Friday, April 25, 2014

Kontrata qe ve nen pranga gjyqtarin miliarder Gjin Gjoni

 Zbulohen kontratat noteriale të shitjes së 70 për qind të aksioneve nga bashkëshortja e gjyqtarit Gjin Gjoni, Elona Çaushi, tek shtetasi gjerman Claus Helmut Otto Heinemann. Kontrata e cila mban numrin 384 e nëshkruar në datën 20 mars 2007,për të cilën inspektorët e ILDKP-së, pretendojnë se është falcifikuar, tregon se aksionet janë blerë nga shtetasi gjerman në një vlerë prej 700 mijë lekë të vjetra. Ndërkohë përsa i përket shumës prej 300 mijë euro të deklaruar në kallëzimin e ILDKP-së, kjo shifër nuk është përmendur në asnjë rresht të kontratës noteriale të hartuar nga noterja Gentiana Shkodra, edhe kjo e fundit e paditur në prokurori për akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve"
Aksionet janë shitur për llogari të shtetasit gjerman, i cili ka autorizuar për kryerjen e veprimeve shtetasin Jens Georg Degner, administratorin e shoqërisë tregtare “Gebr.Heinemann Albanien Holding”. Pikërisht kjo kompani ka arritur të blejë 70 për qind të aksioneve tek shtetësja Elona Çaushi, me vlerën e deklaruar 700 mijë lekë të vjetra. Me këtë blerje, Çaushi kufizohej në 30 për qind të kuotave në kompaninë “Albania Duty Free Distribution” ndërkohë pjesa prej 70 për qind i kalonte biznesmenit gjerman Claus Helmut Otto Heinemann. Edhe pse ka blerë aksionet, sot e kësaj dite ky shtetas nuk ka asnjë aksion në kompani, kjo për shkak se bashkëshortja e gjyqtarit Gjin Gjoni, ka fituar të gjitha përballjet gjyqësore, duke e larguar nga kompania dhe rimarrë me të drejta të plota të gjitha kuotat e “Albanian Duty Free Distribution”.

Misteri 300 mijë euro
Ajo që mbetet të hetohet nga njësia hetimore Task-Forcë, është zbulimi i shifrës prej 300 mijë euro që është referuar në kallëzimin e inspektorëve të ILDKP-së. Zyrtarët e këtij institucioni pretendojnë se janë nëshkruar dy kontrata, ku e para është nënshkruar nga palët për blerjen e 70 për qind të kuotave me çmimin 700 mijë lekë të vjetra dhe një tjetër kontratë ku të njëjtat kuota të shoqërisë “Albanian Duty Free Distribution”, pretendohet se janë shitur me një vlerë prej 300 mijë euro. Për këtë mosrakordim të shifrave financiare, pritet që prokuroria e Tiranës të kryejë verifikimet e nevojshme, me qëllim zbardhjen e të vërtetës, lidhur me fshehjen ose jo, të pasurisë nga ana e çiftit të bashkëshortëve Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi. Në kontratën noteriale që disponon gazeta “Shqiptarja.com”, shifra prej 300 mijë euro e pretenduar në kallëzimin e ILDKP-së nuk ekziston. Kontrata është nënshkruar në dy formate, në atë në gjuhën Shqipe dhe Gjermane.

Historia e kompanisë
Në dokumentat që disponon gazeta “Shqiptarja.com” rezulton se kompania në fjalë është themeluar në vitin 1997 mes çiftit të bashkëshortëve Werner Mehlber dhe shtetasen Elona Mehlber (Çaushi). Fillimisht kapitali i kompanisë “Albanian Duty Free Distribution” ka qenë vetëm 1 milion lekë të vjetra dhe kishte dy ortakë me 50 për qind të kuotave. Ndërkohë sot kompania ka një kapital prej 250 milion lekë të vjetra ndërsa aksionerja  e vetme është shtetësja Elona Çaushi, bashkëshortja e gjyqtarit të Apelit Gjin Gjoni. Në 12 mars 2004 ish-bashkëshorti i Elona Çaushit, Werner Mehlber është larguar nga kompania, ndërkohë 50 për qind e aksioneve të tij, i ka blerë shetësja Elona Çaushi. Pas këtyre lëvizjeve, në vitin 2007 kjo e fundit vendos të fusë si bashkëaksioner shtetasin gjerman Claus Helmut Otto Heinemann, duke i shitur 70 për qind të kapitalit dhe pas një seri gjyqesh ka mundur të rifitojë sërish të gjithë kapitalin e kompanisë së lartpërmendur./Shqiptarja.com

kontrata shitje kuotash - 

No comments:

Post a Comment