Tuesday, April 29, 2014

Kriza politike "amniston" opozitaret humbes

Shkup, 29 prill - Fitorja e thellë e VMRO DPMNE-së dhe e BDI-së ka vënë në siklet drejtuesit e partive opozitare. Rikonfirmimi që u është bërë partive aktuale në pushtet ka ngritur pikëpyetje rreth të ardhmes së parive opozitare, kryesisht të LSDM-së dhe PDSH-së po edhe RDK-së. 

Në partinë më të madhe opozitare maqedonase është duke u diskutuar mënyra se si do të menaxhohet strategjia e mosnjohjes së rezultateve të zgjedhjeve, ndërkohë që është përmendur edhe mundësia që të kërkohet llogari nga kryetari Zoran Zaev dhe nënkryetarja Radmilla Shekerinska. 

Ndërsa, ka vlerësime se edhe lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi do të duhej të mbante përgjegjësi morale për humbjen e vazhdueshme të zgjedhjeve, ndërkohë që theksohet se zërat që mund të kërkojnë dorëheqjen e tij janë shumë të zbehtë, për shkak të praktikës për t'i përjashtuar nga partia, siç ndodhi së fundi me Zijadin Selën. 

Ky i fundit ka kërkuar dorëheqjen e Thaçit, si përgjegjës kryesor për humbjen e partisë. Analisti politik Ismet Ramadani thekson se partitë opozitare që po i humbin zgjedhjet edhe më tutje do të mundohen të mbahen me arsyetimet se zgjedhjet nuk kanë qenë fer se ka pasur presione dhe manipulime të ndryshme. 

Sipas tij, në bazë të situatës së krijuar deri diku edhe mund t'i bindin pasuesit e vet se kjo është e vërtetë. Ai ka thënë se LSDM, me vet faktin se nuk i pranon zgjedhjet dhe do të mbetet jashtë Parlamentit do të nxirret nga situata duke pretenduar se shteti që nuk ka opozitë në Parlament nuk mund të anëtarësohet në NATO dhe ta avancojë pozicionin në Bashkimin Evropian. 

"Ndërsa, PDSH-ja do të mundohet të nxirret duke u mbështetur padrejtësitë dhe manipulimet e zgjedhjeve, mirëpo për vet faktin që ka pasur thyerje brenda pas përjashtimit të Zijadin Selës me grupin e vet, është më e mundshme që të krijohet një situatë brendapërbrenda që do të mund të prodhojë pakënaqësi që mund ta krijojnë një krizë. Krejt kjo nëse mbetet në opozitë", ka thënë Ramadani, për "Zhurnal". 

Sipas Ramadanit, partitë opozitare do t'i mbajë situata kur ka krizë politike. Kështu partitë opozitare kanë alibi që dobësitë eventuali t'i mbulojnë për shkak që krizës që mund të kenë nga një parlament pa opozitë, ngecjeve më të theksuara në pretendimin për anëtarësim në NATO dhe në BE. 

Në këto organizata nuk ka shanse të hyhet nëse ka një Parlament pa opozitë. Ndërsa, analisti politik Albert Musliu, ka folur për REL në lidhje me veprimin e mëtejshëm politik të opozitës. 

Musliu ka përmendur disa opsione, ndër to mundësia e mospranimit të mandateve të deputetëve, bojkoti i Kuvendit, luftë në institucione ose më në fund dalje në rrugë që do të kishte ishte reprizë e ngjarjeve të 24 dhjetorit. Sipas Musliut, situata është e pasigurt, ndërsa opozita do të duhej të jetë racionale për veprimet të bën. (A.F.)/Zhurnal

No comments:

Post a Comment