TIRANË, 28 Prill/ATSH-Gjergji Mima/ – Kryeministri Edi Rama theksoi sot gjatë një takimi me qytetarët mbi legalizimet, se nuk do të hapet një fushatë e re vetdeklarimesh.
Sipas Kryeminstrit, “Kush ka ndërtuar një shtëpi në kërkim të një jete më të mirë do të legalizohet falas, duke nisur nga zonat infomale. Kush ka bërë një ndërtim dhe më pas ka bërë një shtesë anësore apo diçka më shumë, do të mirëkuptohen pasi nuk ka qenë faji i atyre që kanë bërë vetdeklarimet fillimisht në vitin 1993, pastaj në vitin 2003, të cilët nuk kanë marrë çertifikatën”.
“Në shumën totale të vetëdeklarimeve, pjesa dërrmuese nuk e kanë parë ndonjëherë shtetin tek dera. Ata që kanë marrë hipotekën janë vetëm 5% e vetëdeklarimeve. Këtë katrahurë e ka bërë qeveria e mëparshme, por sot ne jemi qeveria e Shqiperisë dhe e përgjigjemi edhe për borxhet, edhe për gropat që na kanë lënë në të 4 anët edhe për këtë”, tha Rama.
Përsa i përket çmimit favorziues për parcelat ndërtimore, Kryeminstri Rama tha se, “një nga problemet më të medha që ka pasur procesi ka qenë çmimi fiks prej 14 mijë lekësh në të gjithë territorin e vendit. Ky çmim ka penalizuar zonat dhe familjet e varfra sepse ka qenë i njëjtë. Ne nuk do nisemi nga një çmim fiks, por do të nisemi nga çmimi i tregut dhe këtë çmim do ta ulim me 50%. Këtu flasim kur toka është publike apo me pronar. Nuk flasim në rastet kur ai që ka ndërtuar pa leje e ka tokën e tij. Më pas nga 50% do të ulet edhe një 50% tjetër nga letrat me vlerë. Më pas do të jetë edhe në ulje prej 400 mijë lekësh për energjinë elektrike”.
“Me këtë proces familjet mbyllin edhe konfliktet e mundshme që mund të kenë me njëra tjetrën, pasi kur mbyllet ky proces nuk kanë më detyrim me njeri, pasi është shteti ai që merr detyrimin për këtë pronësi”, tha Kryeministri Rama.
Ndërsa për familjet që kanë tokën me çertifikatë pronësie, kreu i qeverisë tha se, “pagesa nuk do të jetë as edhe një qindarkë”. “I gjithë procesi do të bëhet nga ALUIZNI, që do të vijë në shtëpi dhe do të ndihmojë për plotësimin e dokumentacionit. Dhe në këtë rast merret hipoeka pa asnjë detyrim tjetër dhe në këtë kategori futen 67 mijë familje në Shqipëri”, tha Rama.
Kryeministri gjithashtu theksoi se, “familjet që kanë persona me aftësi të kufizuar në shtëpi nuk do të paguajnë asgjë edhe sikur ta kenë shtëpinë në tokën e shtetit. Do t’i marrë shteti të gjitha detyrimet”.
Ndërsa Kryeministri u shpreh se, “ata që kanë ndërtuar objekte për biznes, nuk janë a-ja e shqetësimit tonë, janë b-ja. Sigrisht që edhe ata do të legalizohen, por nuk do të përfitojnë uljet. Do të legalizohen me kushtet që legalizohen edhe sot”.
No comments:
Post a Comment