
Për kreun e shtetit garojnë dy kandidatë, presidenti aktual, Gjorgje Ivanov, i nomionuar nga VMRO-DPMNE-ja e kryeministrit Nikolla Gruevski, dhe Stevo Pendarovski, kandidat i Lidhjes Socialdemokrate të opozitës.
Ndërkohë që për 123 deputetët e Kuvendit të Maqedonisë janë paraqitur 14 lista të partive politike dhe të koalicioneve me gjithsej 1.402 kandidatë.
Tre deputetë zgjidhen nga diaspora, ndërsa votimi për ta është zhvilluar gjatë ditës së shtunë. Të drejtë vote, sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve kanë 1.779.572 persona.
Për zgjedhjen e presidentit votohet në njësi zgjedhore, ndërsa sa i përket deputetëve, ato zhvillohen në gjashtë njësi dhe secila prej tyre nxjerr nga 20 deputetë.
Nënkryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Subhi Jakupi, pret që procesi i sotëm zgjedhor të kalojë në atmosferë të qetë dhe demokratike.
Ai bën të ditur se materiali zgjedhor është shpërndarë me kohë dhe se nuk pret të ketë probleme gjatë votimit.
“Ne presim që këto zgjedhje të jenë të qeta, të organizuara mirë, pra presim që dita e sotme të jetë ditë feste. Ne jemi shtet me statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, andaj presim që edhe raporti i OSBE ODIHR-it dhe të gjithë vëzhguesit e tjerë që të jenë në harmoni me Kodin zgjedhor dhe të shpallen si zgjedhje fer dhe demokratike“, shprehet Jakupi.
Fushata elektorale në dy javët e fundit kryesisht është përqendruar në çështjet e integrimit, raportet ndëretnike, por edhe në akuza mes partive politike mbi përbërjen e qeverisë së re, ndërsa në fokus të tyre ishin edhe pretendimet për përfshirjen e oponentëve në afera të ndryshme të korrupsionit.
Për zgjedhjet parlamentare, gara kryesore zhvillohet mes dy blloqeve politike shqiptare dhe maqedonase, Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Partisë Demokratike Shqiptare, në njërën anë dhe VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së, në anën tjetër.
Ashtu sikurse në raundin e parë të zgjedhjeve për president, Ministria e Punëve të Brendshme ka mobilizuar të gjithë efektivat e saj për të parandaluar incidentet apo pengimin e procesit të votimit.
Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, tha se policia do të jetë e pamëshirshme ndaj çdo individi që tenton të prishë apo pengojë qytetarët për të realizuar të drejtën e votës të garantuar me Kushtetutë.
Zgjedhjet e monitorohen nga mbi 8 mijë vëzhgues të vendit dhe mbi 300 ndërkombëtarë. Numrin më të madh të vëzhguesve vendorë e kanë organizatat joqeveritar “Sinergia“ dhe “Most“. Nga organizatat e jashtme udhëheq OSBE-ODIHR me rreth 100 vëzhgues.
Rezultatet e para të votimit të sotëm pritet të publikohen më vonë se herëve tjera, për shkak se njëkohësisht zhvillohen dy palë zgjedhje.
“Kemi zgjedhje paralele dhe ne si Komision Shtetëror i Zgjedhjeve kemi marrë qëndrim që së pari të numërohen votat për zgjedhjen e presidentit dhe më pas ato për zgjedhjet parlamentare. Ne gjithmonë kemi qenë të shpejtë në daljen me rezultate, andaj besoj se komisionarët që janë në vendvotime, do t’i numërojnë shpejt votat që të dalim me rezultate sa më shpejt që të jetë e mundur“, thotë Jakupi.
Zgjedhjet e sotme parlamentare janë të 8-tat me radhë që nga pavarësia e Maqedonisë, ndërsa të 5-tat ato për presidentin e republikës/Europa e lire
No comments:
Post a Comment