Nuk është e thënë që udhëtimi i LDK’së për te pacollët të bëhej me Lamborghini në mënyrë që të arrihej sukses. E rëndësishme për këtë kamp politik është që ta ftojnë edhe Nexhat Dacin dhe ta formojnë një triumvirat politik, fijet e te cilit kishin humbur në vitin 2007. Ky është shansi i tyre jetike për t’u përballur me ‘Krahun e Luftës’. Nëse LDK dështon edhe këtë herë të përballët seriozisht me PDK’në, pas katër vitesh këtë gjë do ta bëjë Lëvizja Vetëvendosje.
Pamja e Isa Mustafës dhe Ismet Beqirit duke udhëtuar incognito te pacollët, me Fiat Punto, fillimisht mund të nxisë përqeshje tek oponentët të tyre, e edhe te një pjesë e analistëve të papunë, por nëse ky takim ka qenë përmbajtjesor, atëherë, në fund, mese shumti mund të qeshin Mustafa dhe Pacolli.
Mbetet të shihet se cili ka qenë rezultati i këtij takimi. Nëse ky nuk shkon përtej një marrëveshjeje të kotë paszgjedhore, atëherë vërtet të gjithë duhet të qeshim me ta. Por nëse ky takim, pasohet edhe më takime të tjera dhe Mustafa e Pacolli arrijnë një marrëveshje parazgjedhore, atëherë Partitë e Krahut të Luftës, PDK, AAK dhe deri diku edhe VV, kanë arsye racionale për t’u frikësuar prej udhëtimit historik të Isa Mustafës me Fiat Punto. Për t’u përmbyllur në mënyrë perfekte cikli i takimeve të tilla, atëherë duhet që Mustafa, një ditë tjetër, gjatë kësaj jave, ta marrë gjithashtu me Punto, Pacollin dhe t’i shkojnë për vizitë Nexhat Dacit.
Ky triumvirat, Mustafa, Pacolli dhe Daci, do të mund të kapte fijet që i kishin ikur lëmshit në vitin 2007, kur LDK po ladrohej prej Fatmir Sejdiut. Ishte kjo periudha kur votat e LDK’së ishin shpërndarë në disa adresa: LDK shumica, por disa pjesë të mira edhe në AKR, LDD, e pastaj edhe në AAK, meqë në të kishin gjetur azil disa zyrtarë të LDK’së.
Sigurisht që është vonë për të shpresuar që të gjitha votat e LDK’së së vjetër të mund të bëhen bashkë dhe se ky grupacion të fitojë ato përqindjet historike të pasluftës. Por definitivisht nuk do të ishte e paimagjinueshme që të planifikohej një rikthim i stuhishëm, ndonëse me Fiat Punto, i ‘Krahut Paqësor’ përballë “Krahut të Luftës”.
Nëse Lidhja Demokratike e Kosovës dështon edhe në këto zgjedhje që të renditet si parti fituese, qoftë edhe me koalicioni parazgjedhore, atëherë duhet ta ketë të qartë se në zgjedhjet e tjera parlamentare, kurdo që mbahen ato, për pozitën e parë dhe të dytë nuk do të konkurrojë më LDK – PDK, por Vetëvendosje – PDK. Elektorati nuk do të ketë më durim të presë që të këndellët ky subjekt politik për ta sfiduar seriozisht partinë fituese, PDK’në. Është e nevojshme, e shëndetshme, për demokracinë tonë të brishtë që për partinë kryesore në vend, PDK’në, të gjendet partneri sfidues. Dhe nëse ketë nuk arrin ta bëjë Mustafa – Pacolli – Daci, atëherë këtë e bën ligji i pashkruar i zgjedhjeve: ai i kontrollit dhe balancës.
Pra, në një shoqëri vetvetiu lind nevoja për ndërrim të pushtetit, pas një kohe, edhe sikur partia fituese, në këtë rast PDK, të ishte çelësi i zgjidhjeve për të gjitha problemet.
Nga ana tjetër, praktikat e tilla të liderëve dhe partive me pushtet prej dekadash janë në të vërtetat sfiduese për demokracitë. Dy mandate të një lideri dhe partie në pushtet janë hyrje në një sistem diktatorial. Mandati e tretë është jetësim i sigurt i një lloj diktature që, megjithëse jo klasike, sjell pasoja të konsiderueshme. Ndoshta as më shumë as më pak se një lider dhe pushtet i ri, por gjithsesi është një praktikë e frikshme./Ekspres
No comments:
Post a Comment