LETËR QARKORE E IPESHKVIJVE KATOLIKË TË
SHQIPËRISË
ME RASTIN E ZGJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME
TË DATËS 23 QESHOR 2013
DREJTUAR BESIMTARËVE KATOLIKË
DHE TË GJITHË NJERËZVE VULLNETMIRË
Edhe pak kohë na ndan nga votimet e
përgjithshme të datës 23 qershor 2013 në të cilat do të zgjidhen ata që për një
katërvjeçar tjetër do të jenë deputetët e Parlamentit shqiptar dhe mazhoranca
që do ...t’i japë vendit një qeveri.
Ne, ipeshkvijtë katolikë në Shqipëri, me anë
të kësaj letre i ftojmë besimtarët katolikë si edhe njerëzit vullnetmirë që të
marrin pjesë në zgjedhje si një rast për të marrë pjesë në jetën publike të
vendit. Nuk mund të mohojmë hapat e rëndësishëm që janë bërë përpara. Por as mund
të mos vëmë re disa dukuri negative që mund të dëmtojnë rëndë procesin zgjedhor
në këto votime e prandaj duke i përmendur duam t’ua sjellim ndërmend të
gjithëve në mënyrë që procesi të shkojë sa më mirë.
Së pari ju kujtojmë fjalët e Koncilit II të
Vatikanit: “Të gjithë shtetasit kanë të drejtën, që është edhe detyrë, që ta
përdorin votën e tyre të lirë për nxitjen e së mirës së përbashkët” (Gëzimi dhe
Shpresa n. 75). Papa Gjon Pali II pohoi: “Akuzat për karrierizëm, për idhujtari
të pushtetit, për egoizëm dhe për korrupsion që jo rrallë u drejtohen njerëzve
të pushtetit, të parlamentit, të klasave sunduese, të partive politike .... nuk
e arsyetojnë aspak as skepticizmin dhe as mospjesëmarrjen e të krishterëve në
punën publike” (Besimtarët Laikë n. 42). Është e njohur se në shumë zona të
Shqipërisë vota shitet, blihet apo rrëmbehet nën kërcënim. Të dashur vëllezër,
shitblerja e votës është shitblerja e lirisë. Me anë të votës qytetari zgjedh
atë që e qeveris dhe jo një blerës që bëhet pronari i lirisë së tij. Një i
zgjedhur që vjen në pushtet me një votë të vjedhur apo të blerë nuk e meriton
atë vend. Po ashtu ai që shet votën shet dinjitetin e tij dhe me këtë votë
sjell në pushtet dikë që ia blen këtë dinjitet: e gjithë kjo është në dëm të
përbashkët. Përveç votës së blerë një fenomen i rëndë është vota nën kërcënim,
sidomos lidhur me premtim të vendit të punës. Prandaj është me rëndësi të mos
përfshihet administrata publike vendore apo qendrore në këtë proces e aq më pak
të kërcënohen me privimin e vendit të punës persona që duan të votojnë ndryshe
apo kanë një bindje ndryshe nga forca politike që i ka futur në punë. Kjo është
shkelje e hapur e të drejtave të njeriut dhe të punësuarit që me këtë punë mban
familjen e tij.
Së dyti u bëjmë thirrje forcave politike dhe
kandidatëve të bëjnë një fushatë zgjedhore pozitive pa e ulur nivelin në
fyerje, sharje, poshtërime të karakterit personal apo familjar sikurse
shpeshherë janë vënë re në këto vitet e fundit nga individë apo grupe
njerëzish. Duhet një fushatë që bazohet mbi propozimet programatike dhe jo mbi
denigrimin e tjetrit. Lidhur me këtë bëjmë thirrje që të mos bëhen pjesë e
fushatës fëmijët e shkollave dhe adoleshentët e të mos abuzohet me to.
Së treti është më se i nevojshëm një
administrim i rregullt i procesit të zgjedhjeve në të gjitha hallkat e tij. Në
kohët e fundit mjerisht vërehen tendenca manipulimi në këtë proces nga ana e
partive politike. Vështirësitë që po hasen këto ditë duhet të tejkalohen
nëpërmjet zgjedhjeve që garantojnë një proces transparent administrimi dhe
numërimi të votave për të pasur një rezultat legjitim.
Së katërti ka shumë rëndësi njohja e
zgjedhjeve dhe pranimi i rezultatit nga të gjitha palët dhe kontributi që
procesi të jetë sa më demokratik për të pasur një Parlament e Qeveri legjitime
dhe efikase. Të mos harrojmë se në legjislaturën që po lëmë pas nuk mundëm të
merrnim statusin e vendit kandidat të Bashkimit Evropian. Ky është një dështim
që i faturohet politikës sikurse e kanë theksuar edhe partnerët ndërkombëtarë
të Shqipërisë për arsye të mos administrimit të mirë të zgjedhjeve në të gjitha
etapat, të mosmarrëveshjes për miratimin e ligjeve të nevojshme për kombin. Ne
jemi të bindur dhe e ritheksojmë se e ardhmja e Shqipërisë është ajo evropiane.
Prandaj mbarëvajtja e këtij procesi do të thotë shumë për këtë të ardhme.
Të dashur besimtarë dhe të gjithë ju miq
vullnetmirë, ndërsa ushtroni detyrën dhe të drejtën tuaj të votës mos harroni
se vota juaj duhet të shkojë aty ku ju thotë ndërgjegjja dhe për ato programe
që promovojnë vlerat më të mira njerëzore: të drejtat e pacenueshme të jetës,
familjen dhe moralin, gur themeli për një shoqëri të shëndoshë.
Vota juaj duhet të jetë për një Parlament që
sjell një qeveri, e cila lufton pa kompromis korrupsionin, këtë plagë
vdekjeprurëse për demokracinë në Shqipëri. Gjithashtu ju bëjmë thirrje të
gjitha strukturave shoqërore dhe qytetarëve që të angazhohen për një Shqipëri
pa vrasje dhe hakmarrje. Jeta është e shenjtë dhe askush nuk mund të prekë
jetën e tjetrit.
T’i lutemi Zotit për një Shqipëri që di të
garantojë zgjedhje të lira dhe demokratike e për një mbarëvajtje të procesit
zgjedhor të 23 qershorit 2013.

No comments:
Post a Comment