Saturday, May 18, 2013

Vëzhguesit: Jo përdorimit të fondeve publike në fushatë



Ditën e sotme Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë publikoi një Deklaratë ku përmbledh qëndrimin e Koalicionit mbi zhvillimin e fushatës “pre-mature” zgjedhore si dhe mbi domosdoshmërinë e zbatimit të ligjit dhe nisjes së një fushate korrekte në datën 24 Maj 2013. Në këtë deklaratë Koalicioni ngre shqetësimin se “mbarëvajtja dhe mbikëqyrja e kësaj fushate prej autoriteteve përgjegjegjëse del jashtë kontrollit, pasi ligji e rregullon këtë mbikqyrje dhe monitorim vetëm për një muaj nga rreth 6 muaj fushatë të zhvilluar tashmë”. Për këtë Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë nxit dhe mbështet Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve për të vënë gjithë këtë proçes në shina ligjore, duke marrë masa dhe vendosur sanksione administrative ndaj të gjitha subjekteve politike që kanë shkelur afatin e çeljes së fushatës zgjedhore, në zbatim të Nenit 171 pika 2 e cila përbën bazën e nevojshme ligjore. Po ashtu në lidhje me Ndalimin e përdorimin të burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore, Koalicioni konstaton se kuadri ligjor i sotëm është i plotë dhe përbën një garanci që duhet të shfrytëzohet maksimalisht si një mjet efikas për të ndaluar përdorimin e burimeve publike nga subjektet zgjedhore. Përveç Kodit Zgjedhor i cili mbulon vetëm periudhën e fushatës zgjedhore, pra nga 24 Maji deri më 21 Qershor, Koalicioni sjell në vëmendje garancitë që ofrohen dhe jepen nga Kodi Penal të cilat nuk janë të kufizuara në kohë dhe janë të vlefshme në çdo kohë. Ndaj, Koalicioni nxit të gjithë aktorët politikë ose jo si edhe qytetarët që të denoncojnë pranë organeve kompetente të gjitha rastet e abuzimit me ligjin nga ana e subjekteve elektorale apo nga pushtetarë. Madje Koalicioni tërheq vëmendjen se shqetësimet e ngritura në media deri më sot dhe në vazhdim duhet të përbëjnë indicie për Prokurorinë, si trupa përgjegjëse e të hetuarit në Republikën e Shqipërisë. Gjithashtu Koalicioni ngre shqetësimin e transmetimit në mënyrë të jashtëligjshme të spoteve elektorale të parakohshme si dhe i një spoti (reklamë televizive) të Ministrisë së Mbrojtjes mbi “anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”. Me synim mbarëvajtjen sa më të mirë të proçesit, Koalicioni fton “Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve që të informojë nëpërmjet një Njoftimi për Shtyp të gjithë operatorët mediatikë, qëndrorë apo lokalë, shtetërorë apo privatë mbi risitë e këtyre ndryshimeve e në veçanti në lidhje me mbikqyrjen e mbulimit që do t’i bëjë media fushatës zgjedhore.
Ky njoftim duhet parë si një detyrim dhe përgjegjësi e KQZ-së për të rritur vëmendjen mbi zbatueshmërinë e ligjit, por sidomos për të shmangur goditjen e qëllimshme apo të njëanshme të operatorëve mediatikë, e cila përbën kërcënim serioz për lirinë dhe pavarësinë e medias në vend”. Në përfundim Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë nxit dhe mbështet Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve që të ushtrojë të gjitha kompetencat dhe autoritetin e vet për zbatimin me përpikmëri të ligjit, duke siguruar një fushatë zgjedhore konform dhe në përmbushje të plotë të legjislacionit në fuqi. Gjithashtu, Koalicioni iu kërkon të gjithë subjekteve politikë dhe institucionalë që në zbatim të Kodit Zgjedhor si dhe të Urdhrit të Kryeministrit të datës 8 Prill 2011, të zhvillojnë një fushatë të qetë dhe të qytetëruar duke iu siguruar të gjithë votuesve komoditetin dhe informacionin e nevojshëm në mënyrë që ditën e votimit ata të shprehin në liri të plotë vullnetin e tyre.

No comments:

Post a Comment