Monday, April 21, 2014

Ligji i ri, legalizime për 270 mijë objekte

Ligji i ri i legalizimeve do t’i japë zgjidhje përfundimtare problematikës së ndërtimeve informale. Ndryshimet e fundit ligjore që po diskutohen në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese garantojnë dhënien e certifikatave të pronësisë për 270 mijë ndërtime të ngritura para vitit 2009. Procesi i legalizimit do të jetë falas, ndërsa toka ku është ndërtuar, për rastet kur është tokë shtet ose ka pronar, do të paguhet me vlerën e tregut. Ndërsa në lidhje me aksionet e prishjes së ndërtimeve pa leje në një kohë që po zhvillohet edhe procesi i legalizimeve deri më tani nuk është shembur asnjë ndërtim që ka qenë në proces legalizimi.
Kjo është situata në cilën ndodhet procesi i legalizimeve i pasqyruar nga Ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni, e cila ka dhënë shpjegime para deputetëve në lidhje me legalizimin e ndërtimeve pa leje dhe ndryshimet e funti ligjore. Në seancën dëgjimore me deputetët, Gjermeni ka dhënë shpjegime për të gjithë procesin.
Eglantina Gjermeni: Kompleksiteti i ligjit është i lidhur me gjithë pyetjet dhe sugjerimet tuaja. Fakti që na u desh shumë kohë për ta sjellë këtu do të thotë që çështja është komplekse. Është një paktë ligjore dhe ne kemi edhe ligjin për truallin që do të kalojë në Këshillin e Ministrave ditën e mërkurë.
 Ardian Turku: Kjo maxhorancë që është sot kishte për qëllim urbanizmin dhe më pas legalizimin. A ka ndryshuar kjo formulë? 
Eglantina Gjermeni: Ne kemi filluar legalizimin dhe urbanizimin, njëkohësisht. Jemi në situatën që s’kemi asnjë plan të zhvillimit të territorit, por përmes projekteve pilot, po hartohen plane në zona të ndryshme, për këtë shkak hartuam fillimisht ligjin për legalizimin. 
Ardian Turku: A mendoni se me këto ndryshime merr fund procesi i legalizimit dhe s’do kërkoni më ndryshime? Eglantina Gjermeni: Besoj se po, sepse na u desh kohë për të parë ligjin, paralelisht po punohet për rregulloret dhe aktet nënligjore. 
Ardian Turku: U përmendën borxhet e ALUIZNI-t ndërkohë që ky institucion merr 30 % të të ardhurave nga legalizimi që më parë shkonin për pronarët. Mos vallë kjo do të shkojë për larjen e borxheve dhe menaxhimin e ALUIZNI-t? Krahasuar me programin që kishit kaq sa po thoni për legalizimet falas jeni në të njëjtat premtime apo e keni ulur? Eglantina Gjermeni: Është e drejtë, duhet të shkonin, por pavarësisht se një pjesë e mirë e këtyre fondeve i ka shkuar Ministrisë së Financave dhe nuk u ka shkuar   pronarëve. Fondi nuk do shkojë te Ministria e Financave, por do të shkojë direkt te pronarët. Kemi premtuar procedura legalizimi falas dhe po e kryejmë atë falas. Patjetër që në rast se është ndërtuar në tokën e një tjetri, ose në tokën e shtetit, ajo do të paguhet. Kur bëjmë fjalë për vlerën e parcelës atë e merr pronari. Ndarja e fondit është vendosur që të ndiqet me ligj në këtë mënyrë, sepse ALUIZNI do ta ndjekë të gjithë procesin. Fondi total prej 70 % do të shkojë për shpronësimin e pronarëve. 
Artan Gaçi: Janë 270 mijë familje që preken dhe sensibiliteti i ligjit është i lartë. Paralelisht me urbanizimin ka edhe një pjesë të ndërtimeve që po prishen që pretendojnë se janë në proces legalizimi. A duhet të ishim më të kujdesshëm me prishjet e ndërtimeve pa jele? Janë disa pronarë që kanë certifikatë pronësie dhe u ka shkuar vendimi për ty prishur ndërtimi. Si do të veprohet me këtë rast dhe me të ngjashmet?
 Eglantia Gjermeni: Meqenëse u ngrit problemi i prishjes së ndërtimeve pa leje, në asnjë rast nuk është kryer në mënyrë selektive . Ka patur një koordinim shumë të mirë me ALUIZNI-n dhe në asnjë rast që ka qenë në proces legalizimi nuk është ndërhyrë për prishje. Ka një senbilitet të madh për prishjen e ndërtimeve pa leje dhe asnjë prej ndërtesave në proces legalizimi nuk është prishur dhe jemi në koordimin të plotë me të gjithë institucionet që janë të përfshira në këtë proces. Për rastet konkrete do të ketë përgjigje me shkrim. 
Kozma Dashi: Shqetësimi im është për 100 mijë ndërtimet në tokë shtetërore. Përfitojnë ata që janë në truallin e tyre, po ata që kanë një shtëpi për të futur kokën të ndërtuar pas 2009 pavarësisht se e kujt është toka do t’ju prishet shtëpia, do të lihen jashtë?
 Englantina Gjermeni: Dua të ritheksoj se, që nga janari i 2009-ës që ka hyrë në fuqi kodi penal që ndërtimi pa leje konsiderohet vepër penale, ata nuk do të legalizohen.   
Helidon Bushati: Te pjesa e fushës së zbatimit për pas vitit 2009 që do të legalizohen ato që janë në tokën e tyre, cila do të jetë data përfundimtare për të cilën do të legalizohen objektet? Te rastet që nuk legalizohen janë edhe ato që janë në zona të mbrojtura. Çfarë qasje do të ketë për ato që kanë ndërtuar në bregdet?
Eglantina Gjermeni: Si afat është hyrja në fuqi e këtij projektligji që po diskutojmë. Për sa i përket legalizimit brenda vijës turistike ato ndërtime u nënshtrohen procedurave të përcaktuara në këtë ligjin për legalizimet dhe në ligjin për planifikimin e territorit.
Namik Kopliku: Baza e informacioneve që kam unë thotë se legalizimet do bëhen në zonat informale, ndërtime të veçanta do merren në shqyrtim, ndërkohë që do ketë përqasje tjetër në zonat në bregdet ku do shqyrtohen një nga një. Ka një zonë që është në dy kategori, plazhi i Velipojës. Atje janë mijëra ndërtime pa leje dhe janë në zonë brengdertare. Çfarë do të bëhet për zonën e plazhit të Velipojës?
Eglantina Gjermeni: Rasti është kompleks dhe i veçantë. Do të doja të thosha se gjithë përqasja në zonat bregdetare të mos jetë selektive, por në këtë rast duhet një përgjigje specifike dhe unë do të përgjigjem pasi ta konsultoj me specialistët.
Agron Duka: Ka mundësi të na thonë një afat të caktuar se kur mbarojnë legalizimet?
Eglantina Gjermeni: Kemi marrë angazhimin që brenda mandatit të parë të mbarojmë pjesën më të madhe. 
Agron Duka: Shpesh thoni që në vendet ku pret rregulli urbanistik për interesa më të mëdha do të prishen. Në Durrës ka po bëhet një pallat a keni dijeni për këtë pallat në zonën e Currilave? Mendoj se ka një vështrim me dy standarde? 
Englantina Gjermeni: Për zonën e Currilave nuk kam një informacion. Do ta marr informacionin e detajuar dhe do ta sjell. 
Fatmir Toçi: Si do të veprohet në zonat turistike? Veprimtaria e INUK-ut mos ka qenë e nxituar para miratimit të këtij ligji. Mund të pritet derisa të miratohet ligji? 
Eglantina Gjermeni: Për ndërtimet ku ka ndërhyrë INUK-u ka patur verifikim për çdo rast me të ALUIZNI-t dhe ky proces do të vazhdojë. Për ndërtimet në proces legalizimi nuk do të ndërhyhet. Mendoj se vendosja e kontrollit mbi territorin, qoftë edhe në zona turistike, të gjitha prishjet kanë dhënë një model tjetër se si duam ne të jetë turizmi. 
Bujar Derveni: Zgjerohet në kohë fusha e veprimit të ligjit. A ka një numër ndërtesash për këtë kohë? 
Eglantina Gjermeni: Numri mund të shkojë rreth 80 mijë objekte. Shteti merr përsipër procesin e legalizimeve falas.  
Ndryshimet ligjore, lehtësirat procedurale dhe financiare 
Përfshirja në procedurat e legalizimit të ndërtimeve pa leje të ngritura në territorin e Republikës së Shqipërisë, deri në datën e hyrjes në fuqi të ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, pavarësisht funksionit dhe faktit nëse për to është kryer vetëdeklarimi gjatë afatit të përcaktuar. Kjo do të bëjë të mundur identifikimin e ndërtimeve pa leje, të ngritura pas përfundimit të afatit për legalizim dhe trajtimin në mënyrë përfundimtare, përmes procedurave administrativoligjore, duke minimizuar pasojat e krijuara nga ky fenomen. 
Tetë ndryshimet në ligj 
1. Parashikohet krijimi i lehtësirave financiare për subjektet që posedojnë ndërtime pa leje, me funksion banimi, duke i përjashtuar nga pagesa e tarifës së shërbimit për procedurat e legalizimit (evidentimi në terren i ndërtimeve pa leje, përgatitja e dokumentacionit tekniko-ligjor) dhe kryerjen falas të këtij shërbimi. Pra procedurat e legalizimit të shtëpive do të jenë falas dhe në ngarkim të shtetit.
 2. Parashikimit të mënyrave alternative të pagesës siç është pagesa e pjesshme me bono privatizimi, nxitjes për shlyerjen e menjëhershme të detyrimit përmes reduktimit të vlerës dhe përfshirjes në skema alternative të pagesës së parcelës ndërtimore, të subjekteve që janë në kushtet e paaftësisë paguese dhe posedojnë ndërtime pa leje me funksion banimi. 
3. Trajtimin administrativ, përmes procedurave ligjore, të ndërtimeve pa leje të ngritura brenda kufirit të vijës turistike, aty ku ka studime urbanistike të miratuar; si dhe përcaktimin e kategorive   të ndërtimeve pa leje. 
4. Rishikimin e masës së gjobës për subjektet ndërtues/investitorët që kanë kryer shtesa anësore a në lartësi, me qëllim nxitjen e interesit të tyre, për të ndjekur procedurat e legalizimit.
5. Përcaktimin në ligj të mundësisë së regjistrimit të pasurisë së legalizuar me funksion banimi edhe në rast të mos shlyerjes së detyrimit plotësisht apo pjesërisht, për parcelën ndërtimore apo ndërtimin, brenda afatit të përcaktuar. Kjo do të realizohet duke vendosur hipotekë ligjore mbi pasurinë, në favor të ALUIZNI-t, deri në momentin e shlyerjes me këste të detyrimeve 
6. Trajtimin e një numri të madh ndërtimesh me leje, me shtesa informale, për të cilat shoqëritë ndërtuese dhe investitorët nuk janë përfshirë në procedurat e legalizimit apo dhe nëse janë përfshirë, kanë pësuar ndryshime të gjendjes ligjore sikurse është falimenti, që e kanë bërë të pamundur shlyerjen e detyrimeve financiare të procesit dhe vijimin e mëtejshëm të tij.
7. Përmes ndryshimeve synohet rregullimi në praktikë i përfshirjes në procesin e legalizimit, të të gjithë banorëve të shtesës anësore dhe shtesa kati, kur procedurat e aplikimit për legalizim janë kryer vetëm nga njëri subjekt. 8. Nga procesi i legalizimeve do të përfitojnë qytetarët shqiptarë, panvarësisht bindjeve të tyre politike, do të përfitojë e gjithë ekonomia e vendit, ndaj unë sot ju ftoj që të gjthë së bashku të votojmë ndryshimet ligjore të propozuara. Do ti japim zgjidhje fatit të rreth 270 mijë familjeve dhe ndërtimeve informale në Republikën e Shqipërisë.  
Bilanci i ndërtimeve pa leje 
Gjetëm mbi 160 mijë aplikime për leje legalizimi, por ALUIZNI nuk kishte marrë mundimin të fillonte procedurat për verifikim të objekteve dhe jo më të mblidhte dokumentacionin e nevojshëm për të gjithë këto subjekte e të përfundonte procedurat për legalizimin e tyre. Procesi i legalizimit kishte dështuar totalisht. Në 8 vitet e qeverisjes së mëparshme janë bërë vetëm rreth 22 mijë legalizime nga rreth 293 mijë aplikime. Pra në këta 8 vite janë legalizuar vetëm 7.5% e aplikimeve. Dua t’ju siguroj të nderuar deputetë se problematikat e gjetura janë të shumta dhe nëse do t’i rendisja të gjitha do t’ju merrja më shumë kohë dhe se vetë procesi i legalizimit. Shkurtimisht dëshiroj të rendis disa nga çështjet që trajtohen lidhur me ndryshimet dhe amendimet e paraqitura në ligjin nr. 9482 datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”.
 Po bëjmë një reformë të plotë ligjore përmes një pakete që kemi përgatitur dhe me aktet nënligjore, po ringremë nga themelet institucionin e legalizimeve, me njerëz, me ekipe të motivuara, me zyra, me ambiente e me insfrastrukturë ku qytetarit t’i ofrohet shërbimi i duhur. Procedurat e legalizimit të shtëpive firma, vula, noteri, kontrata, dokumenta, çertifikata, matje, e lloj lloj faturash, do të jenë falas dhe në ngarkim të shtetit. Shteti do garantojë që qytetari të mos paguajë atë, faturën më të madhe nga të gjitha: Faturën e sekserëve dhe gjobvënësve me të cilën janë përballur. Kemi ndryshuar tërësisht skemën e operimit, me qëllim që të çojmë shërbimin tek qytetari. Njerëzit tanë po zbresin derë më derë për të kryer procedurat dhe kemi ndryshuar skemën e vlerësimit të trojeve, me qëllim që toka të mos ketë të njëjtin çmim si në Tiranë edhe në Kukës apo Gjirokastër e Korçë.  /Index.al

No comments:

Post a Comment