PDK në “riformatizim”
Besiana Xharra
Partia Demokratike e Kosovës dita-ditës po “zbrazet”. Shumë anëtarë të rinj që para pak vitesh patën hyrë me shumë entuziazëm në partinë më të madhe në vend, kanë nisur ta braktisin atë. Vetëm pak kohë pas largimit të Ilir Mirenës nga PDK-ja e Hashim Thaçit është larguar edhe Dukagjin Gorani, këshilltar i kryeministrit.
Në njoftimin e Goranit, i cili ka mbajtur këtë pozitë që nga vitit 2007, drejtuar shefit të Qeverisë Hashim Thaçi thuhet: “I nderuar Kryeministër ...me këtë shkresë ju informoj për vendimin tim që të jap dorëheqje nga funksioni i këshilltarit politik në Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Arsyet e dorëheqjes janë private dhe personale”, duke shtuar se dorëheqja është e parevokueshme andaj ka kërkuar mirëkuptim nga Thaçi.
Arsyetimin e njëjtë e kishte dhënë edhe ish-zëvendësministri Mirena, i cili i ishte bashkangjitur partisë, në fushatën e fundit zgjedhore, bashkë me mikun e tij Berat Buzhala, po ashtu të dy me një të kaluar të përbashkët në gazetari, njësoj siç ishte edhe Dukagjin Gorani, ndonëse i futur në PDK pak më herët.
Pos tyre, dorëheqje nga kjo parti para pak kohe dha edhe sekretari i Ministrisë së Transporteve, Shasivar Haxhijaj, ndërkohë që dorëheqje të radhës janë të pritshme, në mesin e të cilëve është folur se mund të jetë edhe ai i Buzhalës, i cili ka kohë që ka nisur një ofensivë akuzash ndaj bashkëpartiakëve të tij, duke i akuzuar për punë jo të mirë.
PDK-ja nuk ka probleme vetëm me të rinjtë. Partia më e madhe në vend, problemet e mëdha i ka edhe me krahun e Fatmir Limajt e Jakup Krasniqit. Madje, Jakup Krasniqi ka kohë që në mënyrë demonstrative ka braktisur të gjitha aktivitetet e PDK-së.
Ai dje ka thënë se qëndron prapa atyre mendimeve që i kishte dhënë para mbajtjes së Kuvendit zgjedhor të partisë. Ai në një letër që e kishte dërguar kishte thënë se partia është në duar të një grupi, që, sipas tij, fatkeqësisht po e ngufat demokracinë në parti dhe në vend.
Krasniqi nuk la pa komentuar edhe largimet e fundit, duke thënë se Mirena e Gorani ashtu siç kanë hyrë me lehtësi në parti ashtu edhe po dalin. “Janë këta njerëz që realisht kanë hyrë në parti dhe kanë marrë pozita si në parti ashtu edhe në institucione të vendit pa asnjë angazhim dhe mund paraprak në kuadër të organizimeve politike dhe kjo do të thotë se ata siç kanë hyrë lehtësisht ashtu edhe po dalin lehtësisht”, tha Krasniqi, për “Zërin”.
“Unë nuk marr pjesë në organizimet e tyre, nuk i takoj dhe nuk mund të flas për lëvizjet e PDK-së”, ka thënë Krasniqi.
Analistët politikë në anën tjetër thonë se mënyra se si janë larguar Mirena e Gorani, në heshtje, janë veprime frikacake, derisa e kanë vlerësuar lart guximin e kryekuvendarit Jakup Krasniqi.
”Janë trima, prandaj nuk flasin”, shprehet me ironi analisti politik, Avni Zogiani, duke komentuar për dorëheqjet e fundit të Ilir Mirenës dhe Dukagjin Goranit. Sipas tij, këtu s’kemi të bëjmë me arsye personale, por me pengesa grupore që atyre u kanë dalë pasi kanë hyrë në PDK.
“Janë një grup si Mirena, Buzhala, Gorani, të cilët kanë shfrytëzuar gazetarinë për t’u futur në politikë, me pretendimet se do të fitojnë përballë strukturave të vjetra të PDK-së, e që në fund janë zhgënjyer”, tha Zogiani.
“Kam thënë edhe më herët, se nuk mund të hysh në odën e tjetër kujt dhe të flasësh kopalla për të vjetrit, e të mundohesh t’ua zësh vendin. Kështu kanë bërë këta dhe si përfundim e kanë kuptuar se nuk shkon ashtu. Kanë hyrë jonatyrshëm dhe jonatyrshëm po dalin”, shtoi ai.
Ndërkohë shumë anëtarë tjerë të PDK-së të kontaktuar nga gazeta, përfshirë edhe të dorëhequrit nuk kanë pranuar të flasin për gazetën.
Por para disa ditësh, ishte Petrit Selimi, zëvendësministër i Jashtëm, i cili tha për “Zërin”, se mendimet e mospajtimet e individëve janë normale dhe se PDK-ja është parti e madhe e cila i pranon diversitetet. “PDK përkrah diversitetet dhe kjo besoj është pasuri e një partie dhe assesi nuk bën të konsiderohet si dridhje”, pati thënë Selimi.
No comments:
Post a Comment