Fushata për zgjedhjet parlamentare në
Republikën e Shqipërisë ka ditë që ka filluar zyrtarisht. Është një proces në
zbatim të Kushtetutës dhe ligjit zgjedhor, por që, natyrshëm, përcillet edhe me
emocione të opinionit shqiptar kudo në botë, pjesë e pandarë e të cilit jemi
dhe ne, shqiptarët e Republikës së Kosovës. Si bashkëkombës, ne i përjetojmë më
tepër se të tjerët të gjitha zhvillimet në Shqipëri, përjetojmë ecurinë e
procesit zgjedhor, transparencën demokratike të votimit në ditën e zgjedhjeve
dhe rezultatin e dalë nga votimi. Përjetimi ynë është tërësisht i ligjshëm,
kurse teprimi në emocionalitetin e këtij përjetimi mendoj se mund të jetë i
dëmshëm. Mendoj kështu sepse: fqinjët, në çdo nivel organizimi, nga familja,
fisi, njësia administrative e deri te shteti, kurrë nuk kanë qenë dhe kurrsesi
nuk mund të jenë indiferentë për zhvillimet e njëri-tjetrit. I kanë përjetuar
këto zhvillime në varësi të raporteve të mëparshme, pozitivisht apo
negativisht. Në fqinjësinë shtetërore, ku, për hir të minoriteteve dhe të
pretendimeve kufitare, kundërtia mbisundon mbi mirëkuptimin dhe solidaritetin,
politika dhe, pas saj, opinioni bëhen “tifozë” të një zgjedhjeje dhe zgjidhjeje
në favor të shtetit të vet. Kjo është rregullsia e funksionimit të logjikës
politike dhe praktika mes shteteve me status dhe histori të njohur e të
afirmuar ndërkombëtarisht. Republika e Kosovës, si shtet me “moshë” fare të re,
që po përjeton zvarritjen “politike” të njohjeve ndërkombëtare dhe anëtarësimin
në OKB, është shfaqur dinjitoze në qëndrimet dhe reagimet e saj për zhvillimet
politike të fqinjëve të vet, maqedonas, malazias dhe serbë. Politikisht dhe ca
më pak institucionalisht, Republika e Kosovës nuk shfaqi asnjë indikacion, që
mund të konsiderohet si “anësi” në zhvillimet politike ndër ta. Kosova ende nuk
e ka arritur “komoditetin” që politikisht dhe shtetërisht të “ndërhyjë” e të
“ndikojë” në zhvillime të rëndësishme te shtetet fqinje.
Raporti Kosovë–Shqipëri, që është sanksionuar
dhe njihet botërisht si raport ndërshtetëror, në kushtet kur ndihemi dhe
realisht jemi një komb i ndarë politikisht në dy shtete shqiptare, kushtëzon
qëndrimin dhe reagimin tonë “nxehtësisht” emocional ndaj zgjedhjeve të
përgjithshme në Shqipëri. Dihet ekzistenca e dy shteteve shqiptare që është
rrjedhojë e një padrejtësie politike ndërkombëtare të ndodhur 100 vjet më parë.
Gjashtë Fuqitë e Mëdha e ndanë territorin dhe kombin tonë arbitrarisht. Prandaj
dhe ndjeshmëria e shqiptarëve të Kosovës për zgjedhjet në Shqipëri është e
përligjur. Kemi qenë, jemi dhe, domosdoshmërish do të mbetemi të lidhur, sepse
kemi të përbashkët gjuhën, territorin, zakonet. Kemi miq e jo miq të përbashkët
rajonalë e ndërkombëtarë. Por kjo nuk është dhe nuk mund të shërbejë si argument
për ndikimin e politikës dhe opinionit kosovar për zgjedhjet dhe rezultatin e
tyre në Shqipëri. Por politika shqiptare, ndonëse duke njohur ndjeshmërinë tonë
ndaj zhvillimeve në Shqipëri, nuk ka munguar të provokojë.
- Erdhi dhe u prit nga ne z.Sali Berisha.
- U prit në nivele intelektuale z.Edi Rama.
- U shfaq në media kërkesa e ish-kryeministrit
z.Pandeli Majko për marrjen e shtetësisë së Republikës së Kosovës.
Këto mbaj mend. Mund të ketë, por dhe mund të
shfaqen edhe vizita dhe ide të tjera...
Besoj se opinioni, por edhe mbarë spektri
politik shqiptar në Kosovë, janë tepër të interesuar dhe tërësisht të
predispozuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Shqipëri. Të gjithë
dëshirojnë dhe urojnë zgjedhje në funksion të konsolidimit të demokracisë dhe
të integrimit të Shqipërisë në BE, të prosperitetit të gjithanshëm ekonomik,
arsimor e kulturor, të rritjes së rolit dhe autoritetit të shtetit shqiptar në
rajon, kontinent dhe më gjerë, si dhe të fuqizimit të zërit të Shqipërisë për
afirmimin dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës. Zgjedhjet në Shqipëri janë në
prag. Duke qenë bashkëkombës jemi të interesuar për mbarëvajtjen, por,
natyrshëm, edhe tifozë. Bashkëkombësia na jep të drejtën për të qenë edhe
“tifozë” në ndeshjen politike të partive në Shqipëri, por na “penalizon” në
hedhjen e “shisheve plastike” në fushën e lojës elektorale.
*Autori është nënkryetar i parë i Kuvendit të Republikës
së Kosovës
No comments:
Post a Comment