Tuesday, April 22, 2014

Ben Blushi: Basha , nje mandat i deshtuar ne krye te Bashkise se Tiranes

Blushi në një intervistë për Klan ka folur për librin e tij të publikuar së voni si dhe për raportet me Edi Ramën.
Zoti Blushi, si shpjegohet që sa herë tërhiqeni në periferi të politikës bëni nga një libër për të ardhur në vëmendje të publikut?
Edhe nëse është kështu, nuk besoj se është gabim. Nuk besoj se ky popull e ka luksin të shohë politikanë që kur kanë kohë të lirë të sjellin nga një libër të ri. Unë preferoj ta kaloj kohën e lirë duke lexuar dhe shkruar.
Ka deputetë me të cilët mund të diskutosh për libra?
Ka padyshim. Janë të interesuar për të lexuar, për të diskutuar ide.
Ajo që bie më shumë në sy ka qenë një lloj pesimizmi. Ju keni thënë se Shqipëria është qeverisur më keq deri më sot se fqinjët?
Është e vërtetë që libri ka një tis pesimizmi. Nëse e shohim Shqipërinë në 500 vitet e fundit nuk kemi arsye të themi që Shqipëria ka jetuar më mirë se popujt e tjerë. Nuk besoj se ka një vend që ka dalë më i varfër nga perandoria osmane. Shqipëria e mori pavarësinë më vonë, pati komunizmin më të ashpër dhe sot ka tranzicionin më të gjatë, ka pasur procesin më të gjatë të integrimin. Shqipëria është vendi më i varfër dhe më i deformuar se popujt e tjerë. Nuk ka vend që ka humbur më shumë në territore në këto vite.
Që të kthehemi sërish te libri, ai merr përsipër të bëjë një parashikim si do të jetë Shqipëria në 20 apo 30 vitet e ardhshme. Kam marrë një referencë të Kombeve të Bashkuara, që bën një parashikim për 100 vjet. Parashikohet që Evropa do të ketë një reduktim popullsie me gati 30%. Bota do jetë më e plakur dhe më e tkurrur. Nëse sot jemi 2.8 milionë banorë, do jemi 1.8 milionë. Nga kjo jam nisur të bëj një parashikim për të ardhmen politike të Shqipërisë.
Ju thoni që në Shqipëri do të shtohet fryma antievropiane,… ju parashikoni se izolatriku shqiptar duhet të jetë detyrimisht i pasur.
Jemi vendi që jemi më proevropian. Kjo ndoshta për shkak se na ka munguar Evropa për gati 500 vjet. Nuk do jemi kështu, sepse do afrohemi më shumë me Evropën dhe do e shohim se nuk është kontinenti që ka qenë. Nuk ka shkëlqimin që ka pasur para 20 vjetësh. E dyta, për arsye të brendshme. Izolatriku është një metaforë që unë e kam marrë duke e krahasuar me Prefektin tek Koncert në viti 1936. E mora si rast, si fenomen, për të thënë që dikush që ka pushtet, ai mund të jetë pengesë. Evropa është një zbatim standarti. Pse jemi ne vendi që po integrohemi më avash? Sepse raporti ynë me ligjshmërinë është i vështirë, vjedhim më kollaj, shkelim ligjin më kollaj.
Kush nuk ndëshkohet sot në Shqipëri?
Ata që kanë pushtet dhe ata që kanë para. Çmimin e drejtësisë e paguajnë të varfërit.
Ju duket sikur keni një lloj ironie ndaj të pasurve. Dëgjova kryeministrin që tha se të pasurit duhet të respektohen.
Edhe nëse mendoni se kam një mendim të personalizuar do të thotë që ky vend ka prodhuar më shumë të varfër në 20 vite. Unë nuk jam pesimist, por kam lexuar pesimizmin e shoqërisë. Lexova një lajm që jemi vendi i parë që kërkojmë azil. Pse duhet të ikin? Sepse është papunësia, varfëria. Ky është produkt i keqadministrimit që më parë bëjnë aleancë me të pasurit se sa me të varfërit.
PS dhe koalicioni i majtë ka në përbërje të tij 10 njerëzit më të pasur të vendit…?
Këtë gjë e kanë imponuar rrethanat, në të cilat PS nuk besoj se i ka ftuar që ata të kthehen në sponsor politikë. Ishte një parti, e cila besonte se ishte nën atak dhe kishte nevojë që të kishte këtë mbështetje.
Zoti Blushi, në libër thoni që Shqipëria nuk e pëlqen rolin ku politikanët luajnë rolin mes të varfërve dhe të pasurve. Politikanët janë me të pasurit…
Për shkak të bilancit të këtij 20-vjeçari. Keni parë të pasurit që ikin nga Shqipëria?! Kanë ikur 1 milion nga Shqipëria. Mund të ikësh kur ka një epidemi, për shkaqe luftë ose kur ka keqqeverisje. Jam i bindur që ka shumë shqiptarë që duan të ikin dhe sot. E dini se sa fëmijë ikin nga Shqipëria për të studiuar jashtë. Kostoja e të gjithë fëmijëve që shkollohen jashtë është 200 milionë euro në vit. Ne nuk jemi në ndonjë cep të Afrikës.
Unë jam i bindur që do të ishim integruar në Evropë më shpejt, nëse do të ishim qeverisur më mirë.
Në 4-5 vitet e fundit pesimizmi ka qenë më i madh. Dhe kjo është për shkak të distancës që po krijohet dhe e dyta për shkak të pabarazisë. Këto janë arsyet.
A ka një aleancë mes politikës dhe krimit?
Po padyshim që ka. Nëse unë do thosha që s’ka, s’do isha i sinqertë. Krimi i çdo lloj natyre në këto 20 vjet ka mburojë politike. Nuk e them që është vetë politika.
A rrezikon që krimi të kthehet në politikë?
Po, rrezikon. Nëse Shqipëria nuk do të ketë ndëshkueshmëri të lartë, po. Nëse kjo nuk ndodh, krimi do të tentojë të hyjë në politikë dhe do të hyjë. Besoj që ka një tendencë të theksuar pas vitit 1997.
Ju parashikoni që politika do dështojë sërish?
Po, pavarësisht se i përkas një partie që është në pushtet, që shpresoj që të ndërrojë metodën e administrimit të gjërave një nga pikëpyetje është se me çfarë burimesh do ndërtohet ekonomia jonë.
Ju thoni që në Shqipëri islami është një reagim ndaj varfërisë. Ç’do me thënë kjo?
Është e domosdoshme që të gjejmë një ekuilibër social, sepse në të ardhmen nuk besoj se do këtë shtresë më të interesuar që të varfërit të dalin nga mjerimi.
Si mund të reagojë shoqëria, ose do kriminalizohet. Krimi po shtohet jo se nuk po punon qeveria. Ose do gjejnë arsye të karakterit fetar. Nuk përjashtohet që Shqipëria të ketë nevojë për parti të reja, për të shprehur interesin e vet.
Në Kosovë keni dy parti islamike në Parlament. Po flasim për 10 dhe 20 vjet. Ne kemi traditë shumë të mirë të fesë islame, pavarësisht se më kanë paragjykuar për letërsinë time. Unë nuk mund të paragjykohem për personazhet. Dua të them nëse shqiptarët në këto kushte varfërie, mungesa shprese, arsimimi do gjejë ngushëllim te feja islame.
Islami ynë është islam model.
A do të ketë bashkim Shqipëri-Kosovë?
Në të ardhmen arsyet e Shqipërisë për t’u bashkuar me Kosovën do të jenë më të mëdha se sa arsyet e Kosovës për t’u bashkuar me Shqipërinë.
A ia keni dërguar librin Edi Ramës?
Nuk para shkëmbejmë libra me njëri-tjetrin.
As ai nuk ua dha “Kurbanin”?
Nuk e mbaj mend.
Kaq të rralla janë kontaktet tuaja?
Po për hir të vërtetës janë shumë të rralla, takohemi në grup. U bë rreth një vit.
Kur ka filluar mungesa e kontaktit?
Unë nuk po pres të më takojë njeri. Nuk jam kaq i vogël sa të pres të më takojnë.
Keni nevojë ta takoni?
Jo, nuk kam ndonjë arsye.
Cilat janë rezervat që keni për drejtimin e qeverisë?
Unë besoj që ka vullnet në disa drejtime, pavarësisht se do të kisha dashur më shumë reforma dhe më shpejtësi. Ka një trend të duhur. Është shumë shpejt në fakt për të folur. Nuk janë mbushur 8 muaj akoma.
A jeni pyetur për mendimet tuaja?
Nuk është se nuk pyeti. Ka një mungesë kolegjiali për gati 8-9 muaj. PS nuk është më parti kolegjiale dhe ky është një nga defektet. Kam përshtypjen që qeveria do e kishte më të lehtë dhe kam përshtypjen që do ishte më e mbrojtur nga kritikat e opozitës.
Duke ju referuar një shprehjes tuaj, shoferi po ecën në drejtimin që do vetë..?
Nuk dua t’i hyj atij krahasimi, por është e vërtetë që në PS ka 8-9 muaj që nuk mblidhet asnjë forum, as kryesi, as asamble,
Ndërkohë që statusi i PS është Kushtetuta e partisë. Statusi thotë që ka zgjedhje një herë në 4 vjet.
Ua keni thënë këtë drejtuesve?
Përpiqem ta them sa herë dal në publik.
Dhe për këtë merrni si përgjigje një peticion…
Sot më ka ardhur një analizë, ku rezulton që nga 400 e ca vetë që kanë firmosur atë peticion, më pak se një e treta ishin anëtarë dhe pjesa dërrmuese nuk e dinin për çfarë kishin firmosur. Atyre u është vënë përpara një kërkesë për punësim dhe u është thënë që firmosni këtu dhe do punësoheni.
Nga kush janë nxitur?
Edi Rama ka fishkëllyer dhe ata në Elbasan kanë kërcyer. Duket ka shumë kohë të lirë sa të merret edhe me çështjet e Elbasanit. Ata nuk i paragjykoj, sepse ata kanë firmosur për t’u punësuar dhe bëjnë mirë që edhe socialistët e Sarandës, Korçës të bëjnë të njëjtën gjë. Por në radhë të parë të kërkojnë zgjedhje në parti.
Ju keni frikë nga zgjedhjet në PS?
Nuk kam pse të kem frikë. Në PS nuk ka zgjedhje, kur të ketë. Që në fund të muajit tetor duhet të kishim zgjedhje për kryetarin e partisë. Që në fund të muajit tetor ai është pa mandat. Në statut unë lexoj që kryetari i PS zgjidhet me parimin një anëtar-një votë një herë në 4 vjet. Nuk kemi dëgjuar për mandate 4 plus 1 se për furgonë 8 plus 1 dëgjuam.
E di, unë i kërkoj Edi Ramës të zbatojë ligjin dhe statutin e partisë. Unë kam arsyet e mia që në PS nuk zbatohet statuti i PS.
Një nga kritikat që i është bërë Ramës është mospërfshirja e politikanë me karrierë në qeveri. Si e gjykoni?
Nuk kam asnjë arsye personale. Unë jam njeri që jetoj në paqe me veten time, duke konsumuar politikë për sa kohë ajo më shijon.
Unë nuk merrem me shijen personale të Edi Ramës dhe askujt. Asnjë vendim nuk është marrë me kolegjialitet.
A është i domosdoshëm koalicioni me LSI?
Pa koalicionin me LSI nuk do kishim ardhur në pushtet dhe kjo ishte e domosdoshme, pavarësisht se çfarë thoshte historia.
Cilat janë defektet e Ramës në qeverisje?
Është shpejt për të folur. E thashë një që nuk zbaton statutin e partisë. Qeveria është në rrugën e duhur, ka filluar të mendojë për disa reforma. Disa të tjera është bërë gati t’i sjellë. Pak shpejtësi më të lartë në disa reforma në arsim e shëndetësi.
Ka pasur kritika që nuk jeni aktiv në parlament?
Ju e patë Parlamentin e Shqipërisë? Seancën gjinekologjike. Besoni se unë mund të jem pjesë e saj?! E mendoj që është i vetmi parlament në botë ku deputetët flasin më shumë për të shkuarën se sa me të ardhmen. Kjo mënyrë e të folurit në parlament duhet të marrë fund.
Ç’mendim keni për zotin Basha?
Unë besoj që ai pati një mandat të dështuar në krye të Bashkisë së Tiranës. Mandati i tij ishte i dështuar dhe kjo është një nga fatkeqësitë më të mëdha. Kjo ka lidhje edhe me mandatin në krye të PD. Duke marrë parasysh mënyrën se si e administroi Tiranë, do të thotë që ky njeri nuk jep pritshmëri më të mëdha në drejtimin e PD. E ka të pamundur që Lulzim Basha të ndërtojë një kauzë të besueshme.
Me Metën keni marrëdhënie të mira?
Korrekte.
Ju kanë parë të drekoni bashkë?
Po, ka qëlluar që ne flasin shumë për të shkuarën. Ka ndodhur në dy-tri raste.

No comments:

Post a Comment