Wednesday, April 30, 2014

Kokëdhima, gjyq me RD: 10 mln lekë dëmshpërblim për mashtrim

Deputeti socialist Koço Kokëdhima ka hedhur në gjyq gazetën Rilindja Demokratike, organ zyrtar i Partisë Demokratike. Teksa e ka akuzuar për thënie të pavërteta dhe mashtruese, duke kërkuar që të përgënjeshtrohen publikisht sipas ligjit në këtë gazetë, Kokëdhima në gjykatën e shkallës së parë kërkon dhe dëmshpërblim për dëmin jopasuror të shkaktuar në shumën e 100 milionë lekëve të vjetra. Kështu, dy ditë më parë më 28 prill deputeti i PS-së Koço Kokëdhima ka depozituar në gjykatën e shkallës së parë ankimimin e tij, dhe është vendosur dhe gjyqtari i çështjes, pikërisht Anila Kristani.
“Çështja civile Nr. 10455, në Gjykatën e shkallës së parë, me datë regjistrimi 28.04.2014, ku paditës është Koço Kokëdhima ndërsa të paditurit janë, Rilindja Demokratike sh.p.k. Ndërsa lloji i Çështjes është padi Shkaktim Demi (Neni 608-654) me baza Ligjore po këtë nen”, thuhet në dokumentin e publikuar për çështjen penale në ngarkim të RD-së teksa evidentohen detaje të këtij kallzimi. “Detyrimi i palëve të paditura të publikojnë përgënjeshtrimin e thënieve të pavërteta dhe mashtruese drejtuar paditësit në artikullin e Gazetës "Rilindja Demokratike" të datës 19.03.2014 dhe të dëmshpërblejnë paditesin për dëmin jopasuror të shkaktuar, në shumën 10.000.000 (dhjetë milionë) lekë. Ndërsa statusi i dosjes është çështje në gjykim me gjyqtar Anila Kristani”, thuhet në material.
Pikërisht një shumë të tillë kërkon deputeti socialist si dëmshpërblim për atë që ai e cilëson si e pavërtetë dhe mashtruese e botuar në RD. Po cili ishte shkrimi i disa ditëve më parë, pikërisht më 24 prill në gazetën RD, organ zyrtar i PD-së. Gazeta akuzon Kokëdhimën se ka trefishur sipërfaqen e ndërtimit pa leje mbi rërën e Qeparos vetëm 20 metra larg detit. Gazeta publikon dhe foto të asaj që ata e quajnë abuzim nga deputeti socialist në Qeparo fotografuar në 2013 dhe tani në 2014. Në foton e vitit 2014 sipas gazetës ndërtesa është trefishuar. RD, pasi akuzon organet kompetente për standard të dyfishtë, sipas saj ua prish hallexhinjve një objekt që kanë dhe i jep monopolin e paligjshmërisë Kokëdhimës dhe “më pas do t'ia legalizojë marrëzinë m’u në det duke dhunuar haptaz 3 ligje, 2 plane urbanistike dhe duke injoruar 2 vendime për prishje nga INUK.
INUK po vijon prishjen selektive të banesave, qofshin ato edhe në proces legalizimi”. I freskët ishte aksioni për prishjen e një ndërtese dykatëshe në proces legalizimi në Mallakastër, ku gazeta shkruan se u përdor edhe dhuna policore ndaj familjarëve që protestuan kundër INUK dhe drejtorit të tij, Zyhdi Dajti.
Ndërsa gazeta pyet se kur do të rrafshohen ndërtesat e deputetit të PS-së Kokëdhima pa kursyer as akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama,
vetë deputeti socialist ka sqaruar një më një akuzat ndaj tij, duke deklaruar se nuk ka asgjë të vërtetë në ato që RD dhe Berisha kanë hedhur për tregun politik, ndërsa dy ditë më parë Kokëdhima nuk ka ngurruar që të regjistrojë kallzimin ndaj RD-së në gjykatë duke kërkuar dhe 100 milionë lekë si dëmshpërbim për dëmin jopasuror të shkaktuar nga lajmet e pavërteta dhe mashtruese./shekulli

No comments:

Post a Comment