Wednesday, April 30, 2014

Ziadin Sela: Menduh Thaçi duhet të japë dorëheqjen

Menduh Thaçi duhet të japë dorëheqjen nga kreu i partisë në Kongresin e jashtëzakonshëm që duhet të organizohet nga Kuvendi qendror i PDSH-së. Ka qenë kjo deklarata e kryetarit të Komunës së Strugës Ziadin Sela, që ashtu siç kishte paralajmëruar, bashkë me degën e Strugës do t'i prijë iniciativës për shkarkimin e liderit të PDSH-së Menduh Thaçi. Humbja me 90 mijë vota diferencë në zgjedhjet parlamentare, sipas tij, është arsye më se e mjaftueshme për dorëheqjen e Thaçit. "Kongresi është ai në të cilin kryetari aktual i PDSH-së duhet të japë dorëheqjen. E ka thënë sovrani, që ai duhet të japë dorëheqjen", deklaroi Sela.


Përveç humbjes në zgjedhjet parlamentare, Sela përmendi edhe dështimin në zgjedhjet presidenciale, ku PDSH-ja si partia e vetme shqiptare garuese në zgjedhje, humbi edhe Tetovën nga VMRO-DPMNE-ja. Duke komentuar paralajmërimet e Menduh Thaçit për përfshirjen e PDSH-së në Qeverinë e re, Sela tha se këtë vendim nuk mund të sjellë në krye një kryetar partie në ikje. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i anëtarit të kryesisë qendrore të PDSH-së Imer Aliu. Listat e kandidatëve për deputetë në njësinë e pestë zgjedhore, ishin mollë sherri për përplasjet e drejtpërdrejta mes Selës dhe Thaçit. Thaçi të dielën, pasi humbi zgjedhjet, një pjesë të fajit ia hodhi edhe Selës, pasi PDSH-ja në njësinë e pestë zgjedhore, për herë të parë mbeti pa deputet.
Zgjedhjet në Maqedoni nuk sjellin asgjë të re
Kryeministri Nikola Gruevski nga partia VMRO-DPMNE është fituesi i vërtetë i zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni. Gruevski do të ruajë postin e tij të kryeministrit dhe do të vazhdojë të drejtojë koalicionin prej 24 partish. Disa nga partitë në koalicion kanë pak anëtarë dhe morën vetëm disa mijëra vota, ndërsa vetëm partia e Gruevskit mori 43 për qind të votave. Kjo do të thotë se VMRO-DPMNE do të ketë 61 nga 123 deputetë gjithsej, pesë më shumë se në zgjedhjet shkuara. Por Gruevski, nuk arriti qëllimin e tij për të krijuar një shumicë absolute më partinë e tij dhe tani duhet të zhvillojë bisedime për një koalicion me partnerin aktual, partinë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim.
Edhe pse shkak i zgjedhjeve u bë një mosmarrëveshje mes dy partnerëve, pasi BDI-ja kërkoi që kandidati për president të ishte konsensual, sërish ka shumë arsye se pse ky koalicion duhet të vazhdojë. Prej kohësh në Maqedoni është vendosur që një nga dy partitë shqiptare të jetë pjesë e qeverisë, edhe pse zgjedhjet mund të kenë një fitues absolut. Lideri i partisë opozitare SDSM deklaroi se nuk do të njihte të gjithë procesin zgjedhor dhe ka kërkuar krijimin e një qeverie teknike. Ajo ka akuzuar qeverinë se ka abuzuar me pushtetin e saj për të fituar zgjedhjet. Reuters/AlsatM

No comments:

Post a Comment