Saturday, April 26, 2014

Haluçinacionet e Saliut vene ne levizje NATO-n




Letra e SHISH, Rama: Informacion jo i faktuar, vetëm dyshime. Po sulmohet në mënyrë barbare ushtria

“Forca Ajrore disponon dokumente nga strukturat e specializuara të Aleancës që monitorojnë hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë, të cilat konfirmojnë se nuk ka pasur avionë renegatë në hapësirën tonë në datën dhe kohën e cituar në media”
BLEDAR HOTI
Rama kodheli dhe shefi i shtabitNATO ka dërguar një shkresë pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, duke dhënë një informacion tepër të rëndësishëm mbi lëvizjen e avionëve që opozita ka ngritur për përdorim të strukturave të ushtrisë në trafikun e drogës. Debati politik që ka përlyer ushtrinë shqiptare duket se ka alarmuar selinë e NATO-s, e cila ka ndërhyrë në sqarimin e këtyre ngjarjeve. Kështu, pas akuzave për përdorimin e ushtrisë shqiptare në trafikun e drogës dhe përdorimin e bazave të saja në seancat parlamentare, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, bëri të ditur një shkresë të NATO-s që rrëzon pretendimet e opozitës, por së fundmi dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror. Në një reagim publik, Shtabi i Përgjithshëm të FA-së shprehet se nuk ekziston asnjë fakt i tillë se një avion i bardhë mund të ketë fluturuar në hapësirat ajrore të territorit shqiptar. “Forcat e Armatosura dhe Ministria e Mbrojtjes i qëndrojnë çdo deklarate të mëparshme të dhënë nga titullarët e saj. Nuk ekziston asnjë fakt që të prodhojë hamendësitë e shprehura gjatë javëve të fundit në publik. Forca Ajrore disponon dokumente nga strukturat e specializuara të Aleancës që monitorojnë hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë, të cilat konfirmojnë se nuk ka pasur avionë renegatë në hapësirën tonë në datën dhe kohën e cituar në media”, thuhet në reagimin e përbashkët të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm. Duke mos dashur të bëhet pjesë e debatit politik, Shtabi i Përgjithshëm bën të ditur se është i gatshëm të vejë në dispozicion të gjithë dokumentacionin për të sqaruar një çështje të tillë, që po shkakton përplasje të madhe në Parlament mes mazhorancës dhe opozitës. “Forcat e Armatosura nuk dëshirojnë të bëhen pjesë e debatit politik. Qëndrimi i Forcave të Armatosura mbështetet në verifikimet e kryera nga institucione të specializuara vendase dhe të huaja. Duke iu bindur ligjit dhe vetëm ligjit, Forcat e Armatosura do të vendosin në dispozicion të Prokurorisë dhe Kuvendit të gjitha provat që vërtetojnë saktësinë e këtij qëndrimi”, përfundon deklarata.
I gjithë debati e ka zanafillën te deklarata e lëshuar dy javë më parë në Parlament nga ana e ish-ministrit Arben Imami, ku akuzoi se ushtria shqiptare po përdoret nëpërmjet bazave të saj në Gjadër për trafikun e drogës. Pas këtyre akuzave mes mazhorancës dhe opozitës, socialistët ndërmorën nismën për të ngritur komisionin hetimor për verifikimin e akuzave të lëshuara për përdorimin e ushtrisë për trafiqet e lëndëve narkotike. Komisioni hetimor u votua pardje në seancën plenare pa votat e opozitës, por demokratët kanë bërë të ditur se do të jenë pjesë e kësaj strukture parlamentare. Në debatet e zhvilluara në seancën e dy ditëve më parë, lidershipi i PD-së u tërhoq nga akuzat për përfshirje të ushtrisë në trafiqet e drogës. “Ne nuk kemi akuzuar ushtrinë për pjesëmarrje në trafikun e drogës”, u shprehën gjatë debatit në seancë dy deputetët e PD-së, Berisha dhe Paloka. Demokratët kërkuan që të hetohet trafiku i drogës.
Rama
Për çështjen e akuzave ndaj ushtrisë, reagoi edhe Kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi shkresën e SHISH-it si të pabazuar në fakte, por hedh vetëm dyshime. Këtë koment, Kryeministri e bëri gjatë bisedës në emisionin “Debat +” në “Vizion Plus”. “Ishte informacion mbi dyshime apo informacion mbi fakte? Njëra apo tjetra, se s’i lidh dot të dyja. SHISH-i dhe shërbimi në tërësi është një sistem i tërë i ngritur lidhur mbi dyshimin. Kështu funksionon. Dhe dyshimi u përcillet organeve të tjera, por nga dyshimi te fakti dhe prova është një hendek shumë i madh dhe po ua përsëris që nuk ka asnjë të dhënë të besueshme dhe të provuar minimalisht që të mund të flitet për një gjë të tillë. Kjo është puna normale e një shteti, ajo që s’është e tillë është ajo që ata që deri dje e kishin shtetin në dorë, të transformohen në një lukuni si kjo që shohim përditë dhe i turren në mënyrën më barbare Forcave të Armatosura dhe vetë imazhit të vendit tonë bazuar mbi një praktikë krejtësisht të rëndomtë të punës së përditshme të shërbimit sekret dhe të organeve përkatëse që lidhen me rendin dhe sigurinë. Kam respekt për opozitën si institucion dhe për këtë arsye ndiej më shumë keqardhje për katandinë e opozitës, sepse mungesa e një opozite serioze dhe një opozite që s’di ç’flet është seriozisht një problem për një qeveri që është kërkuese nga vetvetja”, deklaroi Rama.
Dokumenti i SHISH
Paralelisht me debatin në Parlament për ngritjen e komisionit hetimor, në median vizive u shfaq një dokument i SHISH, që i drejtohej Ministrisë së Mbrojtjes, ku jepej si informacion se një avion është ulur në aerodromin e Gjadrit të Lezhës. Në shkresën e SHISH-it citohet se ka dyshime serioze për shfrytëzimin e aeroportit të Gjadrit në funksion të trafikut të drogës. “Nga të dhënat në proces verifikimi, u informuam se në datë 19.03.2014, rreth orës 07;00 të mëngjesit, në fund të pistës kryesore të aerodromit të Gjadrit është ulur një avion i vogël sportiv, tip Charter, me ngjyrë të bardhë. Pas uljes së avionit, shumë afër tij erdhi dhe u afrua një automjet tip furgoni “Iveco”, me ngjyrë të bardhë, i mbyllur me targë të Vlorës. Ky avion vjen dhe ulet shpeshherë në aerodromin e Gjadrit. Bazuar në indiciet tona, dyshojmë se ardhja e këtij avioni ka pasur për qëllim transportin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Rreth orës 08:00 të asaj date në aerodromin e Gjadrit erdhën dhe efektivë të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Lezhë, sepse ishin informuar se në fundin e pistës kryesore të Gjadrit ishte ulur një avion”, thuhet në shkresën e SHISH. Ky dokument pritet të jetë pjesë e hetimit të komisionit të ngritur për këtë çështje. Por se nga ana e mazhorancës ka pasur reagime të shumta mbi të dhënat e lëshuara nga opozita. Socialisti Erjon Braçe qe  shprehur se dokumentin e SHISH e disponon dhe ai vetë, por ky institucion nuk e implikon në asnjë mënyrë ushtrinë shqiptare në trafiqet e lëndëve narkotike.

No comments:

Post a Comment