Friday, April 25, 2014

Pacolli: Del Ponte e zhgënjyer që nuk arriti të involvohet në çështjen e Gjykatës

Zëvendëskryeministri dhe presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli thotë se është revoltuar shumë nga deklarimet e fundit të Karla Del Pontes.

Ai tha se reagimi i saj pas miratimit të themelimit të Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës, erdhi pasi u zhgënjye nga qëllimi i saj për t’u involvuar në funksionimin e saj.
Në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, Pacolli shkruan se Del Ponte tani më shumë se kurrë është e zhgënjyer, pasi Kosova i ka kapacitetet e saj me gjykuar keqbërjet e kohës së luftës dhe të paqes.
Ja shkrimi i plotë i Pacollit në Facebook:
Më kanë revoltuar shumë deklarimet e fundit në mediat botërore të ashtuquajturës Prokurore për krimet e Luftës në ish Jugosllavi, Karla Del Ponte, pas votimit në Kuvend të ligjit për Gjykatën speciale. Ky njeri aq shumë i mallkuar prej shumë familjeve të dëmtuara prej saj, kudo ku ka punuar, shprehte zhgënjimin për këtë votim dhe thoshte se kurrgjë nuk do arrihet prej kësaj Gjykate. Pasiqë nuk ja arriti qëllimeve të veta për t’u involvuar në funksionimin e saj, zonja Del Ponte vazhdoi me qasjen e vet destruktive kundrejt popullit shqiptar, kundrejt viktimave të luftës së Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës, kundrejt kombit shqiptar të cilin ajo e ka përbaltur në jo pak raste..
Dihen lidhjet e saj me Beogradin, lidhjet e saj me Dik Martin. Dihet se libri i saj plot fantazira, plot frustrim ndaj një karriere që nuk u ngrit dot mbi viktima ishte në themel të raportit famëkeq kundër Kosovës dhe kombit shqiptar, kundër aleatëve perëndimorë të NATO-s, që tre vjet më parë u miratua në Këshill të Europës.
Sot ajo ka arsye të zhgënjehet. Sot Kosova i ka kapacitetet e saj me gjykuar keqbërjet e kohës së luftës dhe të paqes. EULEX-i, ndaj të cilit zonja së bashku me Dik Martin shprehën dyshime se mund të zhvillonte hetime të drejta, i ka këto kapacitete. Dy autorët e raportit si frymëzues dhe hartues të tij nuk mund të përcaktojnë tashmë fatin e hetimeve dhe gjykimeve, të cilat do i japin të drejtë luftës sonë e cila ishte përgjithësisht e mbështetur në rregullat ndërkombëtare të konflikteve. Si dikush që ka qenë vazhdimisht i angazhuar për të vendosur drejtësi kundër këtyre autorëve në Zvicër apo kudoqoftë, mbetem plot besim në zhvillimin e mëtutjeshëm të drejtësisë në Kosovë./Ekspres

No comments:

Post a Comment