Sunday, April 27, 2014

Ndahet nga jeta Nuri Abdiu, hartuesi i parë i Bibliografisë së punimeve shqiptare në psikologji

Prof. Dr. i Shkencave Psikologjike dhe Veterani i Luftës Nacional-Çlirimtare, z. Nuri Abdiu.
TIRANE, 27 Prill/ATSH/- Prof. Dr. i Shkencave Psikologjike dhe Veterani i Luftës Nacional-Çlirimtare, Nuri Abdiu është ndarë sot nga jeta.

Prof Dr. Nuri Abdiu ka mbaruar studimet e larta me Diplomën “Rezultate të Shkëlqyera” në Institutin Pedagogjik Shtetëror të Moskës, për “Pedagogji-PsikologjiI”, në vitin 1958.
Me Vendimin nr 26, dt 29.10.1991, Komisioni i Lartë i Atestimit pranë Këshillit të Ministrave i ka dhënë gradën shkencore “DOKTOR I SHKENCAVE” dhe me Vendimin nr. 3, dt. 9.02.1999, i ka dhënë titullin shkencor “PROFESOR”. Gjatë periudhës 1951-1958, Prof Dr. Nuri ABDIU ka qenë Referent Konsullor pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Gjatë periudhës 1958-1993 ka qenë Pedagog dhe Zv.Drejtor në Institutin e Lartë Pedagogjik Shkodër.
Gjatë periudhës 1997-2006 ka qenë Drejtues i Departamentit të Psikologjisë në Universitetin Jo Publik “Albanian University”.
Lista e punimeve shkencore, studimeve, kumtimeve shkencore dhe artikujve të hartuara dhe zhvilluara nga Prof. Dr. Nuri Abdiu arrijnë në mbi 160 zëra. Shumë prej tyre janë botuar në organe shkencore dhe mbajtur në sesione të ndryshme shkencore, lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare, si në Kongresin VI Europian të Psikologjisë (Romë 1999), në Prishtinë, etj.
Prof. Dr. Nuri Abdiu është hartuesi i parë i Bibliografisë së punimeve shqiptare në lëmin e psikologjisë (botuar më 1985.). Është bashkautor në 7 tekste të psikologjisë, 4 për shkollat e larta, 1 për kursin pasuniversitar dhe 2 për shkollat e mesme pedagogjike. Ka botuar 3 monografi: “Bibliografia e punimeve shqiptare në lëmin e psikologjisë”, botuar më 1986.
Vepra e tij kryesore, që përbën një kontribut të veçantë në përgjithësimin e përvojës sonë kombëtare në fushën e mendimit psikologjik shqiptar, është studimi i tij “Kontribute themelore në historinë e mendimit psikologjik shqiptar (gjer më 1939)”, botuar më 2002. Eshtë autor edhe i disa monografive, të botuara në revista e përmbledhje shkencore. Më 2007 botoi monografinë “Psikologjia” e Hasan Tahsinit. Prod Dr Abdiu la në proces tekstin “Mbi historinë e Psikologjisë shqiptare”.
Prof. Dr. Nuri Abdiu ka qenë: Anëtar i Këshillit Shkencor të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër deri më 1993; Anëtar i Komisionit Kombëtar për “Çështjet e Pedagogjisë dhe të Psikologjisë” të Ministrisë së Arsimit, 1959 – 1993; Anëtar i Redaksisë së “Buletinit Shkencor” të ILP Shkodër deri më 1993; Anëtar i Kolegjiumit të redaksisë së Revistës “Arsimi Popullor”, 1966-1967; Anëtar i Komisionit të Posaçëm të Mbrojtjes së Disertacioneve, 1987-1994;  Anëtar i Redaksisë së fushës së kulturës, shkencës, arsimit për Enciklopedinë Shqiptare; Anëtar dhe zv.President i Shoqatës Mbarëkombëtare të Psikologjisë;  Anëtar i Bordit të Konsulentëve të Revistës Shkencore “European Psychologist” që botohet në Hamburg, Gjermani, 1996 – deri më sot. Kryetar i Komisionit të Psikologjisë të Universitetit të Tetovës si dhe Kryetari i shoqatës “Lidhja e Intelektualëve Dibranë”.
Prof. Dr. Nuri Abdiu ka marrë këto Tituj Nderi:
Presidiumi i Kuvendit Popullor, me Dekretin nr. 4446, datë 10.10.1968 e ka dekoruar me “Medaljen e “Punës”;
-Presidiumi i Kuvendit Popullor, me Dekretin nr.6224, datë 29.9.1980, i ka dhënë Urdhërin “Naim Frashëri” të KLASIT TË PARË;
-Presidiumi i Kuvendit Popullor, me Dekretin nr. 7183, datë 22.12.1987, i ka dhënë titullin “MËSUES I MERITUAR“;
-Presidiumi i Kuvendit Popullor, me Dekretin nr. 7336, datë 18.11.1989, i ka dhënë titullin “MËSUES I POPULLIT”.

No comments:

Post a Comment