Tuesday, May 20, 2014

Eshte rradha e Lazaratit

lazarati_nder_historite_me_te_Ora e Lazaratit po troket. Lazarati i Sali Berishës, i njohur ndryshe si Kolumbia e paprekshme e Evropës, duket se po numëron orët e fundit. Ndërsa opozita shqiptare ka kthyer drogën në kauzë dhe në krye të aksionit politik, shumica në pushtet po përgatitet për një betejë finale me oazin e hashashit të Evropës, Lazaratin, i cili prej 24 vitesh ka sfiduar shtetin ligjor, prokurorinë, policinë, Kushtetutën dhe çdo qeveri. Organet ligjzbatuese në Shqipëri, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar, kanë përgatitur tashmë një plan për “pushtimin” e Lazaratit, i cili që nga zgjedhjet e 23 Qershorit, duket se ka humbur imunitetin politik. Sipas burimeve, bëhet fjalë për një bashkëpunim midis Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura, Shërbimit Informativ Shtetëror, misionit PAMECA, ICITAP dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fillimisht, shumica qeverisëse e dalë nga zgjedhjet e 23 Qershorit, ka shprehur vullnetin politike për t’i dhënë fund paligjshmërisë dhe turpit kombëtar në Lazarat. Mbi bazën e këtij vullneti, prokuroria dhe policia kanë ngritur një grup pune të nivelit të lartë. “Në kuadër të strategjisë dhe planit të veprimit në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, është ngritur para pak kohësh një grup pune i nivelit të lartë ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, që kam shumë shpresë se do japë rezultatet e duhura, procedime efektive dhe dënime maksimale për të gjithë ata që organizojnë dhe drejtojnë sipërmarrjen e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike”, ka deklaruar ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri. Por, nisur nga përvoja e tentativës së fundit, ku lazaratasit zmbrapsën më armë policinë, plani aktual parashikon edhe angazhimin e elitës së ushtrisë, për të vendosur shtetin ligjor në Lazarat. Sipas burimeve, për vendosjen e autoritetit të shtetit në Lazarat, do të mobilizohen komandot më të dalluara shqiptare, që kanë marrë pjesë në misione në Afganistan, Irak dhe Bosnje. Ndonëse nuk dihet ende, për numrin e ushtarakëve që do të angazhohen në këtë aksion historik, burime pranë Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, kanë konfirmuar vendimin për të hyrë në fshatin e drogës, ku do të asgjësohen të gjitha bimët narkotike.   
Policia rrit prezencën
 Javët e fundit, Policia e Shtetit, ka rritur prezencën në Lazarat. Tre drejtuesit më të lartë të policisë kanë vizituar këto ditë fshatin e drogës. Po ashtu, disa drejtues policie kanë luajtur futboll me lazaratasit në fshat. Këto lëvizje u interpretuan si dështim dhe poshtërim i policisë, por dy vizitat duket se kanë të bëjnë me planin për të ndërhyrë në Lazarat.  
 Paralajmërimi i Didit   
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, ka paralajmëruar planin për të ndërhyrë në Lazarat. “Në këtë sfond Lazarati është i përmendur dhe i trajtuar; policia shqiptare është duke bërë plane, të cilat janë në zhvillim e sipër në zonën e Gjirokastrës dhe të tjera në Shqipëri. Këtë e tregojnë rezultatet e larta në bllokimin e lëndëve narkotike dhe në Lazarat po merren masa për të kufizuar, por më pas do shqyrtojmë për hapa të mëtejshëm”, tha ai. Vetëm disa ditë më parë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, ka zbarkuar në Lazarat. 

No comments:

Post a Comment