Wednesday, May 15, 2013

Berisha dhe “fitorja me çdo kusht” / Nga Gjergj Zefi


Berisha dhe "fitorja me çdo kusht"





Kryeministri i Shqipërisë , Sali Berisha , megjithëse ka 22 vite në politikë ,asnjëherë nuk e ka dhënë dorëheqjen vullnetarisht , megjithë humbjet dhe katastrofat që i ka shkatuar vendit. Vetëm në Qershor të ’97-ës u largua nga froni i Presidentit, por edhe atëherë  pasi i gjithë vendi u dogj e u bë shkrumb e hi. Largimi forcërisht i Berishës u pagua shumë shtrenjtë, me shumë jetë njerëzish dhe me rënien totale të shtetit. Është krijuar përshtypja “se ky nuk zbret nga kali pa luftë”.Hija e keqe i ka futur frikën popullit në palcë. Kudo njerëzit të thonë të shqetësuar që “ky nuk fiton më , por ama vështirë se e lëshon pushtetin. E njohim ne atë.” Ky është opinioni që mbizotëron gjithandej , fatkeqsisht. Them fatkeqsisht , pasi është një nonsens demokratik , që të humbësh zgjedhjet dhe të mos lëshosh pushtetin. E aq më shumë në vitin 2013 , e në zemër të Evropës.

Fitore me çdo kusht

Demokracia është vënë në gjuetinë e “fitores me çdo kusht” , duke harruar se kështu kthehet në një kopje të sistemeve paraardhëse totalitare. Komunizmi , Nazizmi dhe Fashizmi e ngulën pushtetin e tyre të egër “demokratik” , duke ngritur në sistem “fitoren me çdo kusht “. Qeveria po kërkon fitore me çdo kusht . Kryeministri që është edhe kryetar i koalicionit politik qeverisës, është kthyer në kohët etij më të këqija kur kërcënonte egër paqen dhe qetësinë e qytetarëve. Fjalimet e mbajtura para militantëve me rastin e çeljes së fushatës elektorale përcjellin tek njerëzit frikë. Një pjesë e madhe e mediave pranë kryeministrit , një pjesë e mirë e moderatorëve – gazetarë , “delfinë” të tij sulmojnë opozitën , sillen me arrogancë ndaj saj duke iu imponuar pothuajse me forcë opinionit qytetarë. Qeverisë , në fakt i duhet “fitorja me çdo kusht”. Ajo u konfirmua në pushtet përmes dyshimesh të mëdha , me votim të manipuluar dhe me dokumentacion falls të votuesve. Qevrisë i duhet “fitorja me çdo kusht”, pasi gjatë qeverisjes së katër viteve të shkuara , ajo la “gropa” të mëdha në ekonominë e vendit. Gjatë këtyre viteve ajo ka hyrë në borxhe të mëdha , dhe këto borxhe duhen larë. Ajo (qeveria) ka bërë masakër në ekonominë e vendit dhe ato duhen rikuperuar , përndryshe… Berishës i duhet “fitorja me çdo kusht” sepse ai ka frikë: ka frikë nga Gërdeci ;ka frikë nga 21 Janari; ka frikë nga Damir Fazlliç; ka frikë nga pasuritë e vëna në kurriz të shqiptarëve , po po ka frikë nga gjitha këto , madje ka frikë edhe nga të vetët që nëse ai bie , “ nuk do ta nderrojnë as me mish dashi”.

Tërheqja, shansi i fundit i Berishës

Në ankthin e tij për një “fitore me çdo kusht” Berisha me të tijtë i bëjnë llogaritë gabim. Sot nuk jemi në vitin ’97. Kohët kanë ndryshuar. Cdo përpjekje për të qëndruar në pushtet me zor është vetvrasje politike. Në këto kushte , tërheqja e Kryeministrit nga “fitorja” me çdo kusht”  do të jetë një shans i fituar. Shansi i tërheqjes i vjen Kryeministrit në një çast parimor , gjë që u krijon mundësinë si qeverisjes ashtu edhe të qeverisurve që të mendojnë e të sillen pozitivisht në rrugën e shtetformimit. Tërheqja e Kryeministrit do të lirojë nga diktati Partinë Demokratike,e cila u lind si parti liberale dhe demokratike , por është kthyer në një koracë diktati  nën pushtetin autoritarist të Berishës . Tërheqja e Berishës do të hapë portat që në PD të hyjë dhe të jetojë mendimi ndryshe , alternativat , idetë. Demokracia do të marrë frymë.
Tërheqja e Berishës do të ishte një dimension i ri i qytetarisë politike , që kërkohet kaq shumë si kusht për integrimin në Europë.
Berisha duhet të heqë dorë nga qëndrimi “me çdo kusht” në pushtet , duhet të iki , që të shpëtojë demokracia , të shpëtojë e djathta ,të shpëtojë vendi. Nuk është e udhës të presim që të bierë e gjithë ngrehina e tij. Fantazma e 97-ës po na vërtitet mbi krye. Asnjë krijesë nuk bie dy herë në të njëjtën gropë.


Gjergj Zefi

No comments:

Post a Comment