Shkon në prokurori stafi i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i njohur si zyrtari më shpërdorues, i korruptuar dhe i babëzitur në Shqipëri. Është një detyrim ligjor që duhet të kishte ndodhur prej vitesh, por Ardian Fullani u la të livadhiste në paratë e shqiptarëve. Më në fund stafi i Bankës së Shqipërisë, ka shkuar në prokurori, por jo Guvernatori i Bankës, Ardian Fullani, orkestruesi kryesor i të gjithë serisë së aferave marramendëse financiare që janë konsumuar në Bankën e Shqipërisë. Gjithsesi një procedim penale ka nisur për stafin dhe bashkëpunëtorët e Ardian Fullanit, të cilët po ndiqen në gjendje të lirë. Ndaj këtyre punonjësve rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës, për “Shkelje të barazisë në tendera”. Nga ana tjetër, hidhen dyshime për shkelje në tenderin për prishjen e ish-Hotel Dajtit. Mësohet se punonjësit kanë abuzuar me qiratë që Banka e Shqipërisë i paguan subjekteve private. Policia ka bërë me dije se administrata ka zvarritur në mënyrë të qëllimtë dhe abuzive rikonstruksionin e godinës së bankës.
Skandali me “Hotel Dajtin”
Ardian Fullani i ka blerë Sali Berishës me paratë e shqiptarëve “Hotel Dajtin”, për të shlyer borxhet e qeverisë. Gjithçka është luajtur me paratë e qytetarëve shqiptarë, para të cilat kanë shkuar për luksin e Guvernatorit dhe në xhepat e klientelës së Sali Berishës, sot i përmbysur nga pushteti. Sot gërmadha e “Hotel Dajtit” është vetëm një nga dëshmitë e pazareve mes Ardian Fullanit dhe Sali Berishës, ku Banka e Shqipërisë, në shkelje flagrante të ligjit, ka financuar qeverinë e kaluar. Fullani është bashkëpërgjegjës me Sali Berishën dhe Ridvan Boden për shkretimin e financave të shtetit shqiptar, përmes manovrave të ndryshme financiare. Fullani ka tejkaluar limitet e kreditimit, duke shkelur nenin 30 të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”. Në kohën me të vështirë për financat publike dhe Sali Berishën, Guvernatori Fullani u kthye në “garant” të shpëtimit të tyre. Fullani pranoi të blinte Hotel Dajtin, pronë shtetërore, për një shifër kolosale prej 30 milionë eurosh, që kaloi në buxhet, ndërkohë që ende nuk ka nisur asnjë punim ristrukturimi në këtë objekt. Ndërkohë, qeveria, me vendim të veçantë ia shiti ndërtesën Bankës së Shqipërisë, për 30 milionë euro. “Hotel Dajtit” sot është katandisur dhe degraduar, siç edhe e tregojnë fotografitë, ndërsa partë shkuan për të ushqyer afera të tjera korruptive të qeverisë së kaluar.
Pse nuk rikonstruktohen “Hotel Dajti”?
Ka një arsye të fortë se pse nuk rikonstruktohen “Hotel Dajti” dhe pse zvarritet rikonstruksioni i godinës së Bankës së Shqipërisë. Duke mbajtur peng këto dy godina, Fullani paguan çdo vit 6 milionë USD kontrata qiraje. Duke përdorur si alibi çështjen e rikonstruksionit të bankës, Fullani prej disa vitesh ka marrë me qira zyra, objekte dhe godina. Duket e pabesueshme, por sipas të dhënave nga bilancet e vetë bankës mësohet se guvernatori Fullani akordon 6 milionë dollarë në vit për shpenzime për qira zyrash. Skandali është i paprecedentë, ndërsa prej disa vitesh godina e Bankës së Shqipërisë vijon të jetë e rrethuar formalisht nën pretekstin e rikonstruksionit. Kontrata për rikonstruksionin e bankës përbëjnë një histori të mirëfilltë abuzimi, pasi janë zgjatur, ndryshuar dhe manipuluar në funksion të kontratave të qirasë. Gjithçka është konstatuar dhe zbardhur edhe nga institucioni më i lartë i kontrollit financiar, KLSH. Por, edhe pse kostoja e abuzimeve të Ardian Fullanit po fryhet me shpejtësi në kurriz të taksapaguesve shqiptarë, ende nuk ka asnjë sinjal apo paralajmërim nga ana e Kuvendit të Shqipërisë për të marrë masa. /sot