Friday, June 7, 2013

Zgjedhjet shqiptare: Premtime për ndryshim, vërtet?





Nga Fron Nahzi
Huffington Post

Është një fushatë elektorale e çmendur, e çmendur, e çmendur. Pak a shumë si personazhet e komedisë epike amerikane të vitit 1963, zgjedhjet parlamentare në Shqipëri kanë mbledhur së bashku një kast me personazhe të vjetër e të rinj të evolucionit demokratik në Shqipëri. Të gjithë premtojnë anëtarësimin në BE, fundin e korrupsionit dhe zhdukjen e papunësisë (përllogaritet se 28 përqind e rinisë është e papunë). Së fundmi partia në pushtet e ka ngritur pjacën dhe ka premtuar lëvizja pa viza për në Shtetet e Bashkuara.
Ky kast drejtohet nga i plakuri Sali Berisha, i vetëshpallur gardian i demokracisë, aktualisht kryeministër dhe lider i Partisë Demokratike në pushtet. Sfiduesi i tij është i riu Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste, ish- kryebashkiak i Tiranës, që preferon biftekun tartar në një vend ku gatimi i plotë është një normë. Të dy liderët pretendojnë se vota për partinë e tyre do të ndryshojë vendin. Slogani i Berishës është “Ne jemi ndryshimi dhe po lëvizim përpara”. Rama është përgjigjur me sloganin “2013: viti i ndryshimit” si dhe “të heqim qafe Berishën”, madje ai ka shtuar edhe nocionin “Rilindje” në sloganin e tij.
Vërdallë është edhe partia nacionaliste Aleanca Kuq e Zi, e cila çuditërisht ishte mirë në sondazhe derisa lideri i saj kërkoi nga 100 mijë dollarë nga anëtarët e partisë për të vendosur emrat e tyre në listë. Anëtarët e partisë u larguan nga lëvizja e në këtë mënyrë u shemb edhe Shqipëria e Madhe. Pastaj është edhe një tjetër parti e re, Fryma e Re Demokratike, e drejtuar nga Bamir Topi, ish- president i vendit. Relativisht i panjohur, Berisha e pati përzgjedhur dhe e çoi në presidencë. Topi mori pozicion kundër Berishës dhe shumë shpejt e gjeti veten pa punë. Topi ka vendosur të hakmerret ndaj Berishës dhe shpreson se partia e tij e re do e largojë nga detyra plakun. Partia e tij mund të marrë disa vende në parlament, por zor se do të zgjojë erërat e ndryshimit.
Lojtari kyç është Ilir Meta, koka me dy fytyra e Janusit, drejtues i Lëvizjes Socialiste për Integrim, një fraksion që doli nga shkëputja prej Partisë Socialiste në vitin 2004. Me një votë popullore të qëndrueshme prej 5 përqind, Meta ka marrë rolin e kingmaker-it. Që prej vitit 2009 ai ka ndarë të njëjtin krevat me Berishën. Meta ka shërbyer si zëvendëskryeministër dhe si Ministër i Jashtëm në qeverinë e Berishës. Ai u kap në video nga një prej anëtarëve të partisë së tij duke kërkuar ryshfet për një tender shtetëror. Berisha menjëherë erdhi për ta shpëtuar. Kundër dëshmisë së ekspertëve kriminalë të pavarur dhe pavarësisht britmave të diplomatëve amerikanë dhe europianë, Berisha dhe gjykatat e tij vendosën se kaseta ishte modifikuar dhe hodhën poshtë rastin. Meta u largua me xhepat plot me lekë dhe u hodh në krahët e Edi Ramës. Nuk është çudi që slogani i partisë së tij është “Të ecim më shpejt”. Nuk dihet nëse Rama do jetë në gjendje të mbajë ritmin me të, pasi disa të brendshëm besojnë se Meta ka nisur tashmë një plan për t’i marrë Ramës Partinë Socialiste dhe për t’u bërë kryeministër.
Me një avantazh prej shtatë pikë në sondazhet më të fundit, socialistët e Ramës pritet që të fitojnë zgjedhjet. Por fushata elektorale në Shqipëri nuk nis e nuk mbaron me zgjedhjet. Ky është një sport që zgjat gjithë sezonet. Humbësit nuk ndalojnë se ankuari dhe fituesit nuk i lënë kurrë lëvdatat. Premtimet e bëra gjatë fushatës harrohen shumë shpejt dhe menjëherë nis e adoptohet politika e tregimit me gisht. Për më shumë se 20 vite secila parti ka premtuar ndryshime në vend, por asnjë parti nuk ka vullnet për të ndryshuar. Dhe i vetmi ndryshim që do të shohë publiku është më pak para në llogaritë bankare offshore të liderëve të tyre dhe më shumë para në xhepat e tyre ose… një udhëtim pa viza për në SHBA. Oy vey!

No comments:

Post a Comment