Mijëra qytetarë nga mbarë Kosovë kanë dalë në
protestë kundër arrestimit të disa ish- drejtuesve të UÇK, të cilët akuzohen
nga EULEX për krime lufte. Në krye të protestës kanë qenë ish- komandantët e
UÇK-së dhe familjarët e dëshmorëve. Kreu i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve,
Xhavit Jashari tha se lirinë e fituar me luftë nuk mund ta marrë askush me
akuza e njollosje, siç po vepron EULEX. “Ne i themi EULEX-it se atë që e kemi
fituar me luftë, duhet luftë për të na e marrë keq dhe assesi me akuza, njollosje
dhe shpifje ndaj vlerave kulmor të kombit shqiptar”, tha Jashari. Në emër të
organizatorëve të protestës, Jashari ka ftuar edhe presidenten Atifete Jahjaga,
kryeparlamentarin Jakup Krasniqi dhe kryeministrin Hashim Thaçi që të
rishikojnë mandatin ekzekutiv të EULEX-it. Protestuesit thanë se do vijojnë
protestat deri në lirimin e të arrestuarve.
Ka përfunduar protesta e thirrur nga OVL e UÇK
kundër veprimeve të EULEX-it ndaj disa ish-komandantëve të UÇK-së. Protesta ka
përfunduar e qetë. Ata tashmë janë shpërndarë, me porosinë që sërish të
bashkohen për të mbrojtur, siç janë shprehur oratorët që iu drejtuan protestuesve, luftën dhe lirinë e Kosovës. Ndërkohë,
protestuesve u është drejtuar edhe këngëtarja Leonora Jakupi me një këngë kushtuar
çlirimtarëve. Mijëra qytetarë kanë protestuar në mbrojtje të ushtarëve të
UÇK-së që po hetohen nga EULEX-in për dyshime për kryerje të krimeve të luftës.
Ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar protesta dhe veprime tjera për
mbrojtjen e luftës dhe ushtarëve të UÇK-së. “Unë e vrava Bullatovicin” dhe “Mos
ma gjykoni lirinë”, kanë qenë disa prej pankartave të protestuesve. Ata
vazhdimisht kanë brohoritur "Krejt Kosova UÇK". Kryetari i shoqatës
së familjeve të dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari ka thënë se nuk po
protestohet kundër faktorit ndërkombëtar por ndaj faktorit EULEX që po e
njollos luftën e UÇK-së. Ai ka kërkuar nga krerët e shtetit që ta shqyrtojnë
mandatin e Misionit për Sundimin e Ligjit. “E ftojmë presidenten Jahjaga,
kryeministrin Thaçi dhe kryeparlamentarin Krasniqi që ta shqyrtojnë mandatin e
EULEX-it menjëherë", ka thënë Jashari duke shtuar se nëse situata
destabilizohet, përgjegjësinë do ta marrë EULEX-i dhe institucionet e Kosovës. Simboli
i rezistencës kosovare, Adem Demaçi i
cili iu drejtuar me një fjalë protestuese i ka bërë thirrje EULEX-it që të kenë
kujdes se kënd e cilësojnë si kriminelë. “Ne kemi pritur nga EULEX që të na
ndihmojë për zgjidhjen e disa çështjeve të mbetura, për ndriçimin e krimeve të
kryera nga Serbia. Por ne nuk kemi pritur nga ata që çlirimtarët t’i bëjnë
kriminelë të luftës. Kriminelë nuk janë çlirimtarët, ne luftuam për lirinë
tonë. Rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka thënë Demaçi. Mbrojtja e grupit
të Drenicës, ka parashtruar ankesë në gjykatën themelore, lidhur me masën e
arrestit të caktuar për 6 të arrestuarit. “Ne kemi parashtruar ankesën tonë për
këtë masë dhe presim që gjatë 48 orëve të ardhshme të marrim një përgjigje”, ka
thënë avokati i ish-komandantit Sylejman Selimi.
Në orën e paralajmëruar në Parkingun e
Pallatit të Rinisë, në kryeqytet, u mblodhën mijëra protestues në shenjë
kundërshtimi të veprimeve të EULEX-it ndaj ish-komandantëve të UÇK-së. Protestës
së thirrur nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së i janë bashkuar edhe shumë
qytetarë. Vërehen sidomos të rinj. Shoqatat e veteranëve të UÇK-së kanë shfaqur
kundërshtimet ndaj veprimeve të EULEX-it në rastin e arrestimit të Grupit të
Drenicës, njësoj si më parë edhe ndaj rastit Kleçka me kryeprotogonist Fatmir
Limajn.
Siç tash më dihet, gjyqtari i procedurës
paraprake ka shqiptuar masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh për Grupin e
Drenicës, të cilët akuzohen për maltretime ndaj civilëve në burgun e Likocit
gjatë qershorit të vitit 1998. Ndër të akuzuar janë Ish-komandanti i Shtabit të
Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, ish-komandanti i Zonës Operative të
Drenicës, Sami Lushtaku, ish- komandanti i Brigadës 111, Jahir Demaku, si dhe Zeqir
Demaku, Sahit Jashari, Avni Zabeli dhe Hysni Thaçi. Avokatët e të akuzuarve kanë paralajmëruar që
sot ankesë ndaj vendimit të gjykatës. Ata akuzat ndaj këtij grupi i kanë
cilësuar të motivuara politikisht dhe të paqëndrueshme juridikisht.
No comments:
Post a Comment