“Sot, nëpërmjet fesë së Islamit, Turqia
përpiqet përsëri të ndikojë dhe modifikojë konceptin tonë të jetës sociale.
Perandoria otomane duket se po rivjen në një tjetër formë” – deklaroi
shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare në një intervistë dhënë revistës filozofike
franceze “NOOR”. Kadare ndër të tjera u pyet nga gazetari se “Pse u konvertuan
shqiptarët me ardhjen e ushtrisë otomane?”. Përgjigja ishte komplekse: “Një
pjesë e popullsisë së varfër, u detyrua të konvertohej me dhunë. Disa të tjerë
ndërruan kamp për arsye ekonomike, disa të tjerë për një fenomen tepër të
rëndësishëm për shqiptarët, pasi vetëm një mysliman kishte të drejtë të mbante
armë. Shqiptari ishte para dilemës: si do mundte ai të mbronte dinjitetin e
familjes së tij pa armë? Ndodhte që një vëlla i po të njëjtës çati konvertohej
dhe një tjetër jo. Pra, psikologjikisht ne ishim të përgatitur ndaj një jete
sociale të tolerancës. Por pushtimi otoman nuk krijoi asnjë liri, pavarësisht
iluzioneve, duke nxitur konfliktet mes klaneve. Feudalët ishin “të lirë” të
bënin luftë mes tyre. Sot, nëpërmjet fesë së Islamit, Turqia përpiqet përsëri
të ndikojë dhe modifikojë konceptin tonë të jetës sociale. Perandoria otomane
duket se po rivjen në një tjetër formë…”. Duke shtjelluar rolin e përfaqësuesve
të feve të mëdha që u u përpoqën të riinvestojnë shoqërinë shqiptare pas rënies
së diktaturës, Kadare thekson se “Ka tendenca radikalizimi dhe kjo s’është gjë
e mirë. Prej mbi 20 vjetësh shoqëria shqiptare përpiqet të rindërtojë
identitetin e saj kulturor, social e politik, që i përshtatet. Por pavarësisht
mjaft rindërtimeve të xhamive apo kishave, unë nuk shikoj ndonjë ndryshim të
rëndësishëm në zakonet e bashkëpatriotëve të mi. Nga ana tjetër, disa madje
tentojnë të rishkruajnë historinë tonë duke minimizuar veprën e heroit kombëtar
Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që sipas meje duhej të ishte përfshirë në
historinë europiane. Padyshim që politika kërkon të përfitojë nga gjithfarëlloj
radikalizmash, fundja si kudo…”
No comments:
Post a Comment