuk është “, ka qenë shprehja që ka përdorur Hamiti për të ironizuar vendimin e qeverisë. Pavarësisht kritikave që kanë ardhur nga deputetët, partia në pushtet ka kërkuar nga deputetët që ta mbështesin vendimin e qeverisë për themelimin e tri universiteteve publike.
Shefi i grupit kuvendor të PDK-së, Adem Grabovci, iu bëri thirrje deputetëve që ta ratifikojnë vendimin , pasi që sipas tij, krijimi i këtyre tri institucioneve publike të arsimit të lartë është në interesin e të gjithëve. Në mbështetje të ratifikimit ka qenë edhe partia e Ramush Haradinajt.
Deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu ka deklaruar se më shumë preferon që të rinjtë të shkollohen në universitete publike, se sa nëpër kolegje private, të cilat nuk i plotësojnë kriteret. Sidoqoftë, ratifikimi i vendimit të Qeverisë për themelimin e tri universiteteve publike, Gjakovë, Gjilan dhe Mitrovicë u hap rrugë këtyre tri institucioneve publike që nga vjeshta e sivjetme të pranojnë studentë për vitin akademik 2013/14. Kuvendi i Kosovës gjithashtu me 65 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim miratoi Statutin e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren dhe atij “Haxhi Zeka” në Pejë.
Gjatë seancës plenare të Legjislativit, deputetët kanë shprehur shqetësimin e tyre për zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me arrestimin e figurave kyçe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ish- guerili i UÇK-së, Rexhep Selimi ka potencuar se tendencat për t’i fajësuar udhëheqësit e UÇK-së janë tendenca për njollosjen e gjithë luftës së UÇK-së dhe jo vetëm të individëve. Edhe deputetja nga PDK-ja, Blerta Deliu-Kodra, ka vënë në dukje se ngjarjet e fundit me arrestimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së synojnë komprometimin dhe tendencat për kriminalizimin e luftës së UÇK-së,ndonëse ka kujtuar se Kosova ka qenë viktima, e Serbia agresori.
Për arrestimet e fundit të Sylejman Selimit,Sami Lushtakut, Jahir Demakut,Sahir Jashari...ka folur edhe deputetja Sala Shala–Berisha e disa deputetë tjerë.
I gëzohen dështimit të Samitit të Ohrit
Dështimit të Samitit të Ohrit për shkak të sjelljes së Maqedonisë i janë gëzuar përfaqësuesit e partive politike në Kosovë. Sipas tyre, dështimi i këtij samiti është sinjal i qartë për të gjitha vendet fqinje të rajonit që të harrojnë njëherë e përgjithmonë logjikën përjashtuese. Ata thanë se me këtë veprim është bërë e qartë se  shqiptarët janë faktor politik në Ballkan./Zeri

No comments:

Post a Comment