Opinion
NGULFATJA ME HISTORINE
Nga Blerim Shala
E kemi bërë përrallë si historinë, si politikën. Jemi ngatërruar keq. Me
vetveten.
Kemi prodhuar goxha shumë histori, këndejpari në Kosovë, veçmas që prej
viteve të nëntëdhjeta, dhe nuk po dimë çka me bë me te.
Kemi ndryshuar thelbësisht rrjedhën e mbrapshtë të historisë së re të
Kosovës, që nisë me vitin e bërjes së pavarësisë së Shqipërisë, më 1912-të, por
po sillemi thuajse ende kemi mbetë në zonën e errët të historisë së Ballkanit.
Jemi në gjendje, si asnjëherë më parë, ta shikojmë me sytë e kthjelltë
rrugëtimin tonë si komb, në këtë anë, në shtetin e Kosovës, por tutje
vetë-prangosmi duke e parë historinë me syzat me dioptri të qartë ideologjike.
Kemi mundësi, si kurrë më parë, që ta ndajmë historinë nga politika e
ditës, por po punojmë ashtu, saqë siç po kuptohet gjithnjë e më shumë, kemi
mbetë edhe pa politikë të mirëfilltë edhe pa histori të njëmendtë.
E kemi bërë përrallë si historinë, si politikën.
Jemi ngatërruar keq, me vetëveten.
Janë disa anë, disa dimensione që të binë ndërmend në trajtimin e këtij
ngatërrimi, i cili po e lë pa ajër, pa ide, pa pikëshikim afatgjatë (tek e
mbrama), tërë një shoqëri, gjithë një popull, një shtet të tërë.
Dimensioni real i historisë së mbetur, i cili gjithsesi është i pandashëm
nga politika e çdoditshme, është Veriu i Kosovës dhe raportet shqiptaro-serbe,
tashmë të ngushtuara në relacionet në mes të dy shteteve, Kosovë – Serbi.
Në Veri, siç e dimë, nuk ka ndodhë as 1999-ta, dhe as 2008-ta. Realisht.
Formalisht, gjërat këtu janë në rregull, sepse kjo pjesë e Kosovës mbulohet
plotësisht me sovranitetin e Republikës së Kosovës, sepse Kosova është njohur
si shtet në tërësinë e saj. Por e dimë fare mirë se çfarë ka ndodhë atje, që
prej qershorit të vitit 1999 e këndej.
Kjo histori ka gjasa të mira të përfundojë, ashtu siç duhet, deri në mbarim
të këtij viti, poqëse jetësohet Marrëveshja e 19 prillit e Kryeministrave të
Kosovës dhe të Serbisë.
Për këtë histori të mbetur të Kosovës, nuk ke si të mos flasësh, nuk ke si
të mos diskutosh, nuk ke si të mos preokupohesh. Kjo është e qartë.
Por dimensionet e tjera të preokupimit të historisë, shfaqen si tej mase
problematike për shëndetin e shoqërisë kosovare, për edukimin e brezave të ri,
për ardhmëninë politike të shtetit të Kosovës.
Këtu mund të fillohet me gjithë ato seanca të Kuvendit të Kosovës, të cilat
u mbajtën në muajtë e kaluar, në të cilat instanca më e lartë e shtetit të
Kosovës, synoi të përkujtojë dhe të respektojë ngjarjet madhore të historisë së
re, të cilat janë ata gurët tregues të hapërimit të vonshëm historik dhe
politik të Kosovës.
Këtu, në këto seanca, nëse flasim fare sinqerisht, nuk pati as përkujtim të
mirëfilltë, as resepekt të duhur, as histori të vërtetë. Këto seanca ishin një
përzierje e orëve letrare, fjalimeve patetike, qasjes pseudo-patriotike,
ideologjizimit të historisë, mbrapshtimit të saj në shërbim të karierave
personale të ndonjë zyrtari a ndonjë deputeti, gjithsesi (mbi të gjitha), edhe
të para-fushatës elektorale.
Te ne, siç dihet, edhe të vdekurit votojnë, e pse mos t’i shfrytëzojmë të
vdekurit, heronjtë dhe martirët për të mbledhë pak më shumë vota. Pse të mos i
përdorim ata për qërimin e hesapeve me njeri-tjetrin, në pranverën e vitit
2013.
Ka ndodhë pra një vetë-keqpërdorim i Kuvendit me këto seanca, ka ngjarë
pra, një përbuzje (realisht), e historisë sonë të re, është shënuar pra, një
kompromitim dhe degradim i politikës sonë.
Këtu, pastaj, mund të vazhdohet me mënyrën se si kemi refuzuar t’i qasemi
relacionit i cili natyrshëm del në përfundim të çdo lufte: Relacionit në mes të
drejtësisë dhe luftës.
Ky relacion kudo në Botë, pos tek ne në Kosovë, njeh tri segmente: Atë të
gjykimit të krimeve të rënda, atë të amnestisë së përgjithshme (me përjashtimet
e kategorisë së parë), atë të integrimit të ish-luftëtarëve në shoqëri, ku
përfshihet patjetër edhe përkrahja e tyre në segmentin social.
Asnjërin prej këtyre tri segmenteve nuk e kemi në rregull. Dhe për këtë, me
siguri, nuk duhet të paraqiten fare argumente. Kështu, në vitin 2013, pra,
katërmbëdhjetë të plotë pas luftës, krimet më të rënda kanë mbetë të
pagjykuara, amnesti të përgjithshme nuk ka pasë fare (as që është folur si
duhet për te në ato vitet e pasluftës), integrimi i ish-luftëtarëve në shoqëri
nuk njeh shumë storie të suksesshme, ndërsa trajtimi social i tyre tek duhet të
fillojë, pas një evidencimi të gabuar të pretendentëve për ta marrë statusin e
veteranit të UÇK-së.
Për këtë shkak, neve ende lufta po na sillet në gjyqësinë dhe politikën
kosovare, ajo ende ka ndikim të fuqishëm në të përditshmen kosovare.
Për këtë arsye, pasiqë ne nuk i kemi pastruar llogaritë me historinë, ajo
tash e ka ndërmend t’i bëjë hesapet e saja me ne.
Më në fund, e kemi edhe kaptinën e shkrimit dhe të shpjegimit të historisë
së re të Kosovës, jo vetëm në librat shkollor, por edhe në masë të madhe, edhe
në ata publicistik apo edhe shkencor.
Kemi të bëjmë me një karikaturë të historisë së mirëfilltë, me një
skematizim të gabuar, me një qasje e cila nuk ka si të mos na dëmtojë neve sot,
dhe ata që vijnë pas nesh, në brezat e ardhshëm.
Kur ne që jemi aktorë dhe autorë të kësaj historie sillemi në këtë mënyre
me te, kur e shkruajmë, çka do të bëjnë ata që nuk kanë qenë në gjendje të jenë
dëshmitarë të saj.
Të thuash gati çdo përpjekje për ta treguar këtë histori ashtu si ka qenë,
hasë në kundërshti të atyre që janë vetë-shpallur interpretuesit e vetëm të
saj.
Kështu mbërrihet sërish tek konkludimi nismëtar: Kemi prodhuar goxha shumë
histori, këndejpari në Kosovë, veçmas që prej viteve të nëntëdhjeta, dhe nuk po
dimë çka me bë me te.
No comments:
Post a Comment