

Ministri Imami me bëmat dhe gjëmat e tij ia kaloi të gjithë ministrave të Shqipërisë që nga Mehmet Pashë Dërralla në 1912 deri te ministrja e sotme Kodheli. Përjashtim bëjnë këtu 26 varret e Mediut dhe dorëheqja e Gjeneral Aranitasit në 5 prill 1939, dy ditë para se të sulmohej Shqipëria dmth një ministër lufte, që dorëhiqej në prag të luftës. Ministri Imami është i patejkalueshëm si ministër vetëm në fantazinë e tij të tejskajshme të nxitur nga etja për fitime. Unë jam vetë nga Mokra me origjinë dhe kam dëgjuar shumë legjenda për qypa floriri të fshehura në tokë, si thesarin e kaçakut Shahin Matraku, të Hasan Beut të Velcanit (te livadhet e Lufollarëve), të Pal Aranitasit (menjëherë pas vdekjes së Skënderbeut), apo thesari i Ali Pashës groposur nga selihdarët e Pashait pas disfatës në betejën e Torviollit në vitin 1444 etj.etj.
Në fillimet e pluralizmit u bënë gërmime nga gjithfarë injorantësh në mure shtëpish, kishash e kalash të vjetra në majft vende të Mokrës, por flori nuk u gjet në asnjë rast.
Pas gati një çerek shekulli nga ethet e floririt të viteve ‘91-93 ca mashtrues profesionistë i mbushën mendjen Imam ministrit se kishin harta të përafërta të vendit, ku ishte varrosur një thesar prej qindra kilogramësh flori. Imami njëlloj si ai katundari, që u mashtrua dhe bleu çelësin e Kullës së Sahatit në Tiranë për 10 000 lekë të vjetra, duke menduar se u bë pronar i sahatit të Tiranës.
Ky i bekuar thesar nuk mund të gjendej pa aparatura vëzhgimi për zbulim metalesh ultra moderne, që kushtonin një djall e gjysëm. Ministri Imami kishte kursyer aq lekë nga paga e tij si deputet dhe ministër sa për të blerë të tilla aparatura, por duke qenë ca kurrnac, vendosi ta blinte aparaturën detektuese me paratë e Ministrisë së Mbrojtjes.
Për t’i nxjerrë këto para duhej gjetur një sebep, se përndryshe ishte e pamundur, që thesari i kontrolluar nga ministri Bode, t’i lëvronte paratë. Duhej shfrytëzuar një klauzolë e ligjit për sekretin ushtarak për t’i blerë këto pajisje metalkërkuese pa kaluar nga thesari i kontrolluar nga Bode. Kujtojmë këtu që Bodja i kishte prishur punë edhe vetë Shkëlzenit, kur ai kërkonte me patjetër VKM-në për të ndërtuar “kovacanën” vrastare të Gërdecit.
E vranë mendjen kolonelë e gjenralë, kullurë e vetë shokë Zylo dmth Kol. Zylo dhe shpikën një rrenë, që do t’ua kishte zili edhe vetë Baroni i famshëm Mynhauzen. Maqedonia po përgatitej për agresion kundër Republikës së Shqipërisë, do bënte minime në kufi e ç’nuk do të bënte, për këtë qëllim duheshin pajisje speciale vëzhgimi. Normal të tilla pajisje duheshin blerë në mënyrë sekrete se na e merrnin vesh maqedonasit dhe pastaj na pushtonin Shqipërinë etj.etj. Në kohën, kur shpikeshin të tilla broçkulla, ministër i mbrojtjes i FYROM-it ishte një shqiptar. Në këtë kohë nacionalistët e djathtë maqedonas qurraviteshin te diplomatët amerikanë në Shkup se irredentistët shqiptarë në FYROM, po të marrin urdhër nga Tirana apo Prishtina e shpërbëjnë Maqedoninë brenda 72 orësh. Gjithsesi rrena Imami ishte e mjaftueshme të dilnin paratë nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes dhe të blihej aparatura e famshme me atë marifetin e procedurës së ftesës për kuotim. Gojët e liga në ish dikasterin Imami thonë, që firma prokuruese e aparaturës vëzhguese ka pronar dikë, që vëllain e ka pasur si biçim komandanti te berretat e kuqe (BOS-i) në Farkë dhe më pas oficer të lartë te SHIU.
I mbetet prokurorisë shqiptare të hedhë dritë mbi hollësitë e etheve të arit, që e zunë ministër Imamin, më keq se amerikanët në Alaskë në kohën e Xhek Londonit.
Fatkeqësisht diplomatët amerikanë në Tiranë, njerëz përgjithësisht , që besojnë lehtë dhe nuk mund ta imagjinojnë, që një vend i NATO-s ta ketë ministrin e mbrojtjes kaq tahmaqar dhe njëkohësisht kaq budalla sa ky ministri ynë, e morën këtë mesele seriozisht dhe vunë alarmin për një konflikt të mundshëm midis Shqipërisë dhe Maqedonisë. Një konflikt i tillë do u sillte kokëçarje pa hesap amerikanëve në Ballkan. Pikërisht prandaj dhe u mobilizuan burime njerëzore dhe elektronike sipas parimit hedh një budalla një gur në pus ( Imami) dhe 100 të mençur (amerikanë) nuk e nxjerrin dot. Në fund fare amerikanët e shkretë nuk u besonin syve të tyre, sesi ky ministër i mbrojtjes mund të ishte më budalla se vetë budallëku dhe më tahmaqar se Krasi, patrici romak simbol klasik i tahmasë për flori.
Dolcis in fundis!
Dikasteri Llalla bën mirë të bëjë transparencë për padinë e Ministres Kodheli për këtë punën e sekretit të floririt të Mokrës, sepse tani që u bë publike nuk ka më kuptim të mbahet sekreti hetimor. Z. Llalla me këtë rast mund të bëjë publike edhe padinë për atë të bekuar kampionat të mundjes, ku ushtarët shqiptarë u përdorën si roje bostani nga një firmë private e afërt me ministrin famëmadh Imami./DurresiLajm.
No comments:
Post a Comment