Monday, April 28, 2014

Catherine Ashton mberrin ne Beograd

Deputetët e Kuvendit të Serbisë e kanë zgjedhur të dielën Qeverinë e re të Serbisë, në krye të së cilës është Aleksandar Vuçiq. Prej 228 deputetëve, për zgjedhjen e Qeverisë së Serbisë kanë votuar 198 deputet, kundër kanë qenë 23 dhe kanë abstenuar 6 deputet.
Të hënën, në Beograd arrin përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme Catherine Ashton, ditën kur edhe është paralajmëruar të mbahet mbledhja e parë e kësaj qeverie.
"Serbia ka bërë përparim mbresëlënës në rrugën evropiane, gjatë viteve të kaluara, posaçërisht kur bëhet fjalë për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian për pranim, si dhe me fillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. I gëzohem bisedimeve me qeverinë e re për sfidat e ardhshme", ka porositur Ashton, para vizitës në Beograd, gjatë së cilës do të bisedojë me zyrtarët e Serbisë, si dhe do t'i drejtohet Kuvendit të Serbisë.
Menjëherë pas zgjedhjes së Qeverisë së re të Serbisë, kryeministri i ri serb, Aleksandar Vuçiq, të dielën në mbrëmje, u ka premtuar qytetarëve të mbledhur para ndërtesës së kuvendit serb, se do të bëj gjithë çka është e mundur që vendi të përparojë, duke përmendur se Serbia mjaft raste i ka harxhuar, për shkak se politikanët i janë vardisur popullit.
Ai ka paralajmëruar se do të vazhdojnë presionet mbi Serbinë, por se ajo është më e fuqishme pas zgjedhjeve, si dhe ka përsëritur që gjendja në Serbi duhet të përmirësohet me masa të rënda.
"Para ministrave është një punë e rëndë. Nuk do të ekzistojnë as të shtunat, as të dielat. Ne të parët do të bëhemi shembull dhe të fundit do të dalim nga puna", ka paralajmëruar Vuçiq.
Ai gjithashtu ka theksuar se qeveria e kaluar e përbërë nga progresistët dhe socialistët, ka qenë e suksesshme dhe se ka nisur mjaft procese, ka arritur mjaft suksese, si dhe i ka kthyer Serbisë reputacionin.
Sipas tij, suksesi më i madh është se "është ndarë nga manjatët dhe grupet e fuqishme të interesave financiare".
Si sukses rë dytë, ai e ka përmendur luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ndërkaq, si sukses të tretë, bisedimet me BE-në.
Suksesi i katërt i qeverisë s kaluar serbe, sipas Vuçiqit, janë bisedimet e Beogradit me Prishtinën.
"Ne nuk jemi përgjegjës për problemin e Kosovës, ndërkaq çdo ditë e zgjidhjes së tij na ka kushtuar me thellim të krizës në vend. Nuk do ta njohim Kosovën, por duam të jetojmë në paqe me shqiptarët. Procesi do të vazhdoj dhe unë, personalisht, do ta përfaqësoj Serbinë në bisedimet në Bruksel", ka theksuar Vuçiq.
Ndryshe, Ivica Daçiq, tashmë do ta ketë postin e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të punëve të jashtme. Qeveria e re në Serbi ka 19 anëtarë, duke u nisur nga kryeministri, 16 ministra dhe dy ministra pa portofol.

No comments:

Post a Comment